Ndue Zef Pali (Çupi) dhe i biri Mark Ndue Çupi, mbeten unikë në sistemin arsimor të Mirditës, por edhe të Kurbinit. Babë e bir krenohen se kanë dhënë sa kanë mundur për arsimin mirditas, por mbi të gjitha traditës i kanë dhënë kuptim, teksa edhe pesë pjësëtarë të tjerë të familjes janë mësues në shkolla të ndryshme të vendit. Është rast i rrallë që nga kulmi i një shtëpie atje në fshatin Dardhaz të Xhuxhës në Fan të Mirditës, kanë dalë shtatë mësues, ndërsa mësues Marku, teksa është në vitin e fundit të punës pasi sëshpejti del në pension, thotë se pjesë e familjes së tij tashmë janë mjekë, inxhinerë etj.
Vetë Ndue Zef Pali ka dalë në pension pothuaj 30 vite më parë, por mbahet i fortë e mirë me shëndet, teksa pret që edhe i biri ti bashkëngjitet plejadës së respektuar të pensionistëve. Ai ka lindur në 05 nëntor të vitit 1938, ndërsa pas një muaji mbush plot 84 vjeç.
Ishte vetëm 15 vjeç kur i del bursa për të vazhduar Shkollën e Mesme Pedagogjike për mësuesi në Tiranë, pra një çudi kjo, teksa në shkollën e mesme shkonin pa përfundur shkollën 8 vjeçare. Kjo ndodhte asokohe, vendi kishte mungesë të theksuar mësuesish në luftën kundër analfabetizmit. Edhe pse pothuaj fëmijë, mbaron shkollën me rezultate shumë të larta, ndërsa emërohet mësues në fshatin Dardhaz, në Fanë, ku ka punuar për 10 vite me rradhë.
Për arsye shëndetësore ka një ndërprerje për dy vite nga arsimi deri në vitin 1968, për të vijuar me vonë në një shkollë të improvizuar prej tij, në ambientet e ndërmarrjes së përpunim-drurit në Lari të Fanit. Mësues Ndue Zef Pali i Xhuxhës së Fanit i përket asaj plejade të shquar mësuesish që dhanë gjithçka për arsimimin e fëmijëve të bashkëfshatarëve të tyre. Sot numërohen me dhjetra inxhinierë, ekonomistë, mësues, ushtarakë etj, që kanë nisur karrierën e tyre nga duart dhe mëndja e këtij mësuesi, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e banorëve të zonës, por edhe të disa fshatrave të tjerë ku ka shërbyer.
Djali i tij, mësuesi Mark Çupi tepër i emocionuar tregon se si e kishte marrë stafetën e mësuesit nga duart e babait të tij, ndërsa sëshpejti thotë se do ti qëndroj më pranë nga pozicioni i pensionistit.
Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” nderim të veçantë për mësuesin Ndue Zef Pali dhe të birin mësues, Markun.
Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” në kuadër të ditës ndërkombëtare të mësuesit, organizoi ceremoninë për akordimin e titullit “Misionar i Arsimit” për mësuesin veteran Ndue Zef Pali dhe “Ndrec Ndue Gjoka për mësuesin Mark Çupi. Takimi i zhvillua në një atmosferë festive me pjesëmarrjen e familjarëve dhe miqve të familjes, disa prej të cilëve kishin udhëtuar nga jashtë Shqipërisë për të marrë pjesë në këtë evenimet të rëndësishëm siç e quanin, vlerësimin për mësuesin dhe familjarin e tyre. Kronika e anonçuar përcjell këtë atmosferë mjaft të spikatur që organizon Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”.
a.ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”