-Aleksandër NDOJA-
Në shumë raste më ka ndodhur të përcjell krijimtarinë, por edhe përkujdesjen monografike të “presorit”, siç jemi mësuar ta thërrasim ne të gjithë që e njohim, pra presor Ndue Gega. Natyrisht Ndue Gega nuk synon të “sifidojë” institucionet arkivore pasi si individ dhe intelektual ka dhënë një kontribut të çmuar në pushtetetin vendor, si prefekt, kryetar bashkie, por edhe si këshilltar në Kryeministri dhe në Ministrinë e Pushtetit Vendor, por puna e tij edhe sot në pension, ka një dimension të lartë në shërbimin qytetar e social..
E them këtë pasi çdo i interesuar, pa pasur nevojë të “klikojë” në sisteme elektronike për të bërë kërkesa apo për të pritur përgjigje, majfton të ketë në tavolinë disa botime të autorit në fjalë, dhe do të marrë informacione të rëndësishme për zhvillimet shumëkohore në Mirditë. Natyrisht kush është i interesuar të ketë informacion për hapat e parë të këtij qyteti, për banorët e parë që e themeluan atë dhe që i dhanë jetë, dritë apo frymë, për mësuesit dhe nxënësit ekselentë të Mirditës ndër vite, për familjet, fiset deri edhe për shërbëtorët në kulturë muzikë, miniera, arsim, kulturë etj, i duhet të marrë në dorë “free” shumë nga botimet që mbajnë autorësinë e Ndue Gegës si “Gjeografia e Mirditës”, “Fushë-Lumthi”, “Mirdita Etnologjike dhe Administrative”, “Gjimnazi i Rrëshenit-60 vite”, “Kodër Rrësheni”, “Gjeografi e Mirditës” etj.
Këtë rradhë Ndue Gega vjen me botimin e munguar në formatin e duhur deri tani, të titulluar “Volejbolli në Rrëshen”. Natyrisht kush e njeh sadopak Mirditën e din shumë mirë se është zonë primare në minierat e bakrit dhe të floririt, madje dhe për shumë arsye, primare dhe në ngjarje historike, që këtu nuk po i përsërisim. Por mbi të gjitha Mirdita do të mbahet mend gjatë për lojën e volejbollit, me një ekip elitë në dekada disa herë kampion të Shqipërisë, por për shumë kohë ishte dhe do jetë në sofrën elitare kombëtare, mbase sërish kampion.
Pikërisht për këtë arsye, Ndue Gega me botimin në fjalë ja ka dalë që me pendën e tij të spikatur dhe mendjen e hollë, të përmbledhë në 154 faqe botim emocione pafund, arritje, luftë e përpjekje të lojtareve dhe trainerëve ndër vite, por dhe brohoritje pafund të sportdashësit mirditas, që janë kampionë në llojin e tyre.
“Volejbolli në Rrëshen” një arkivë shumëdimensionale në duar të lexuesit.
Pikërisht sot në mesditë në një nga lokalet e qytetit, dhjetra lojtare ndër vite, disa prej tyre tashmë në pension sportiv, lojtare aktuale, drejtues të lartë të Federatës Shqiptare të Volejbollit, kryesuar nga presidenti Arlind Pëllumbi, ish traninerë dhe pothuaj të gjithë sponsorët ndër vite si Fran Kaçorri, Mark Gjonaj e më i suksesshmi Met Troplini, por dhe ish deputeti për disa legjislatura, i mirenjohur edhe si minister z. Ndre Legisi i cili pati ndikim te fortë ne percjelljen e disa fondve te rëndësishme nga Albtelecom, askokohe prone e shtetit shqiptar, por edhe kontributorë të tjerë dhe si promovues, si dhe disa sportdashës të spikatur, janë mbledhur për të promovuar botimin më të fundit të autorit, Ndue Gega, me titull “Volejbolli në Rrëshen”
Takimi festiv e promovues është hapur nga gazetari i mirënjohur sportiv Dëfrim Met’hasani i cili pasi ka bërë një përshkrim të shkurtër të ekipit elitë të “Minatorit” i ka kaluar fjalën autorit të librit z. Ndue Gega.
Më tej, ceremonia ka vijuar me disa çmime mirënjohje akorduar nga Federata Shqipëtare e Volejbollit, për disa emrat më të shquar dhe kontributor për volejbollin mirditas, çmime të cilat i dorëzuan presidenti Arlind Pëllumbi dhe sekretari Leonard Tase.
Në vijim, po nën moderimin e gazetarit Met’hasani kanë përshëndetur disa nga lojtaret ndër vite të “Minatorit” kontributi i së cilave ka qenë në nivele të jashtëzakonshme, pasi Mirditën dhe ekipin e saj të zemrës e kanë ngjitur në majat më të larta të volejbollit shqiptar.
Të pranishmit kanë kaluar disa orë festive në ambientet e lokalit ku i zhvillua ceremonia festive, për prezantimin e librit “Volejbolli në Rrëshen”, me autor profesor Ndue Gega.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”