Për vend-origjinën e Kastriotëve, ashtu si dhe për gjithshka tjetër rreth tyre, filloi të flitej hapur, vetëm pas rënies së sistemit komunist. Përveç Dibrës, përfolur disi asokohe, u shfaqën si pretendues të saj dhe Mati me Hasin. Për Mirditën, si pretenduesja më e natyrshme, falë dhjetra arsyeve të qënësishme, askush nuk kishte folur. I pari dhe i vetmi mbrojtës për të, u bë dhe vazhdon të mbetet, studiuesi Preng C. Lleshi.
Është e pamundur që brenda një shkrimi, të mund të sjellësh të gjithë argumentet që autori ka përmbledhur në këtë libër, në shërbim të mbrojtje së origjinës mirditore të Kastriotëve. Si bashkpunëtori më i afërt i tij, do mundohem të përzgjedh e rendis në mënyrë sa më logjike, disa nga faktet më pikante dhe më me peshë që na paraqet ai.
Sëpari, në bazë të të dhënave historike, ne duhet të argumentojmë se, ku i patën zotërimet e tyre ky fis i lavdishëm, pasi logjikisht, duhet të pranojmë se ato mbajnë dhe peshën kryesore, jo vetëm për origjinën e Kastriotëve, por dhe të çdo njeriu apo fisi.
Historianët thonë, se për të dale në një konkluzion të drejtë dhe të besueshëm, duhen jo më pak se tre referenca që konvergojnë mes tyre. Në këtë hulli fatmirësisht, ne na vijnë në ndihmë dy letra të Gjon Kastriotit, që japin informacion të drejpërdrejtë mbi territoret që ai zotëronte, si dhe një dokument ku flitet për ndarje të pronës midis tij dhe të bijëve. Të tre këto dokumenta tashmë njihen nga studiusit e historianët, ndaj më duhet sa më shkurt të bëj vetëm përshkrimin e tyre.
Në revistën “Hylli i Dritës” 5-6, maj –qershor 1940, gjendet një shkrim i At Gjon Shllakut, që duke mbështetur në të dhënat që historiani çek Kostandin Jeriçek ka gjetur në arkivat sllave e ato të Aragonës, sjellin informacion mjaft të rëndësishëm historik mbi Kastriotët. Me interes për ne është letra e Gjon Kastriotit drejtuar tregtarëve raguzianë ku shkruhet; “Unë zotni Gjoni, ap besën në emnin tem e të bijëve të mij, që çdo tregtari të Republikës së qytetit të Raguzës që ka me dashtë të baje tregti, apo me kalue nëpër shtetin tem për në tokë e Gjergjit apo Despotit, kështu që po u ap besën që por sa të të vijnë në tokën teme në Shufadajë, po bani me u ndodhë gja e keqe deri në Prizren, unë me bijtë e mi kemi me i shpërbly.” ( publikuar nga Lin Kiku )
Shufandaja sipas studiuesve, ndodhej diku në grykderdhjen e Matit. Midis këtyre dy përcaktimeve gjeografike, në perendim Shufadaja e në verilindje Prizereni, edhe pas coptimeve të shumta administrative në kohë, pjesën më të madhe të territoreve e përfshijnë kufinjtë e Mirditës së sotme.
Në letrën tjetër, Gjon Kastrioti i ankohet papatit për Peshkopin e Lezhës, pasi ai kërkonte ti rrëmbente 12 kisha, kur ato…” prej 800 vjetësh ndodhen në trojet e mia.” Sipas studiuesve, ndërmjet tyre dhe Aleksandër Meksi, kishat në fjalë rezultojnë të jenë pikërisht mbi ato territore që Gjon Kastrioti i pretendon si të tijat në letrën e parë, pra nga Shufadaja deri në Prizren.
Në dokumentin ku thuhet se, Gjon Kastrioti ndau zotërimet me të bijtë, Gjergji rezulton të ketë marrë ato troje që shtriheshin, nga Lezha e deri në luginën e Matit që nëpërmjet të dhënave historike, lidhen dhe me emrin e Jonimëve, që i patën zotëruar vetëm përkohësisht ato, pas shpronësimeve që Balshajt u bënë Dukagjinëve dhe Kastriotëve. Shpronësimi i tyre, sipas një shkrimi të botuar nga “Hylli i Dritës”me autor pader Marin Sirdanin, mbart dhe të dhëna të rëndësishme për tezën që po mbrojmë, ndaj po sjell për lexuesin një pasazh të shkurtër prej saj.
