-Nga: Gjok BECI-
(Musine Kokalarit, qe nje dite më tha: “E sheh këtë cudi: Sot vlen me shumë një kg llac, sesa një kg tru…”)
Përroi i dhunës rrjedh kobshëm
Tash mijëra vjet
Dhe një kokë e prerë gruaje nuk ka liri,
Një dorë e prerë poeti nuk ka liri,
Dy miq që s’i besojnë sho-shoqit nuk kanë liri
Një pellush i zi me të cilin plakesh e vdes
Nuk ka liri
Kur mbetesh libër i palexuar nuk ke flori
Ulërij në kupë të qiellit
Dhe vetveten dëgjoj si ankohet
Se përroi i dhunës përmbyt me ledh
Barrakat e të internuarve pa mëkat
E me trungjet që shpërndan e mbledh
Burgjet e zemrave njerëzore i përgjak
Kulla ime ka qenë jeta ime e dhnuar
Kulla ime e ka pas vazhdimisht zgjuar ujkun e vet
Ai e ka lëpirë e kafshuar, e ka lëpirë e kafshuar
Pa mundur kurrsesi ta cmendë krejt.
Dhe vazhdoj të besoj se liria i ka sytë prej poeti
Aty marrin cak ëndërrat që arratisen e bëhen qiell,
Në një barrakë të mbytur në ujërat e qytetit
Pak kush e dinte se rronte një diell
Një diell i fshehur që gatuante llac e poezi
Që shfaqej në rrugë e duhej të mbyllnim sytë përballë,
Që donte libra e po t’i jepnim na padisnin
E llacbërës përfundonim për një fjalë
Fqinja ime e dikurshme Musine Kokalari
Dielli i ditës së vet, Hëna e natës
Më pat thënë se sytë e liridashëve pikojnë flakë
Si pisha të ndezura mbi gjirin e Rozafës

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”