-Nga Aleksandër NDOJA-
Është e diela e 25 shtatorit ku në përgjigje të një ftese nga veprimtari i mirënjohur i atyre anëve z. Dod Luli, marrim rrugën me destinacion Iballën. E ndërsa devijon rrugën tradicionale në të dalë të qytetit të Fushë Arrëzit, male mjaft të larta ndonëse të zhveshura, të ftojnë në “gjirin e tyre”. Rruga për një Iballë, njësi administrative e Bashkisë Fushë Arrëz është mjaft cilësore, por me kthesa pafund, me ngjitje e zbritje pothuajse piruetë nëpër male. Sidoqoftë teksa zbresim në dyshezën e njërit prej maleve, një tabelë në rrugë na njofton se kemi hyrë në Iballë.
Nuk vonon shumë dhe përballë na shfaqet një pamje krejt tjetër me malet që kaluam. Natyra prej mijëra vjetësh ka dhuruar bujarisht fusha pafund, aq sa mes atyre maleve aq kryelartë, krijon pamjen e një myzeqeje të dytë në hapësirën tonë mbarëkombëtare. Në zbritjen drejt fushës objekti i parë që shquajmë është një ujëmbledhës i konsiderueshëm për nga prania ujore, ndërsa ne habitemi se si është e mundur prania e përherëshme e ujit në të, anipse gjatë stinës së verës shuan etjen e tokave fushore të Iballës. Nuk ka lumë apo përrua që komunikon me të për ta mbushur, por kureshtja shuhet kur mësonë se në thellësinë 12 metra në qendër të tij, uji del pingul nga toka si dhuratë për Iballën e cila është aty mijëra vite para lindjes së Krishtit.
E ndërsa fushat dhe banesat tipike për një vend malor janë të shumta, në dy pika jo shumë larg në distancë qëndrojnë Kisha dhe Xhamia, si shembull unik i harmonisë fetare mes banorëve të kësaj treve që përbëhet nga 11 fshatra, ndërsa shkolla e parë shqipe në Pukë u hap pikërisht në Iballë, më 15 tetor 1903. Iballa ka nxjerrë shtetarë dhe emra të shquar, ndër ta të mirënjohurin Kol Bib Miraka, cili në postin e ministrit të brendshëm shpëtoi nga asgjësimi total plot 2000 hebrenj, duke urdhëruar pajisjen e tyre me pasaporta shqiptare.
Sofra pukjane, shëmbull i shkëlqyer si bashkohen njerëzit, por që gjallojnë dhe malet.
Që në Fushë Arrëz grupit tonë i bashkohet ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së, kryetar i AAK-së z. Ramush Haradinaj. E ndërsa në qendër të Iballës atmosfera ishte festive, qindra banorë të zonës janë rrjeshtuar në pritje të Tij dhe miqve të tjerë. Vendasit e konsiderojnë Haradinajn si pjesë të trevës së tyre Iballës, pasi origjina e herëshme e kësaj familje është pikërisht prej kësaj ane. Madje vetë Haradinaj mes emocionesh thotë se që fëmijë dëgjonim më të rriturit teksa shtroheshin në biseda në katin e tretë të kullës së moçme, flisnim pafund dhe me krenari mbi origjinën e tyre, Iballën, që nuk patën fatin ta vizitonin në të gjallë të tyre, ndërsa babai i tij Hilmi Haradinaj më herët kishte mundur ta vizitonte trevën e origjinës së tij.
Më tej drejtuesit dhe themeluesit e “Sofra Pukjane” si Rrok Gjoka, Tonin Alia, Lush Osmani, Mark Luli, Lazër Mhilli e të tjerë i kanë uruar mirëseardhjen kryetarit Haradinaj në ambientet e pikës së parë turistike “Guest House”.
Ceremonia festive
Qindra njerëz ardhur nga të gjitha anët janë tubuar në një fushë në qendër të Iballës, për të ndjekur aktivitetet festive me këtë rast. Mes tyre janë kryetari i Bashkisë Fush Arrës Fran Tuci, kryetari i bashkisë Pukë z. Gjon Gjonaj, kryetari i bashkisë Malësi e Madhe Tonin Marinaj, deputeti i zonës z. Benet Beci si dhe shumë të tjerë. Janë grupet artistike të Qendrave Kulturore të Fushë Arrësit e të Pukës, por edhe të shkollës së Iballës që me drejtuesit e tyre artistë krijojnë atmosferë mjaft të spikatur rinore. Ndiqni një kolazh me kengët dhe ballet e tyre,
Mjaft i emocionuar ka qënë në fjalën e tij z. Ramush haradinaj i cili është shprehur:
Kryetari i bashkisë Fushë Arrëz z. Fran Tuci ka falendëruar organizatorët e “Sofra Pukjane” në veçanti kryetarin Rrok Gjoka për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm kulturor e përbashkues, pikërisht në Iballë….
Të ftuar në “Sofra Pukjane” ishin edhe drejtuesit e Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” të cilët bënë vlerësime me titullin e lartë “Ndrec Ndue Gjoka” për punën dhe përkushtimin e disa prej mësuesve të kësaj zone si Ndue Doçi, Pashk Prenga, Drane Bardhoku, Naxhie Braha, e Tereze Dema, ndërsa u akordua dhe titulli “misionar i pajtimit” për z. Ded Nikolli. Pjesë nga ceremonia:
Aktiviteti është përmbyllur më një drekë festive në ambientet e “Guest House” me president z. Lazër Mhilli.
Iballë më 25 shtator 2022

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”