“Pengimet që i nxorrën princa shqiptarë, për të mos u bërë kjo perandori, nuk mjaftuan, e për këtë arsye, Kostandin Kastrioti, princ i Matit dhe i Kastris( Mirditë) e Prodan Dukagjini, princ i krahinës së Lezhës, qenë përzënë prej Balshajve duke zënë vend në Vlorë. Prodan Dukagjini u emërua Vojvodë i Vlorës prej princit bullgar Aleksandër Komnen Asenit, e Kostandin Kastrioti, Kapidan i Kaninës.”Sipas Sirdanit ata në vitin 1385, gjenden sërisht fuqiplotë në zotërimet e tyre, por se si mundën të rikthehen, dhe pse e arsyeton, detyrohet të pranojë se e vërteta nuk dihet saktësisht. ( publikuar nga Lin Kiku )
Nuk duhet harruar të theksojmë se, në traditën e mirditasve, të trashëguar deri në kohët tona, trojet e vjetra të familjes, ku ishte dhe shtëpia e babait, i jepeshin gjithnjë djalit më të vogël, dhe besojmë ato troje, Gjergji nuk i mori rastësisht, por se ishte dhe më i vogli mes djemve të Gjonit.
Duke qënë se tre dokumentat e sipërcituar konvergojnë njëri me tjetrin për nga informacioni që japin mbi zotërimet e Kastriotëve, ndoshta do dukej mjaftueshëm dhe kaq. Por duke ditur peshën që mbartin ato për çështjen që po trajtojmë, apo tezën që mbrojmë, na duhet ta bëjmë sa më të plotë tabllonë e tyre duke sjellur dhe disa dëshmi të tjera nga historianë të ndryshem,vendas dhe të huaj.
Fan Noli shkruan; “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti por Barleti s’ua përmend emrat duke i përfshirë në emërtimin e përgjithshëm Aemathia.” Akademiku Aleks Buda ka pohuar;”Sipas të dhënave të një marveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420),tokat që u përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perendim, nga bregdeti, në rrethinat e qytetit të Lezhës, dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit,d.m.th. përfshinin trevën në jug të Drinit, Mirditën dhe Lumën.” Historiani francez Sergei Me’tais shkruan;”Në fillim të shekullit të XV, Gjon Kastrioti ishte një prej feudalëve më të mëdhenj shqiptarë. Zotërimet e tij shtriheshin në Veriun e Shqipërisë së sotme, deri në krahinat e Dibrës dhe të Prizrenit.” Historiani tjetër francez Zhan Dysylje pohon se;”Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër.” Historiani turk Halil Inalçik dëshmon se;”Në maj të vitit 1438, nëntë katunde nga vilajeti i Dhimitër Jonimës,që i përkisnin Skënderbeut, i ishin dhënë Andrea Karlos,”dhe shton më tej duke sqaruar se;”Nëntë katundet në fjalë janë troje që i përkisnin babait të Skënderbeut.” Duhet të sqarojmë, se zotërimet që njihen dhe me emrin e Jonimëve, fillonin nga Lezha e përfundonin në lumin Mat, duke u shtrirë deri në Rrëshen, qendër administrative e Mirditës së sotme.
Duke qënë se, për historinë e kryeheroit tonë, referencat janë marrë dhe vazhdojnë merren kryesisht nga Barleti, do desha të ndaloj pak në deshminë që ai ka dhënë mbi origjinën e tij. Ai pohon fare shkurt se ishte nga një fshat i Aemathias, që ne apriori e njësojmë me Matin e sotëm. Por sa e vërtetë është dëshmia e tij? Besoj se nuk ka gabuar. Pse?! Mjafton vetëm ti referohemi të dhënave që na bien një mjaft historianë të mëpasshëm për to.
Historiani Jakob Fallmerayer pohon se;”Kufijtë e kësaj krahine të Kastriotëve, Mat ose Matja janë, në perendim, deti Adriatik, nga Durësi në Lezhë, në veri, Drini, në jug, mali Gerabi (Krraba), në afërsi të Elbasanit, dhe në lindje, territori i burimeve të Fandit të madh dhe degëve të tij. Vendi dhe rrjedha e ujit, priren në drejtim të detit, ku ndërmjet Lezhës dhe Durrësit, derdhet Mati. Kjo Aemathia e Barletit, ka qënë për dijetarët e kohë së vonë, një burim gabimesh gjeografike të një lloji që prishin punë, sepse kjo fjalë të shtyn të mendosh për krahinën mitike Emathia (më vonë Maqedonia).”
Akademiku Kasem Biçoku, në librin e tij, “Toponime Mesjetare” shkruan; “Makrotoponimi mesjetar Matja, në trajtën e emërtimit antik Aemathia është përdorur disa herë prej Barletit te “Historia e Skënderbeut”. Makrotoponimin Matja, Barleti e ka dhënë me shtrirje gjeografike shumë më të madhe se krahina e sotme. Ai ka rrëfyer se, krahas Stelushit dhe Gurit të Bardhë, që janë në Matin e sotëm, në Matjen mesjetare përfshiheshin dhe Kruja, Ujbardha pranë Mamurrasit, dhe të gjitha fushat bregdetare nga Lezha në Krujë. Edhe Martin Segoni e ka dhënë Matjen mesjetare me shtrirje shumë të gjërë dhe Lezhën pjesë të saj.”
Biçoku thekson dhe një fakt tjetër rreth territoreve me emrin Matja. “Shtrirjen e Matjes deri në Lezhë e pasqyrojë dhe dokumente të kohë së Skënderbeut. Në një letër të qeveritarit venecian të Durrësit, Mark Diedo, të shkruar më 31 Korrik 1457, është treguar kufiri i Matjes deri në Lezhë. “Tani kjo ushtri ka hyrë në Matjen e të sipërpërmendurit Skënderbe, kufitare me Lezhën, trevë e Arbërisë,” dhe shton, se Diedo, e ka dhënë saktësisht shtrirjen gjeografike të Matjes së asaj kohe, pasi ishte njohës i drejpërdrejtë i trojeve shqiptare.
Pra, sipas të dhënave që parashtruam, Barleti duket se ka qënë mjaft i saktë, sidomos po ti shtojmë këtyre të dhënave dhe një dëshmi tjetër pak më të plotë për të, që na vjen përmes historianit francez Zhan Klod Faverial me librin, “Historia e Shqipërisë”( më e vjetra sipas tij ). “Mirditorët jetonin në malet dikur të quajtura Kunavia. Fshatrat e tyre shtriheshin përgjatë luginës së Matit, me një gjatësi prej 24 legash, që nga rrjedha e deri në burimet e tij. Territori që merrte emrin nga ky lumë përfshinte dhe Krujën.”
Të dhënave historike që sollëm deri këtu, na duhet tu shtojmë edhe disa të tjera ku historianët e lidhin drejpërsëdrejti Gjergj Kastriotin me Mirditën dhe mirditorët.
Fallmerayer, vlerësuar si një nga historianët më të mirë të shek. XIX, në veprën e tij, “Elementi shqiptar në Greqi”shkruan;
- “Vetëm në zonat e egra malore të Dukagjinit, Mirditës e Matit, atdheut të Skënderbeut, mezi shfaqet ndonjë gjurmë e lehtë e depërtimit sllav. Këtu gjithshka ka mbetur shqiptare.”
- “Sikur, si për një mrekulli-gjë që s’ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë-të gjitha fiset e shqiptarëve, grekëve, vllehëve dhe serbo-bullgarëve, që mbushnin Shqipërinë e madhe, nga gjiri i Artës e deri në Dormitor dhe lart në Hercegovinë, të kishin rrëmbyer armët dhe, me të njëjtin entuziazëm e dashuri për lirinë, të ishin bashkuar me Skënderbenë, si mirditasit, një kryengritje e tillë, me një mbështetje prej të paktën dy milion frymësh, dhe me një udhëheqës si i biri i Gjon Kastrotit do mund të arrinte një shpëtim të qëndrueshëm ndaj zgjedhës turke.”
