Nga Nok Mrrku, mësues dhe drejtues ndër vite i pushtetit vendor.
Edhe pse kanë kaluar afër katër dekada nga koha kur ata janë larguar nga Perlati, të gjithë ata që i njohën për kohën kur shërbyen, i mbajnë mend dhe flasin me detaje për to. Kjo ndodh zakonisht vetëm për ata njerëz që lënë më shumë gjurmë në kujtesë, duke i skalit aty përgjithmonë.
Janë ata që me punën në profesionin e tyre u evidentuan dhe lanë emër të pashlyer në kujtesën e njerëzve. Janë ata që u bënë çelësi i dijes si në arsim, shëndetësi dhe bujqësi për të gjithë banoret e zonës. Janë ata që u bënë referencë jo vetëm në komunitetin ku ata punonin, por për mbarë komunitetin e zonës. Janë ata që krahas shkëlqimit në profesion, rrezatuan qartazi kulturën qytetare duke e manifestuar atë në sjellje, në komunikim, në veshje, në edukatën e punës, si zyrtar, si profesionist, si transmetues të këtyre vlerave tek të gjithë njerëzit dhe veçanërisht tek brezi më i rinj.
Kur mendoj sot për të gjitha privimet që ata i patën në jetë deri në fillimin e viteve ’90 – të, të dhimbsen edhe ndjen keqardhje edhe pse kjo u ka ndodhur ka vite. Të vetmit përfitues nga kjo dramë qenë populli i Perlatit, të cilit u erdhi si një fat për të patur për disa vite në gjirin e tyre intelektualë shumë të ditur e fisnikë. Për to ata kanë mbetur legjendë.
Të mendosh si erdhën ato në Perlat, ku secili në profesionin e tyre do të nderonte padyshim çdo institucion qendror të vendit për kohën, shpjegimi është i thjeshtë:
Ata që regjimi i shikonte pak si me hije, degdiseshin në provinca të largëta me emërime të përcaktuara për t’i shërbyer Atdheu, ku ai kishte më shumë nevojë.
Pikërisht në këtë mënyrë ata u gjenden në këtë fshat nga mesi i viteve ’70 dhe për disa vite në vazhdim në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Për këta, ka qënë fatkeqësi, izolim, përbuzje ndaj dijeve dhe për atë se çfarë përfaqësonin dhe kush ishin në zanat.
Të gjithë ata që e mbajnë mend atë periudhë, pa shtuar asgjë, tabllo e jetës pak a shumë ishte kjo:
Rrugë me baltë, mungesë uji, mungesë dritash, transport publik inekzistent, mungesë ushqimesh, mungesë komunikimi, të gjitha ditët e javës të zëna me punë dhe aksione të motivuara të kohës. Nuk ekzistone kohë e lirë për familjen, për gëzime dhe për nevoja jetike të domosdoshme. Nuk flitej për të drejta, kudo do jepje llogari dhe do përgjigjeshe për realizimin e detyrave që ngarkonte Partia.
Këtë gjë e dinë shumica e njerzëve, me perjashtim të atyre që janë më poshtë se dyzet vjeç, por e solla në vemëndje për të gjykuar se si këto ia kanë dalë të përballojnë këtë gjendje e më në fund të mbetën njerëzit më të respektuar e më të artë, në këto pesëdhjetë vitet e fundit për këtë zonë.
Por, formimi që ata kishin dhe aftësitë drejtuese me një art komunikimi për t’u patur zili, domosdo do bëntë të mundur që ata t’ia dilnin kësaj situate të krijuar në jetën e tyre.
Po pse mbetën legjende çdonjëri prej tyre?
–Ariana Qatipi-
E diplomuar në shkenca politike – gazetari në vitin 1975, kishte ushtruar profesionin e gazetares dhe të spikerit në televizionin shqiptar (RTSH) për disa kohë me profesionalizëm e pasion të admirueshëm duke u bërë një emër mjaft i njohur për publikun shqiptar. Por, pas masës së dënimit të të atit, siç ai sistem praktikonte për të gjithë ata njerëz që nuk i bindeshin verbërisht, në Perlat erdhi pasi kishte qëndruar tre vite në Kullaxhi, fillimisht në shtëpinë e kultures për disa muaj dhe pastaj Drejtoreshë e Shkollës së Mesme Perlat. Përkushtimi dhe pasioni në kryerjen e detyrës, arti i komunikimit, deri në prefeksion si dhe vendosja e barazisë për të gjithë anëtaret e kolektivit, shumë shpejt e bënë një emër të admirueshëm, jo vetëm në kolektivin e mësuesve por edhe për nxënësit dhe komunitetin e prindërve.
Autoriteti i saj u rrit natyrshëm dhe mori dimensione të gjithëanëshme, duke u bërë një drejtuese e spikatur. Nën drejtimin e saj shkolla mori fizionominë e një institucioni serioz në misionin që i përkiste. Mësuesit morën impenjimin maksimal, shkolla me profil bujqësor u angazhua në punën kërkimore dhe të eksperimentimit shkencor duke qënë e lidhur drejtpërdrejt me institucionet shkencore të vendit siç ishin: Instituti i misrit, instituti i grurit, instituti i foragjereve.
Në vitin 1983 u shpall shkolla më e mirë në rreth duke fituar flamurin për arritje mësimore dhe punën kërkimore eksperimentale. Pas tre vite me nxënësit e matures u mbrojten për herë të parë tema diplome në lëndët profesionale, duke shënuar kulmin e besueshmërisë për një shkollë nga institucioni më i lartë Ministria e Arsimit.
Shkolla bëri hapa të avancuar në aksionet kombëtare të asaj periudhe siç ishin: ndërtimi i kabineteve të kimisë, fizikes dhe të lëndëve profesionale dhe më vonë në aksionin për një të mësuar aktiv e krijues për të cilat ka patur mjaft vlerësime.
Në gjithçka ndjehej dora dhe kontributi i saj. Tani pranohej nga të gjithë që shkolla dhe Arjana ishin kthyer në një binom të pandarë. Sot, ajo është bërë pjesë e historikut të 105 viteve të kësaj shkolle dhe pikërisht në sajë të arritjeve të sukseshme në periudhën në të cilën drejtoi për gati një dekadë.
Atë e kujtojnë me shumë krenari e mirënjohje nxënësit e saj duke sjellë episode, arritje dhe duke ndjerë kurdoherë doren e saj të ngrohtë. Padyshim periudha që drejtoi mbetet më e arta dhe më përfaqësuesja, që ka arritur ndonjëherë ky institucion.
Me bindje mund të shprehim se ajo bashkë me stafin pedagogjik hodhi themelet e shkollës së mesme mbi baza pedagogjiko – shkencore.
Janë me dhjetëra kuadro të përgatitur nga kjo shkollë që kanë mbaruar universitete në degë të ndryshme, të cilët tregojnë dhe japin vlerësimet maksimale duke ja adresuar drejtimit, kërkesës dhe përkushtimit kësaj drejtuesje arritjet dhe sukseset në Universitete. Janë këto disa nga dhjetëra shembuj të cilët e portretizojnë lart figuren e saj.
Ajo nuk mjaftohej vetëm me detyren si drejtuese, por edukimin dhe misionin i vazhdonte me nxënësit dhe me prindërit edhe pas mësimit duke u afruar asistencë nga pedagogjia e edukimit edhe si qytetarë të së ardhmes.
Ajo u mësoi si të vishen, si të gatuanin, si të hekurosnin, si të qendronin në mjedise shkollore e jashtë saj dhe se si do jenë familjarë të denjë të shoqerisë nesër.
Reflektimi i kësaj pune u vëre shpejt, në emancipimin, veçanërisht të vajzave për t’u integruar sa më shumë me jetën dhe kulturën e bashkëmoshatarëve të tyre në qytet. Prandaj, emri i saj për arsimin mbetet legjendë për komunitetin e zonës dhe Mirditës.
-Doktori Ylli Xhagjika–
Ishte kandidat i shkencave, i diplomuar për mjekësi në ish – Bashkimin Sovjetik, një student ekselent, do të niste edhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet ’50 kur sapo ai ishte hapur. Por, rritja e tij në profesion dhe autoriteti natyror po bënin që ai të dallohej plotësisht nga kolegët e tij.
Ky sukses kaq i shpejtë dhe mjaft evident po ngjallte njëfarë egozimi profesional. Por, fatkeqësisht në këtë fillim karriere brilante i dënojnë vëllain e tij me vdekje në gjyqet e stisura për kundërshtaret e regjimit e të sajuara nga sigurimi hoxhist. Nuk do të mjaftonte kjo, ndaj shpejt do të dënohej edhe vete Ylli Xhagjika, tashmë si një njeri i përndjekur i regjimit dhe kundërshtar i hapur i tij.
Erdhi një kohë dhe përfundon mjek në Mirditë. Me emërim të Komitetit Ekzekutiv caktohet në Perlat, ku qëndroi disa vite si mjek në Qendren Shëndetësore. Për doktorin ky ishte nje dënim tjetër. Para pak vitesh kishte krijuar familje në kohën kur ishte në Rrëshen dhe tani i caktojnë një dhomë barake në Perlat, që 24 orë të ishte në shërbim të komunitetit. Pas shumë përpjekjesh krijoi mundësinë që të lëvizte me autobuzin që sillte punëtoret tek miniera në Perlat me nje orar shumë të pa përshtatshëm dhe kjo levizje ishte për 1 – 2 herë në javë. Pasi ishte detyruar të ishte në shërbim 24 orë edhe për faktin se në atë kohë këtë Qendrën Shëndetësore në kundërshtim me çdo rregull, e kishin detyruar të priste lindjet e fëmijëve. Imagjinoni kur nuk kishte gjineokolog as personel të specializuar se çfarë mund të ndodhte. Por gjithsesi një mjek si ky që profesionin e kishte të shenjtë dhe me shumë njohuri, ai do t’ia dilte me sukses.
Si drejtues i Qendres Shëndetësore ai e vendosi atë në rregulla me dokumentacion perfekt që ruante informacion të plotë mbi gjendjen shëndetësore të komunitetit. Kishte regjister të saktë të lindjeve, të vdekshmërisë, të vaksinimit, kartelizim të pacienteve, të sëmundshmërive më të përhapura, të gjendjes së higjenes së institucioneve shtetërore si kopshte, shkolla dhe të familjeve të fshatit.
Ai insistone me forcë për t’i mbajtur nën kontroll të plotë në çdo moment. Ai kërkonte që personeli shëndetësor, infermier, mamie, ndihmës mjek të vetëkualifikoheshin dhe ai vetë demonstronte dhe jepte asistencë të pandërprerë për kualifikimin e tyre.
Ishte meritë e tij që personeli rriti ndjeshëm profesionalizmin dhe u mirë orientua në menaxhimin e shërbimit ndaj komunitetit. Me profesionalizimin e tij dhe përkushtimin që ai e kishte rrënjosur në ndërgjegje për profesionin sipas betimit të Hipokratit, ai kontriboi për dhjetëra pacient në diagnostifikimin dhe kurimin e tyre. Ai tani ishte kthyer në një njeri shpëtimtar për shëndetligët dhe ata që vuanin nga sëmundjet kronike.
Ishte shpresa e vetme për t’i mbajtur ata në jetë. Mëgjithëse kanë kaluar më shumë se tre dekada nga koha kur ai është larguar nga fshati Perlat dhe fatkeqësisht ai nuk jeton më, banorët e zonës akoma e kanë të kristalizuar në kujtesë mjekun e tyre të atyre viteve, shërbimin që u ka bërë dhe akoma nuk e ka zënë vendin e tij askush tjetër.
Kjo shpreh me vërtetësi atë që profesionistët e spikatur dhe të devotshëm nuk vdesin kurrë pasi ato ruhen gjatë në kujtesë, për devotshmërin e tyre. I tillë mbetet Doktor Ylli Xhagjika. Respekt pa kufi punës dhe vepres së tij mjekësore.
-Kryeagronomi dhe Specialisti i Bujqësisë, Nofo Rrapi-
Nofo Rrapi vjen në Mirditë pas përfundimit të Universitetit Bujqësor në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Ne kemi mësuar vonë se për arritjet e rezultateve të shkëlqyera kishin vendosur t’a mbanin Pedagog në Universitet, por siç dihet atëherë do t’a shprehte partia pëlqimin. Me sa mësuam atëherë ishte një cen në biografi që nuk ia jepte këtë mundësi. Për disa kohë ishte caktuar agronom në Rrëshen dhe më vonë nga mesi i viteve ’70 e për gati 10 vjet u caktua në Kooperativen Bujqësore Perlat si Kryeagronom. Prezenca e tij, autoriteti, mënyra si ecte, si vishej, si qëndronte dhe si komunikonte të impononte admirim. Mua m’u dha fati t’a njihja nga afër, jo vetëm se ishte në fshatin tim agronom por ai jepte lëndë të profilit bujqësor në Shkollen e Mesme në të cilën isha drejtues dhe mësues.
