Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Sokol Mark Prendi nga Rubiku, 29 vite familja në kërkim të Tij.

Familjarët, nuk do heqim dorë me shpresën se një ditë do të kemi një varr për të vendosur një tufë lule

Nga Pirusti News
1 635 Shikime

-Nga Aleksandër NDOJA-

Saga e emigrantëve të fillim viteve 90-ta sidomos përmes kufirit me Greqinë, është ndër më të dhimbshmet, deri dhe të pabesueshmet. Dëshira për një jetë më të mirë për shqiptarët e sapodalë nga komunizmi, bënte që të rinj të shumtë të mësyenin kufirin me Greqinë, pasi “detit nuk i hyhej me këmbë” siç thotë një fjalë e moçme popullore. Pikërisht për këtë arsye, shtresat më “vunerabël” zgjidhnin si mundësi pyllin dhe malet në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kjo rrugë tashmë e harruar, në shumë raste përcillte situata krahasuese me “mundimet e Sizifit” i cili sipas mitologjisë greke ishte i dënuar që të çonte gurin në majën e kodrës, por guri që po ngjiste lart, rrëzohej sërish në fund të saj, duke e detyruar ta fillonte sërish detyrën nga e para.  

E përveç kësaj, në rastin më të keq ishte përballja më ushtrinë greke, me trupa paramilitarësh gjysëm të droguar e të thirrur enkas përkundër emigrantëve shqiptarë. Këta lloj trupash në dukje speciale ishin aq brutalë, që mbanin në dorë drunj të latuar të thanës me të cilët qëllonin pamëshirshëm emigrantë të stërlodhur, të pangrënë e të papirë, në mes të dimrit të acartë, apo pjekjes në diellin përvëlues të verës.

Pikërisht për ti shpëtuar këtij ndëshkimi sa mizor e antinjerëzor në kufijtë e genocidit, shumë emigrantë në ikje e sipër kanë përfundur në hone apo gremina duke u kthyer në Atdhe të pa jetë, apo më e keqja, në shumë raste nuk janë gjetur sot e kësaj dite. Një ndër ta është një i ri nga fshati Kumbull i Selitës, Paulin Gjikola, për të cilin prej 30 vitesh nuk i dihet asnjë shenjë, po ashtu edhe edhe një i ri Jushi nga fshati Bungaj, dhe Tushaj nga Proseku.

Rasti po aq i rëndë lidhet me zhdukjen pa asnjë gjurmë pothuaj 29 vite më pare, i një 24 vjeçari asokohe nga Rubiku, i quajtur Sokol Mark Prendi.

Historia e 24 vjeçarit Sokol Mark Prendi nga Rubiku.

Sokoli ishte njëri prej 7 fëmijëve që kishin lindur, Mark e Mrika Prendi. Prindërit gjithmonë kishin punuar papushim në pozicione të mesme pune, pasi Marku kishte punuar si specialist i mesëm në uzinë e miniera, për ta mbyllur me një punë prej shumë vitesh si mekanizator në ish ndërmarrjen e rrugëve, ndërsa nëna si punonjëse e thjeshtë në Ndermarrjen e Furnizimit të Punëtorëve (NFP) në Rubik.

Sokoli kishte qenë një nxënës i spikatur në shkollën 8-vjeçare të Rubikut, e pikërisht për këtë arsye kishte mbaruar me rezultate të larta edhe shkollën profesionale dega “pasurim” në Prrenjas. Me të përfunduar shkollën e mesme, Sokol Prendi përfiton të drejtën për tu rregjistruar në Universitetin e Tiranës, në degën gjeologji miniera, ndërsa u shënuan lëvizjet demokratike me të cilat u ndërrua sistemi politik në Shqipëri.

Në vitin 1994 ishte në prag diplomimi si inxhiner, ndërsa ndërmerr aventurën për të punuar disa muaj në Greqi, derisa të vinte koha per tu diplomuar. Ky vendim siç duket u muar me inicimin e disa prej shokëve të tij, me të cilët kishte mbaruar shkollimin e mesëm në Prrenjas, por edhe shkollimin e lartë në Tiranë. Prej asaj dite të nxehtë të qershorit të vitit 1994, askush nuk ja dëgjoi zërin, askush nuk dha koordinata të qarta mbi fatin e tij, edhe pse në qershor të këtij viti mbushen plot 29 vite.

Kërkimet…

Gjovalin Prendi, vëllai i tij më i madh, thotë se me tu mësuar se ai nuk përgjigjet askund, babai Marku, nëna, por sidomos vëllai më i madh Ndueja, përfshirë dhe të tjerë njerëz të familjes apo miq nuk kanë reshtur së kërkuari mbi fatin e tij.

Gjovalini thotë se, që në atë vit babai im i ndjerë sëbashku me vëllain Nduen shkuan dhe takuan disa ish shokë të tij në Prrenjas, me te cilët dihej së kishin qenë bashkëudhëtarë në atë rrugëtim pafat. Të gjithë kanë heshur apo kanë dhënë informacione kontradiktore sipas të cilit Sokoli ishte thirrur nga një i panjohur prej tyre me të cilin ishin larguar më autobuz nga vendi ku qëndronin në një fshat afër kufirit me Shqipërinë. Pas kësaj janë bërë përpjekeje pafund, duke bërë denoncimet përkatëse në institucionet e shtetit, si në polici, SHIK, Ministri të Drejtësisë, por dhe në televizione të ndryshme, deri edhe në emisionin “Njerëz të Humbur” të Aida Shtinos, por askush nuk ka dalë të thotë një informacion të qartë mbi fatin e tij. Duke përfunduar, Gjovalini thotë se prindërit e mij ikën në amshim me brengën e rëndë, pasi megjithë përpjekjet e babait, ndarë nga jeta në 2021 dhe lutjet e nënës, ndarë nga jeta në 2014, nuk u mësua asgjë. Nëse kërkon në rregjistrat shqiptarë, në zyrat e gjëndjes civile apo lista votimi, emri i Sokol Mark Prendit, madje edhe numri personal është prezent, por askush nuk ka informacionin më të vogël mbi fatin e tij prej 29 vitesh.

Edhe pse pa asnjë shpresë, Gjovalini u bën apel miqve të Sokolit me të cilët udhëtonte ato ditë, të bëhen të gjallë, të thonë një fjalë mbi fatin e tij tashmë të kuptueshëm, por asnjëherë nuk do heqim dorë deri kur një ditë të kemi një varr ku mund ta qajmë, apo ti vendosim një tufë lule.

Nje nga kronikat televizive ne perpjekje per te mesuar mbi fatin e Sokol Mark Prendit;

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest