Pothuaj 10 vite më parë, në një ambient ku unë kisha organizuar kurse informatike dhe mblidheshim e diskutonim çështje të ndryshme rreth artit, kulurës dhe gazetarisë, një grup njerëzish të letrave vendosëm dhe referuar rregullave ligjore, të themelonim fillimisht Shoqërinë Kulturore Artistike “Mirdita”
Ishte një nismë spontane e ideuar nga piktori profesionist, ish liceist i Akademisë së Arteve të Tiranës Pjetër Marku, mbështetuar nga unë autor i këtyre rradhëve, që edhe në atë kohë kisha një begraund të gjatë dhe mjaft efikas në shtypin shqiptar. Kishte dhe shumë të tjerë që na mbështetën që në mbledhjen themeluese, por gjithësesi asnjëherë nuk e menduam se sa punë do ti nxirrnim vehtes me këtë nisme. Puna vërtetë ishte e madhe, ndërsa përkushtimi ynë ishte një “tërheqje” nga e cila nuk mund të shmangeshe.
Në të vërtetë rezultatet filluan të shfaqeshin në kohë rekord, pasi revista “Mirdita” çau bedenat e ngritura nga ironikët, sepse mbështetësit në kohë rekord filluan të kuptojnë se shërbimi që ne po ofronim, ishte shërbim në sferën e kulturës dhe artit, pa asnjë përfitim individual, kjo e vërtetuar tashmë.
Revista “Mirdita” nuk mbeti as 24 orë e Mirditës, pasi Mirdita si asht i shqiptarisë diktonte që kjo revistë të ishte dritare për çdo metër të Shqipërisë natyrale. Janë të shumta faktet se si kjo revistë u bë një dritare promovuese për shumë poetë, reportazhistë, eseistë, historian, rrëfimtarë e portretistë që deri në këto kohë ëndrrat dhe talentin e tyre e kishin të kyçur në sirtar.
Natyrisht në këtë rrugë kishim parashikuar që do kishim kundërshti gjeloziste aspak të nxitura nga ne, por ja që kjo ndodh edhe përkundër heshtjes tonë. Njerëz “pa din e pa iman” masovikë të një rregjimi obskurantist që mbeten gjithnjë në kërkim të vëmendjes së humbur, ose që nuk e kanë pasur kurrë atë, të shitur në arkën e djallit që dhe aktivitetet kulturore i shikojnë me syrin e zi politik të qorruar nga paulolinat, nxitojnë të imitojnë minjtë e gjerizeve për të na dhënë mend në rrugën tonë, e cila kushtëzohet nga vendimi i gjykatës së rrethit gjyqesor Tiranë me nr 3514/1, me nr. rregjister themeltar 489, mbi themelimin e Akademise se Artit, Shkences dhe Letrave “Mirdita”.
Dhe ja vijmë tek aktiviteti i fundvitit 2022, mbajtur më 3 dhjetor në Muzeun Historik Kombëtar.
Edhe pse i njoftuar në ora 11.00, rreth orës 10.30 salla qëndrore e këtij institucioni ka qenë e tejmbushur me miq e të ftuar, kryesisht krijues nga Medvegja, Tetova, Klina, Prishtina, Kukësi, Lezha, Mirdita, Tirana, Kukësi e Gjirokastra, ndërsa shumë prej të cilëve kishin udhëtuar nga Greqia, Italia, Gjermania e disa shtete të tjera europiane.
Në ora 11.00 moderatorja Lola Shehu, poete e mirënjohur dhe universitare në Gjuhë Letërsi, pasi ka kërkuar të nderohej Hymni i Flamurit, salla ka nderuar me një minutë heshtje kalimin para do kohe në amshim të Ali Bardhoshit, një bashkëpunëtor i ngushtë i Akademisë së Artit Shkencës dhe Letrave ”Mirdita” nga Kukësi.
Më tej është thirrur paneli në përbërje të cilit ishin Aleksandër Ndoja, kryeredaktor i revistës Mirdita, Lola Shehi poete, Pjetër Marku kryetari i Akademisë Mirdita, Gjeneral Ded Prenga, Skënder Doda oficer i gradës së lartë dhe kryetari i IPAS, Prof.Dr Shefqet Hoxha, ish deputeti i parlamentit të post komunist, dr. Simon Puta.