Në çdo drejtim ai rrezatonte kulturë dhe dije e thënë shkurt të imponohej për t’a respektuar. E ndiqnim në orë mësimi, ai tejkalonte njohuritë që përmbanin tekstet shkollore dhe komunikonte perfekt me nxënësit në shpjegimin që bëntë.
Por detyra kryesore që kishte si Kryeagronom në një Kooperative të madhe me sfidat e mëdha që sillte bujqësia për të gjithë kuadrat e saj dhe konkretisht edhe për këtë vetë, nuk ishin të lehta. Niveli i përgatitjes dhe aftësitë organizative e drejtuese nuk ishin plotësisht ato që të mjaftonin që të ishe në rregull me detyrën. Ajo kërkonte prodhime të grurit, misrit, foragjere, perime, qumësht etj, pra, kërkontë atë që jo të gjitha i sillte përgatitje e Kryeagronomit. Dihet se toka që të punohej kërkonte mjetet bujqësore si traktor, zetor, karburant.
Që të arrije prodhime me rendimente të larta duheshin plehra kimike, fuqi punëtore e kualifikuar dhe e mjaftueshme, duhej motivim për të punuar etj etj.
Kjo detyrë ishte shumë delikate dhe më shumë zgjuarsi duhej shpërndarë përgjegjësia dhe duheshin koordinuar të gjitha zyrat e drejtimit të Kooperatives Bujqësore. Kjo dihet se jo gjithmonë të del siç e planifikon e i kryen shërbimet, pasi ka edhe faktorë të tjerë siç janë faktorët atmosferik, sëmundjet dhe dëmtuesit bujqësor etj. Për këtë vlen të veçojmë se si arriti të spikasë dhe të krijojë profilin me integritet të lartë ky agronom.
Vetëm meritat e tij që i dedikohen përgatitjes profesionale si dhe vlerësimi ndaj detyres, puna në grup e stafit specialist nën drejtimin e tij, kërkesa unike në realizimin e objektivave të prodhimit janë çelesi i suksesit. Ai organizoi një degë prodhimi efiçente dhe nën drejtimin e tij ata u bënë specialistë të aftë.
Ai ishte shumë insistues në kualifikimin e kuadrit brigadier dhe punëtorit të thjeshtë të prodhimit. Janë ata që u përgatiten në ato vite, të cilët edhe sot ruajnë dhe trashëgojnë njohuritë dhe prakticitetin e profesionit të specialistit të bujqësisë të marra që atëherë.
Të gjithë tregojnë akoma dhe sot se po të punojë 2 – 3 vite me agronom Nofon e ke marrë fakultetin e agronomisë pa frikë.
Këto janë njerëzit e rrallë që lënë gjurmë në zanatin dhe punën që kryejnë. Në çdo kohë ka njerëz të tillë, por janë pak. Ndaj populli ka një shprehje: E keqja e njerëzëve të mirë është se takohen rrallë. E them plot bindje njerëz (specialistë) si Nofo Rrapi takon rrallë e shumë rrallë. Ai nuk jeton më, por emri i tij mbetet shumë i lakuar në komunitetin e zonës Perlat.
Të tre këto personalitete ishin model i sakrificës njerëzore, të pa përkulur përpara vështirësive dhe presioneve, qenë ngadhnjimtar ndaj sfidave të kohës së tyre. Nga shembulli i tyre mund të mësohet kurdoherë e kushdo, por veçanërisht brezi më i rinj. Unë e ndjeva si detyrim të brendshëm të vetës time për t’ia sjellë në kujtesë komunitetit të zonës tek i cili kanë lënë mbresa të pashlyera duke mbetur emra legjendë.
Me perulje dhe respekt ndaj punës dhe vepres tyre, duke u mbetur përherë mirënjohës, e përcjellim me këtë dedikim të shkurtër:
Në gjurmët e tua duke kërkuar;
Të qenësishmet vlera ne zbuluam;
Si profetët për jetën n’a mësuat;
Borxhli u mbetemi, emrin në shekuj s’ua shuajmë.
Nok Mrruku

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”