-Aleksander Ndoja-
Botuar në gazetën “Tirana Observer” më 27 nëntor 2007
“Flamuri është i formatit 90×70 cm, fushën më ngjyrë të kuqe, një cohë e zezë e qepur në këtë fushë ku është piktruruar me kujdes një shqiponjë dykrerëshe dhe pak sipër kokës një diell, si simbol që për herë të parë edhe në kohën e pushtimit turk, tregonte kredon e malësorëve të Mirditës për të qenë të mëvetësuar.”
Nder 33 flamujt e Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, të ardhur nga krahinat e ndryshme të vendit, ka mbetur si relike e memories historike njëri prej tyre, që ndodhet në shtëpinë e një prej pinjollëve të fisit Bajraktari nga bajraku i Kashnjetit të Mirditës. Quhet Ndue Bajraktari dhe pasjen e flamurit në krye të oxhakut të kullës e ka patur si gjënë më të shtrejntë për një fakt se ai flamur ka “shtegtuar” në shtatë breza, por që në një farë mënyrë sipas tij, historia e ruajtjes 200 vjeçare deri në ditët tona, nuk ka të dytë. Me atë flamur është përfaqësuar Bajraku i Kashnjetit, njëri prej 12 bajraqeve të Mirditës, dhe më pas vetë Mirdita në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa fati qe me të pasi kjo krahinë u përfaqësua dhe në vitin 1912, kur ngritja e flamurit kombëtar nëpër viset e ndryshme të vendit, kishte ardhur si një “konvejer” i pandalshëm.
Pikërisht më 15 qershor 1912 burrat përfaqësues të krahinës së Lezhës e pranuan si simbol të ngritjes së flamurit, pikërisht këtë flamur që ruhet me fanatizëm në shtëpinë e bajrkatarëve. Flamuri është i formatit 90×70 cm, fushën më ngjyrë të kuqe, një cohë e zezë e qepur në këtë fushë ku është piktruruar me kujdes një shqiponjë dykrerëshe dhe pak sipër kokës një diell, si simbol që për herë të parë edhe në kohën e pushtimit turk, tregonte kredon e malësorëve të Mirditës për të qenë të mëvetësuar. Dhe në fakt me këtë flamur jo pak është prirë në beteja që kjo krahinë të ishte autonome.
Vetë flamuri nuk është prodhim industrial, qoftë dhe i kohës, por është punuar në vegjë nga artizane të krahinës, ndërsa sot edhe pse është i një ngjyre në të dalë, duket se është ruajtur me kujdes, ndërsa për peripecitë e tij tregojnë disa njolla gjaku, që janë mbi të. Por sesa e lidhur ka qenë kjo fanilje me këtë flamur e tregojnë disa momenteshumë interesante, kur nëna e Ndues sot e paralizuar në krevat rreth të 90-va, si një amanet i të parëve të saj, e edhe kur iu dogj kulla nga forcat e ndjekjes në vitin 1946, mundi të dredhojë për të hyrë brenda në shtëpi “në kërkim të rrobave të një fëmije”, ndërsa mori me kujdes flamurin për ta futur në gji, dhe më pas për 50 vite ta mbante të qepur në brendësi të jorganit kur familja ishte e internuar në Tepelenë, dhe për ta nxjerrë atë vetëm në vitin 1985, për tadorëzuar në muzeun e Lezhës, në këmbim të shkollimit të fëmijëve.
-Rrëfen Ndue Bajraktari-
Ju e njihni historinë e këtij flamuri?
Po, e njeh çdo njeri i derës sonë dhe më tej. Familja jonë ka qenë prijëse e Bajrakut të Kashnjetit, aty ka ndenjur dhe ky flamur, që asht shumë i veçantë, pasi edhe pse në kohën e turkut, në të ka patur vetëm simbole kombëtare. Si është stilizuar dhe nga kush? Nuk e di se kush, pasi ka mbetur anonim, por dihet se është prej një cope të kuqe të bërë në vegjë (lloj tezgjahu) nga gratë e fshatit, dhe se më pas është prerë një copë e pikturuar me ngjyrë të zezë, sipas simbolit të shqiponjës. Ndërsa më sipër është vizatuar dielli me formën e lëshimit të rrezeve.
Pse u ngrit pikërisht ky flamur në Lezhë?
Sepse ky qe autentik dhe kishte prirë burrat e krahinës së Mirditës edhe në Lidhjen e Prizrenit, sot ka mbetur i vetëm me sa di unë në 33 që ishin asokohe, ndaj kemi patur obligim për ta patur.