Pas një përshëndetje të shkurtër prezantuese nga kryetari i Akademisë ”Mirdita” z. Pjetër Marku, fjalën e ka marrë sekretari i Akdemisë dhe kryeredaktor i revistës ”Mirdita” Aleksandër Ndoja i cili ka thënë
”…. Faleminderit që edhe gjatë këtij viti na mbështetët në aktivitetet tona të shumta brenda e jashtë vendit. Falë ndihmës tuaj ne ja dolëm që edhe këtë vit të nxirrnim nga shtypi sipas projekteve tona, katër revista “Mirdita” konkretisht numrat 33, 34, 35, 36 në të cilat janë përfshirë 260 autorë, si poetë, shkrimtarë, historiane, reportazhistë, piktorë, eseistë etj. Si dhe numrat pararendës dhe këto numra kanë patur një shpërndarje të gjerë në Shqipëri, Kosovë, Mal Zi, Tetovë, Medvegjë e Bujanovc. Në këto revista janë promovuar edhe shumë të rinjë e të reja, falë publikimit masiv të talenteve të tyre në zhanre të ndryshme të artit, kryesisht në poezi dhe arte figurative. Numërohen plot 69 poetë qe kanë publikur poezitë e tyrë përgjatë këtij viti”.
Më tej është vijuar më akordimin e disa çertifikatave mirënjohje për poetë, tregimitarë ese-istë si Gjelina Maçi, Asllan Myftari, Adnan Lleshaj, Margarita Bardhi, Bruna Musaj, Eduart Mata, Rudina Papajani, Gjon Marku, Besim Cengu, Flora Peci, Ilmi Halili dhe Roland Karanxha. Pas kësaj Lola Shehi ka dorëzuar çmimin ”Ndrec Ndue Gjoka” për disa nga mësuesit që kanë dhënë kontribut të shquar në arsim si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Vlerësim i lartë me titullim ”Mjeshtër i shquar i këngës” është akorduar për këngëtaret e shquara të ansamblit Mirdita si Bardhe Gega, e motrat Prena Beci e Gjela Duka.
Ndërsa në sporte janë vlerësuar me titullin ”Mjeshtër i shquar i Sportit” Lindita Hoxha dhe Marjana Sulejmani. Me tituj të tjerë si misionarë të kulturës u nderuan Bardhok Sulejmani, Gjergj Shyti e Gjon Llusku, ndërsa emra si Fran Lena, Anton Lleshaj, Mark Palnikaj, Fran Mulaj e Perikli Shuli morën vlerësime për punën e tyre të vlerësueshmë ndër vite sipas fushave që u përkasin. Pjesa e vlerësimeve është përmbyllur me akordimin e titullit të lartë ”Krenari e Mirditës” për ing Gjon Arapi prej vitesh në amshim, Dodë Ndrecaj nga Klina. Ing. Nikoll Marku i njohur si ing i floririt të Rubikut, Preng Pistja nga Puka dhe Nikollë Loka, studiues dhe krijues nga Mirdita, ndërsa çmimi vjetor ju akordua Tom Gjergjajt me banim në SHBA, për financim të botimit të revistes “Mirdita” dhe Erald Jakut drejtues e shtëpisë botuese “GEER” në Tiranë.
I gjithë aktiviteti është shoqëruar nga flamurtari i mirënjohur nga Shkodran z. Irfan Domnori, ndërsa disa artistë mirditas, tashmë të grupuar në një shoqatë folklorike të njohur më ”Art-Folk Mirdita” si Gegë Tuci, Kol Zefi, Mark Gjonaj, e këngëtarja Angjelina Nikolli kanë përshëndetur aktivitetin me këngë nga repertori i tyre. Në fund në një coctail masiv, të pranishmit kanë shprehur vlerësimet më të larta për aktivitetin vjetor të AASHL ”Mirdita” si edhe për aktivitetin e fundit vjetor që u mbajt këtë ditë.
Pirusti-News, Tiranë 04.12.2022

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”