Artis prej toke në zemër
1.
Në zemrën time dimëron një mollë,
e krasita shkurt,
kur zhgënjehem përkujtoj perandorë:
“Edhe ti, Brut?!…”
I këndova me gërshërët ne dorë
teksa degzat në trup
ia preva e preva e preva… Fjollë…
“Rënkoi”, m’u duk,
kërsiti tingull të këputur e të hollë
sa thuajse mu lut,
pa e kuptuar që po i kuroja kurorë,
krasisja nga krund.
2.
Në zemrën time pranveron kjo mollë,
degët lehtë përkund,
ka shpërthyer lule të bardha në vjolë,
sythe të reja gjithkund.
Degët parazite që dikur i rrinin rrodhë
ia pata hequr nga trung,
i kishte patur si shirit derri ndër zorrë,
si grykës lakmitar makut.
Tash brënda zemrës sime molla e gjorë
shpërthen lulëza me kumt,
po çel degëzime, krahë të rinj sythorë,
tani… më në fund.
3.
Degëve të vjetra kishte dhe gjarpër e bollë,
por njoh gjuhën e gjarpërinjve,
nuk më kanë mashtruar dot do djallëzorë,
di ti dalloj veç prej fëshfërime.
Më kanë lëpirë me gjuhën e sterrtë shollë,
mbytur në pabesi e mashtrime,
por s’më kanë lënë dot as edhe një njollë
se s’di të besoj pa 2-3 burime.
Në degët e hequra gjarpërinjtë gjuhën
e kanë fërshëlluar lehtë-lehtë,
por me pastërti ua kam hequr lëkurën
e nxjerrë fytyrën e vërtetë.
4.
Por vetëm kur kanë tentuar të kafshojnë
e të ngulin helmin e tyre,
s’e dinim që unë jam 1 engjëll e 33 demonë,
reflektoj mirësjellje pasqyre.
S’kam qënë kurrë njëqind për qind engjëll
por di ti kontrolloj demonët e mi,
jam një shenjt që di ti përmbajë 33 dreqër
e që përpiqet të japë veç dashuri.
Në do duan të mi thyejnë degët e drunjta
siç tentojnë gjarpërinj e derra,
unë më për ta nuk do të nxjerr lule e fruta
por si mollë e egër: veç ferra.
5.
E çfarëdo që në të ardhmen do të ndodhë
prapë do qes fruta për njerëzimin
se thellë në zemrën time po rritet një mollë
që po e shijon e gëzon lulëzimin.
Lufta e zvarranikëve s’do mund t’më lodhë,
engjëlli brënda meje është murg
që duron e duron, në zjarr, në stuhi e në borë
dhe pse drutë di ti presë shkurt.
Të dobtëve dashuri, të paditurve u jap shkollë,
siç bebave u jepet jogurt,
kjo poemë për pemë s’është vetëm metaforë,
për mollën vërtetë isha bujk.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”