- “Popullsinë shqipfolëse në të dy anët e Drinit e quajnë në përgjithësi “mirditase”, por mirditasit zbërthehen në tre fise të veçanta nga të cilat, mirditasit e mirfilltë, të cilëve u përkasin Kastriotët, gjenden në anën jugperendimore, ndërsa dukagjinasit në anën verilindore të shtrirjes së territorit të lartpërmendur.”
Albanologu i shquar gjerman, George Hahn, dëshmon se; “Dom Engjëlli, më konfirmoi…që Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatërruar, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin, gjysmë ore në perendim të famullisë së tij të Vigut ( të Mirditës ), të cilin populli e quante sot e kësaj dite, Kastri. Famullitari i kishte konfirmuar gjithashtu se, dhe i ati i Skënderbeut, pasi i ishte dorëzuar sulltanit, kishte vazhduar të jetonte aty, deri sa u helmua me anë të një xhybeje të kushtueshme, dhuruar po prej tij.
Akademiku britanik, Henry Tozer, në librin e tij, “Kërkime në malësitë e Turqisë” shkruan; “Shëngjergji, ishte vendi i peshkopit të Mirditës…20 milje larg nga Oroshi. Ai, duke më folur për Kashnjetin, tregoi se, në afërsi të tij është Kastri, vendlindja e Skënderbeut, nga i cili mori dhe emrin e tij, Gjergj Kastrioti.”
Athanas Gega, që sipas Nolit, është një nga njohësit më të mirë të historisë së kryeheroit tonë, shkruan se; “Mbiemri Kastrioti…që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin që ndodhet midis fshatrave të Dibrit ( Bajrak i Mirditës ), Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera me të njëjtin emër.”
Duke qënë se nëpërmjet tre referimeve të fundit kemi arritur dhe njëfar ezaurimi për sa i përket fushës arkeologjike, pasi në to pasqyrohen dhe të dhëna për Kastrin që vazhdon të ekzistojë si emër dhe rrënojë po aty në Vig të Mirditës etnike, na duhet ta përmbyllim shtjellimin e tezës sonë dhe me elementët e fundit shërbyes në fushën historike, gojdhënat dhe krijimtarinë popullore.
Si në asnjë trevë tjetër shqiptare, në fshatin Pëshqesh të Mirditës, nga një studiues vendas, janë gjetur dhe botuar që në vititn 1967, dy gojdhëna që bëjnë fjalë për ndarje trojesh midis Gjergj Kastriotit dhe Lek Dukagjinit. Në njërën prej tyre thuhet se, Gjergji i tha Lekës ti ndante, dhe kufirin do ta vendosnin ku ai të ndalej e të bënte be, se këmba i shkelte mbi tokën e tij. Leka, si hilacak që ishte, mbushi opingën me dhe nga toka e vet, dhe bëri be të rreme.
Gojdhëna tjetër, duket se na jep dhe informacion mbi kufinjtë ekstremë të zotërimeve të tyre. Ata bien dakort që, sapo dielli të dukej mbi kreshta, Leka do nisej nga Shkodra, ndërsa Gjergji, nga Ohri, dhe aty ku ata do të takoheshin, do vendosej dhe kufiri mes tyre. Gojdhëna thotë se, ata u takuan në zallin e Zmesë diku afër Rrëshenit, qendër e Mirditës së sotme. Duke e vënë re se Leka kishte bërë sërisht me hile, Gjergji i drejtohet; “A kujton o Lekë se mundesh me më rrejtë?! Megjithatë kufinin do ta vendosim aty ku thua ti.” Në të vërtetë, sipas shumë historianëve, kufi i mirfilltë mes këtyre dy dyerve princërore të Mirditës nuk është mundësuar kurrë.
Kronisti, Anton Johann Gross, në revistën “Der Adler,”viti 1841, shkruante;”Në këngët popullore të Mirditës, ku ka lindur Skënderbeu, ende këndohen këngë për heroin e tyre shqiptar dhe bëmat e tij.” Poeti dhe studiuesi Anton Papleka, nga krijimtaria popullore për kryeheroin tonë, na vjen në ndihmë me një kënge mirditore kushtuar Skënderbeut, që sipas tij, është tekst, ndër më të hershmit dhe më të arrirët krijuar nga populli për të. “N’at mal zana po bërtet / thotë – ka met Shqipnija shkret / Kur ka dek aj Skanderbeg / Kur ka dalun shpirti i tij / tan Shqipnia ka ra n’zi / tan Shqipnia ka marr vajë / deri lisat maje malit / qanë për ta dhe gur’t e zallit / Vajto Zanë ti pa pushue / qaj gjithmonë moj qofsh bekue.”
