Në vijim të edicionit të 7-të të “Ditëve të Kujtesës”, ideuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Skënder Durmishi zhvilloi vizitë një ditore në zonën e Mirditës. Qëllimi i kësaj vizite ishte per te parë nga afër ambientet ku gjatë mizorive të ushtrisë serbe, në pranverën e vitit 1999 u strehuan mijëra refugjatë të luftës, të detyruarar me forcën e armëve për të braktisur trojet e tyre.
Në vizitën në ambientet e ish-burgut të Spaçit, ku sëshpejti pritet të përkujtohet 50 vjetori i revoltës së këtij burgu, pasi me 23 maj 1973 u arrit të ngrihet flamuri pa yll, ndërsa brenda këtij burgu kanë vuajtur dhjetra të dënuar nga Kosova, Ambasadori Skënder Durmishi dha një prononcim për pirustinews.com.
Një vizitë njohëse u bë edhe në ambientet e Pallatit të Sportit “Ariana Arapi” ambiente tashmë të transformuara nga koha kur mijëra kosovarë u strehuan madje shërbeu edhe si qendër pritëse e shpërndarje për në familjet e ndryshme në Mirditë.
Në këto ambiente Ambasadori i Republikës së Kosovës z. Skender Durmishi u prit nga stafi i kësaj qendre sportive, ku u njoh me aktivitetin disamujor në shërbim të qytetarëve të Kosovës gjatë vitit 1999, por edhe me punën dhe arritjet e sportit të volejbollit në Mirditë.
Vizita njohëse u realizuan edhe në Muzeun Historik të Mirditës ku ambasadori Durmishi vendosi një tufë me lule në nderim të veprës së “Mësuesit të Popullit” Ndrec Ndue Gjoka i cili për shumë vite ka shërbyer edhe në Kosovë si mësues kryesisht në zonën e Gjakovës, ndërsa një tufë me lule u vendos edhe në bustin e Anton Çetës, në qytetin e Rrëshenit. Vizitat vijuan me shëtitje në këmbë në disa institucione të tjera, ku u strehuan dhe u trajtuan shtetasit e Kosovës gjatë luftës, si Pallati i Kulturës, Kopshti dhe Çerdhja e fëmijëve, por u njoh dhe me disa banesa të qytetarëve të Rrëshenit ku janë strehuar shtetas të Kosovës nëpër familjet e tyre. Një speciale e detajuar mbi pritjen e shqiptarëve të Kosovës në Mirditë:
Si i priti Mirdita qytetarët e Kosovës gjatë eksodit biblik, 22 vite më pare. Emra, ngjarje dhe data
Pas njohjes me historikun dhe objektet e sipërcituara, Ambasadori i Republikës u prit nga Kryetari i Bashkisë z. Ndrec DEDAJ dhe n/Kryetarja znj. Vitore Gjini. Pas shkëmbimeve korteziale, ambasadori Durmishi i tha kryetarit Dedaj se ndjehet shumë falenderues në emër të gjithë bashkëqytetarëve të tij dardanas, për pritjen e paharrueshme që mirditasit ju rezervuan atyre, në ditët më të vështira.
Një pritje e ngrohtë Ambasadorit Durmishi ju rezervua edhe nga komuniteti i artistëve të mirënjohur mirditas, organizuar nga Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”. Akademia “Mirdita” në kuadër të bashkëpunimit më të hershëm më ambasadorin Durmishi, kishte rezervuar një çmim vlerësues.
Z. Ambasador mbajti një fjalë përshëndetëse para pjesëmarrësve. Kronika në vazhdim:
Vizita në Info-Kulla, ishte mjaft mbresëlënëse për ambasadorin. Aty u prit nga drejtuesi i kësaj qendre historike e etnokulturore z. Nik Nikolli. Z. Durmishi kaloi nëpër të gjitha stendat informuese, realizuar me mjaft përkushtim nga humanistja austriake Mariane Graff, me një aktivitet të gjerë si në Shqipërinë e veriut dhe në Kosovë.
Dita informuese në kuadër të “Ditëve të Kujtesës” u mbyll me një vizitë në një kullë historike “Monument Kulture” në Kodër Spaç të Mirditës, ku dokumentat e kohës tregojnë se ka qënë kullë pritëse për Hasan Prishtinën, por edhe drejtues të tjerë të lëvizjeve historike ndër shekuj. Aty ambasadori u prit dhe u informua nga i zoti i kësaj kulle Zef Ndoci.
Përgatiti: Aleksandër NDOJA, Mirditë 02.03.2023

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”