“Një banor i Kodër-Rrëshenit, ankohej se gjatë verës po i thahej ara për ujë, se mullini i atyshëm bluante pa ndalesë edhe kur ishte thatësirë e madhe. I zoti i arës kërkoi pleq të njohur të së drejtës zakonore, të pleqnonin.
U mblodhën pleqtë. Ndue. Ll. Prenga i Kthellës tha që të shkonin te mullini e ta shihnin aty mullinin e vin e ujit.
Ndue. Ll. Prenga i tha mullisit të lëshonte mullinin. Mullisi e lëshoi pak dhe e ndali. Po Ndoj i tha ta lëshonte e të mos ndalte. Mullisi u përgjigj: ‘Po mullini n’t’thatë pa kokrra nuk bluen’.
Kaq ju desh Ndues, i cili ja ktheu: ‘Po kokrrat janë ke ara. Ene ti arën e ke lanë n’t’thatë. Pra kokrrat duen ujë, e mullini do kokrra’. Ju kthye pleqve duke u thanë se pleqninë e bani vetë mullisi, i cili tha se mullini pa kokrra nuk bluan. Pleqtë pleqnuan për të mos e lanë arën pa ujitje gjatë verës.”
****
Për t’u kujtuar Institucioneve tona, që marrin vendime arbitrare, rëndësinë e jashtëzakonshme që ka uji ndër fshatrat tona, por edhe “peshoren e pleqnisë” së burrave të Dheut!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”