Besoj të dy Anton-ët kanë të drejtë.
Pas këtij parashtrimi disi të shkurtër rreth origjinës mirditore të Kastriotëve, s’mendoj ta mbyll këtë shkrim pa i thënë dy fjalë dhe për paradokset që shoqërojnë pretendimet e trevave të tjera.
Se kush ishte e nga kush banohej Mati apo Matja mesjetare si territor dhe se në cilën pjesë të saj shtriheshin zotërimet e Kastriotëve, besoj se me të dhëna historike që paraqitëm, lexohet mjaft qartë. Matjanëve të sotëm, për të pretenduar se Gjergj Kastrioti është i tyre, u duhet, o të pranojnë se janë pasardhës të mirditorëve të asaj periudhe historike, ose të heshtin me turp duke nënkuptuar se janë ardhacakë të vonshëm.
Kastratët në Has, apo ku do që janë, kanë vetëm një lidhje me Kastriotët, Kastrin si të njëjtën vend- origjinë. Historiani kroat Milan Shuflaj, një nga njohësit më të mirë të historisë së Shqipërisë veriore, kur flet për konsolidimin e fiseve në veriun e Shqipërisë, thotë se; “ Kastratët, embrioni i tyre ka qënë afër rrënojave të “taborit” romak pranë rrënojave të Kastrës, të parë që në vitin 1559 mbi rrugën Shkodër-Orosh.” Shuflaj ka dëshmuar se Kastri u rrënua nga venedikasit në vitin 1501, kur u detyruan ta lëshojnë Lezhën prej presionit të turqve. Pra, pas afro 60 vjetësh më vonë, mjaftueshëm për tu konsoliduar si një fis, ata shfaqen pikërisht në linjën që pohon historiani, ndaj dhe nuk mund të jenë tjetër, përveçse Kastra-t e Kastrit.
Mendoj se Dibranët janë totalisht jashtë loje në pretendimin e tyre. Ata nuk bindin dot askënd se, si mundi asokohe që një pinjoll nga fara e tyre të bëhej i parë në trojet e Dukagjinëve apo në zotërimet e konsoliduara tashmë të fisnikëve të tjerë. Këtë për mesjetën shqiptare as fantazia nuk duhet të na e rrokë. Emri Kastriot, u ngjiz dhe mbeti aty ku ndodhet dhe sot, si sinori që përcaktonte se deri ku shtriheshin zotërimet e Gjon Kastriotit pasi ky kishte marrë si dhuratë nga Sulltani ato dy fshatra për të cilët ata pretendojnë. Kristo Frashëri zbuloi vetëm sinorin e vendosur aty prej Gjonit nëpërmjet disa familjeve nga fisi i tij, dhe jo origjinën. Në fakt, ato dy fshatra nuk i gëzoi gjatë, pasi kur u mund për sëdyti prej turqve, u shpronësua totalisht prej tyre, por sinori mbeti. Të gjitha referenca historike që disponojmë, e disa të cilat dhe i përmendëm, Dibën e përcaktojnë si kufi e jo si zotërim. Akademiku Kasem Biçku, dhe pse me origjinë dibrane, është shprehur se; “Nuk mund të them se nga ishin Kastriotët, por një gjë e them me siguri, nga Dibra ata nuk ishin.”
Absurd, do ta quaja pretendimin se, Gjergj Kastrioti ka vënë kurorë martese në Manastirin e Ardenicës, dhe dasmën e ka bërë në Kaninë. Pra, princi i Arbërve, që priste të kurorëzohej edhe mbret, prej Papës, jo vetëm që nuk respekton traditën e të parëve, dhe celebrohet në manastir e jo në kishë, por dhe dasmën e bën në shtëpinë e mikut dhe jo të babait. E kur?!! Në mesjetë. Aty ku funksiononte Kanuni! Mos vallë dhe Papës i paska bërë karshillëk kur i përbetohej si katolik i thekur?! Zot, ruana prej marrokëve të kohës.
Gjok Pepa

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”