Flitet se ka patur peripeci në ruajtjen e tij?
Po, është shumë e vërtetë dhe kjo na bën të jemi të lidhur aq shumë pas tij. Psh, edhe pas ngritjes së këtij flamuri në Lezhë në qershor 1912, ky flamur u ka prirë prijësve dhe luftëtarëve në luftëra kundër pushtuesit, ndërsa njollat e gjakut me të cilët ai është spërkatur nga gjyshi im Mark J. Bajraktari, ndodhen sot e asaj dite mbi të. Ndërsa episode të rralla mund të rrëfejë nëna ime, Mara, e cila sot është në moshë të thyer dhe e rënduar nga sënundja, nuk mund të lëvizë.
Me sa dimë ajo është dekoruar kohët e fundit si “Nderi i Qarkut”, përse?
Pikërisht për këtë flamur. Ajo e ruajti si askush në një gjendje të pabesueshme që iu krijua familjes sonë aty nga vitet 1945, kur në pushtet erdhi qeveria komuniste. Ka qenë qershor i këtij viti kur shtëpia jonë, si shtëpi bajraktari, u rrethua nga forcat e ndjekjes, të cilat e kishin lidhur babain tim Jak Bajraktari, ndërsa ne të dy vëllezërit ishim të vegjël. Kur i vunë zjarrin kullës në Kashnjet, babai i lidhur i bëri shenjë nanës që të merrte flamurin, dhe ajo iu drejtua komandantit të operacionit se kishte harruar disa rroba fëmnijësh brenda.
Por kulla kishte marrë flakë?
Po kati i sipërm, por nana u fut brenda dhe e mori flamurin që ishte i mbështjellë tek dollapi i kafesë në afërsi të oxhakut, e mori dhe e futi në gji.
Ç’bëri më pas me të?
Pas kësaj ngjarje shumë njerëz të mij i futën në burg dhe filloj një kalvar i vërtetë persekutimesh dhe vuajtjesh. Ne na dërguan në Berat, pastaj në Tepelenë nana në mes të rrobave tona, nuk harroj të merrte me shumë kujdes këtë flamur.
Nuk ju vunë re?
Sapo shkuam në Tepelenë, nana, që e kishte shumë merak flamurin dhe si një amanet të babës, e mori me kujdes dhe e qepi në brendësi të dy fletëve të jorganit, me të cilin jemi mbuluar plot 50 vite me rradhë, madje dua t’u them se atë jorgan ishim të detyruar ta mbanin pa larë vetëm që të mos prishej flamuri, por vetëm mbështjellëset e jorganit. Kësisoj ai shpëtoj për mrekulli.
Sa zgjati kjo gjë?
Deri nga vitet 1985, kur më ishin rritur fëmijët, por për arsye biografike askush nuk m’i dërgonte në shkollë. U detyrova të tregoj se e kisha flamurin, dhe ata të komitetit të partisë në këmbim të tij më dërguan vajzën në shkollën e mesme. E dërguan në muze për ta ruajtur. Ju e latë aty apo e morët? Kur erdhën vitet ’91 pati shumë shkatërrime dhe unë u detyrova ta marr atë nga muzeu, për ta mbajtur në shtëpi, natyrisht firmosa me kuhtin sa të bëhej një muze i ri në Lezhë do ta dërgoja sërish.
Ju e dërguat?
Jo, sepse nuk është bërë ai muze. Ndërkohë që e kanë parë dhe drejtuesit e muzeut Kombëtar në Tiranë, në mes tyre Moikom Zeqo, i cili ka preferuar të ofrojë shumën deri në 25 milion si institucion për ta vendsur atje, pasi ishte i vetmi i mbetur nga flamujt e përdorur në Lidhjen e Prizrenit, por unë kërkova që të bëhej një simpozium që të dilnin në pah vlerat e kësaj krahine dhe faktin e qenies së këtij flamuri prej kaq vitesh, si më i veçanti në vend. Kjo gjë ende nuk është bërë. Megjithatë edhe pse nuk është bërë kjo, jam gati ta dërgoj sa po të bëhet muzeu i Lezhës.
Aktualisht ruhet mirë?
Po, siç e shihni këtu kam një minimuze në shtëpi dhe flamurin e kam ruajtur në kushte shumë të mira, brenda një kornize me xham.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”