-Aleksandër NDOJA-
“Ne s’mund të bëjmë gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla, me dashuri të madhe” është një ndër mijëra thënie të Nënë Terezës, sëcilës e gjithë bota i është mirënjohëse. Natyrisht jo më kot nga Selia e Shenjtë, Papa Françesku i akordon humanistit Gjon Krasniqi një mirënjohje Bekimi Apostolik për me shumë Hire Hyjnore për njeriun e devotshëm mendjemprehtë, pikërisht në ditën e Shnanojit më 13 qershor 2020, për kontributin e tyre të dhënë për Fe, Shpresë e Dashuri.
Edhe shtatë vite më parë Këshilli i Qarkut në Lezhë me kryetar Dr.Pashk Gjoni, mbështetur në bazë të vendimit nr.35, me datë: 30.01.2015, i ka akorduar z. Gjon Krasniqi titullin “Nderi i Qarkut të Lezhës”, me motivacionin: Për frymën humane dhe vëllazërore që ka shpalosur gjatë operacioneve humanitare për rritjen e cilësisë së shërbimit në Qarkun e Lezhës.
Pikërisht dhe sot, Bashkia Mirditë, i ka akorduar z. Gjon Krasniqi medaljen e lartë “Stema e Artë” të Bashkisë Mirditë për kontribut të çmuar në shumë aspekte kulturore e humanitare realizuar në Mirditë, apo që janë në proçes realizimi.
Kush është Gjon Krasniqi?
Në një përcjellje biografike nga shkrimtari klinas Lekë Mrijaj, mësojmë se si pasardhës i burrave të mëdhenj të kullës së Avdi, Sadri e Mark Zef Smajlit – Krasniqi. Kulla njëkohësisht ishte një asamble gjithë përfshirëse kombëtare për të gjithë shqiptarët pa dallim, në të cilën shumë burra u mblodhën për ideale, pajtime dhe ndërmjetësime mbarëkombëtare. Kulla në fjalë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fshatin Nepole – Lugun e Baranit të Pejës, Zonën e Dushkajës, Lug të Leshanit, Lug të Drinit e Dukagjin… Pikërisht Gjoni ishte i lindur, rritur, brumosur, në vlera atdhetare, i cili në vitin 1998 inkorporohet drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare të UÇK-së, pasi braktisi mërgatën për ti dalur Zot atdheut për liri e pavarësi – bashkim kombëtar, deri në përfundimin e luftës çlirimtare. Në përfundim të luftës duke mos pasur mundësi se ku të kthehet nga arsyeja e granatimeve dhe djegies së pasurisë së tij të kompletuar e moderne nga ana e njësive policore militare e paramilitare serbofile, vendosi të rikthehet në mërgim për t’i kontribuar atdheut dhe trojeve të tij shqiptare me projekte të tjera gjithëpërfshirëse të natyrave të ndryshme.
Ceremonia e akordimit të medaljes “Stema e Artë” nga Bashkia Mirditë.
Cerememonia e lajmëruar disa ditë më parë ka nisur rreth orës 10 të paradites së datës 12 nëntor 2022. Salla e Qëndrës Kulturore në Mirditë është mbushur me qytetarë të shumtë të cilët kishin ardhur nga Gjakova e Klina, Zvicra e Gjermania, por dhe shumë të tjerë nga Lezha, Tirana e Mirdita. Mes tyre ishin klerikë të mirënjohur nga Gjakova dhe Mirdita, profesorë, studiues, drejtues dhe ish-drejtues të pushtetit vendor në Mirditë e Lezhë, si edhe miq e familjarë të Gjon Krasniqit. Në fillim salla është ngritur në këmbë në nderim të hymnit kombëtar, ndërsa menjëherë vijoi ceremonia e akordimit të “Stema e Artë” nga Bashkia Mirditë, moderuar nga Gjergj Marku. Ceremonia:
Më tej e kanë marrë fjalën studiuesi dhe shkrimtari Ndue Dedaj i cili foli mbi veprimtarinë e humanistit Gjon Krasniqi. Në vijim kanë folur studiuesi, profesori Pal Canaj nga Klina, ish-kryetari i bashkise Rreshen Gjon Dedaj dhe të tjerë.
Aktiviteti është mbyllur me një koncert festiv të Ansamblit “Mirdita” (Mjeshtër i Madh) nën regjinë dhe moderimin e drejtuesit të këtij institucioni, Gjergj Marku. Atmosfera mjaft entusiaste u realizua nga këngëtarë të mirënjohur të këtij ansambli si Mrikë Trumshi, Prena Beci, Kastriot Kola, Prena Beleshi mbështetuar dhe nga këngëtarja e njohur e Pukës Dava Gjergji, por edhe “gjakut” më të ri të këtij ansambli, këngëtarë mjaft të spikatur dhe me të ardhme si Arben Pacani dhe Ronaldo Mesuli, nën shoqërimin e grupit të valltarëve të vegjël, por profesionist të skenave tona.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”