Legjenda e Burrit të Dheut
Kushtuar: Legjendarit, Adem Jasharit
Burri i Dheut
1.
Shkruhet krijimi në librat e shenjtë,
“Bëhu” i tha Zoti kopështit Eden,
por s’i mjaftoi toka, qielli, lumenjtë,
çdo bimë, kafshë, peshk a shpend,
ndaj i dha frymë njeriut të shtrenjtë,
diku e gjejmë si Adam, diku si Adem.
2.
Ky njeri mbi të gjithë burrat ishte i pari,
më pas u krijua femra nga brinja mbi ijë,
mollën e ndaluar të tunduar nga djalli
e kafshuan dhe Edenin s’e pa më njeri.
Pas mijëra vitesh rilindi Ademi n’fis Jashari,
erdhi si Mesi’ të shlyente mallkimin e tij!
3.
Por Serpentesi Serbi zvarritej në Dardani,
një gjarpër gjigand që gjithë vrerin e zbraz
mbi shqiptarë të vjetër, mbi gra e fëmijë,
eksod, genocid, si Hitleri Aushvitcit me gaz.
Tha Ademi lindur bash në ditën për Pavarësi:
-Kam lindur në Prekaz e do vdes në Prekaz.
4.
Në këtë tokë ilire më rrjedh gjak pellazg,
gjak i popullit të parë që vetë Zoti e bekoi,
dhe Filistinët e lashtë rrjedhin nga ky asht,
jemi në këto troje që kur Perendia na krijoi,
babë, gjysh e stërgjysh banuan këtë rrafsh,
unë amanetin e tyre gjithë jetën do trashëgoj.
5.
E ti shkja mos ma quaj Dardaninë Kosovë!
A s’e di? A s’e di historinë që ka ky popull?
Prej nesh dolën plot dyzetë e dy perandorë,
që para Trojës kemi sunduar këndej rrotull,
vetë Homer e Herodot na quajtën “Hyjnorë”,
kem’ Gjergj Kastriot Skënderbe e Çerçiz Topull.
6.
Palcën tonë ky gadishull thellë e ka në gjenezë,
ia gjen në kulturë, traditë, e gjer në çdo gjen,
a s’përdoret kudo fjala shqipe, fjala “Besë”?
Betohem se rrënjën e gjen dhe në Betlehem!
Sa historianë po na quajnë “Populli Vezë”?
O gjarpër besëprerë, mjaft na hodhe helm!
ii. Dhurata e Ditëlindjes
7.
Por kjo nëpërkë tinëzare zvarrë derë më derë
duke ngjitur mishit të pastër dhëmbët e zinj
këtë tokë pjellore shpejt shndërroi skëterrë,
kafshoi qindra fëmijë të pambrojtur, kërthinj,
përdhunoi, burgosi e zhduku mijëra të tjerë,
hektarë ara shfarosi, i mbushi me varre të rinj.
8.
“Eh Europa, kurva e motit” mbyll sytë para Zotit,
Shqiptarinë dikur desh e zhduku krejt nga harta,
tani s’bëzanë para botës, para kombeve e globit
kur kjo tokë përflaket e digjet si një dorë shkarpa.
Vëlla Hamëz Jashari po jep intervistë si robi robit:
-Do vinë, ne s’ikim, do i presim, me hunj e sëpata!
9.
Çohet Ademi, ky bir mësonjësi, arsimtari,
një burrë krenar i formuar e me plot bindje,
e thërret në kushtrim çdo shtëpi shqiptari,
u thotë a e dini pse ju thirra në këtë vigjilje?
Nëntori tani erdhi, bora shumëkund zbardhi,
a e dini çfarë dua të më sillni për ditëlindje?!..
10.
Heshtën shokët e shikuan shoqi-shoqin,
përjashta gjarpri serb po mbillte varre,
shakanë kokës mjekroshe s’po ia shkoqin,
a vërtetë kërkonte një kremtim e dajre?!
Mandej dëgjojnë dëshirën në të moçmin:
“Për ditëlindje dua një Ushtri Çlirimtare!
11.
Boll duruam vrasje, dhunime e sa zjarre,
boll duruam në qafë zinxhirët e robërisë,
boll duruam që në trojet tona shqiptare
të zhgërryhen bij këlyshësh të pabesisë,
boll duruam maska e masakra gjakatare,
tash do vendosim vetë vulën e drejtësisë.”
12.
Shpjegimi i mësimit mu përgjysmë ngeci,
shkolla na e dha të parin kurban theror,
nxënësit shpëtuan, jo arsimtari Halit Geci,
mijëra vetë në ceremonialin masiv mortor,
Ushtria Çlirimtare haptazi uniformën veshi,
Ademi për ditëlindje varros një dëshmor.
iii. Kënga e Kullës
13.
Tashmë s’kishte më kthim pas, lufta ishte afër,
Jasharajt mblodhën të shtrenjtat gra shkreta
për t’u shprehur një lamtumirë fort të ashpër:
“Tani jeni të lira, shkoni se këtu ju pret vdekja!”
Ato njëzëri u gjegjën “S’e duam atë jetë varfër,
pa burrat e fëmijët, as ne s’do na duhet jeta!”
14.
Hyri Marsi e Pranvera s’po don me ardhë,
Ademi me Hamzën i bien çiftelisë sipër gjurit,
këngën më të këndshme këndojnë me ngadalë,
ritmi ua ngacmon grykët e pushkëve varur murit.
Një krismë i ndërpret, dëgjohet tej në mëhallë,
pushkë shkjau, por s’e shkëput këngën e burrit!
15.
Breshëri plumbash përmbi ta bienë,
ata me tanqe, këta me automatikë,
por kullave lufta nuk ua prish harenë,
kumbueshëm e bujshëm bulçasin bulçitë:
“Për Mëëë-mëdhenë, për Mëëë-mëdhenë,
vrapooo-ni buu-rra, se s’kaa me prii-të!…”
16.
Gratë shumë shpejt i përmbushin karikatorët,
fluturojnë si skifterë, i transportojnë fëmitë,
orvaten nëpër shtëpi, po përshpejtojnë orët,
gëzhojat, bombat e topat zhurmojnë muzikë,
por këngën s’e ndalin batalionet e as taborët…
“Përreee-th flamuuu-rit, të kuuuq që u ngriiit!”
17.
Femrat porsi amazonat e bekuara prej perendive,
me Hipolitën Nënë Loke, Teutë kohrash të lashta,
frymën e fundit e japin, e firojnë përpara fëmive,
përkrah trimave sypatrembur që pat veç Sparta,
dihasin barutin epik përgjatë dy netëve e tri ditve,
prej tyre si Ortriad tragjik mbijetoi vetëm BESARTA.
18.
Të tjerët martirë, të rënë si trojanët mbi trojet e veta,
mes tyre dhe Komandanti Legjendar e Burri i Dheut,
pesëdhjetë e gjashtë anëtarë kundrejt rreth 7000 veta,
mbi treqind pranohet se vranë, luftë heroike si e Tezeut.
Do kujtohet ndër luftëra të pabarabarta e të padrejta
Adem Jashari, Biri i Tokës, që ia dha jetën Mëmëdheut.
Andris Lleskai
Hipolita- mbretëresha e amazonave, femrat mitike luftëtare që jetonin në matriarkalitet.
Ortriadi- i vetmi i mbejetuar nga 300 luftëtarët spartanë në Termopile. Vrau veten pa hyrë në qytetin e Spartës nga turpi që nuk vdiç me luftëtarët e tjerë, sapo i dha lajmin një bujku spartanas.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

