-Nga Aleksandër NDOJA-
“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, është një ndër thëniet e pafund të shenjtores Nëna Terezë, që jo pak prej biografëve të saj e nxjerrin me origjinë të hershme, nga krahina e Fanit, në Mirditë.
Pikërisht kjo thënie e madhe e kësaj mendje të shquar kishte kuptim të plotë sot në fshatin Shëngjin të Fanit, teksa shumë banorë dhe ish-banorë të këtij fshati janë mbledhur në hyrje të varrezave të këtij fshati, për të inaguruar një LTER (ose Altar, vend i veçantë pranë varrezave ku bëjnë lutje dhe ofrojnë falje për të dashurit e tyre të ndjerë ose për paraardhësit).
Merr kuptim sepse kjo u realizua nga një djalë i këtij fshati, i cili ishte larguar prej këtu për në Itali, në moshën 16 vjeçare.
Valentin Nikolli prej kohësh ka pas vehtes një histori suksesi në Milano. E ka nisur nga zero, ndërsa sot drejton një kompani të mirënjohur “Nikolli Group Inzago” të themeluar prej tij, në të cilën ka të punësuar rreth 60 veta në fushën e ndërtimeve, ndër ta italianë e shqiptarë, madje edhe nga fshati i tij, Shëngjin.
Bardhok Pjetri, kryetar i fshatit Shëngjin, tha se Valentini vjen nga një ndër familjet më të mira dhe të paqta në fshat. Gjyshi i tij Mark Gjok Nikolli ka qënë njeriu më i besuar i priftit para viteve 67, aq sa vetëm atij i besohej të udhëtonte nga fshati për në Shkodër, gjithnjë në këmbë maleve, për të përcjellë letrat apo porosi dhe për të sjellë rrogën e priftit nga Kisha eprore, që ka qenë në atë qytet. Edhe më vonë kjo familje ka qenë mjaft punëtore, por kushte e vështira në një fshat tepër malor rrëzë malit të Zepës dhe gurit “nus”, nuk mund të ofronte më shumë përveç varfërisë, si pothuaj gjithë fshati. Në këto kushte më të mbushur 16 vjeç, Valentini fjalëpak, i njohur që në fëmijëri për shpirtin e tij human, u largua në Itali, ku pas disa vitesh krijoji profilin e një emigranti të suksesshëm.
–CEREMONIA–
Lteri është ndërtuar në një sipërfaqe të kosiderueshme aq sa edhe në rast shiu gjatë ndonjë ceremonie varrimi, mund të mbajë një numër të konsiderueshëm banorësh. Kjo u pa qartë sot teksa Padër Leo udhëhoqi meshën dhe bekoi LTERIN, ndihmuar dhe nga motër ROZELA.
Në fillim kryetari i fshatit z. Bardhok Pjetri bashkë me Padër Leon dhe financuesin e Lterit z. Valentin Nikolli kanë prerë shiritin me këtë rast. Z. Pjetri ka falenderuar për pjesmarrjen pothuaj të gjithë përfaqësuesit e familjeve të fshatit të cilët kishin udhëtuar sipas mundësive nga qytete të ndryshme ku jetojnë, për të marrë pjesë në këtë eveniment, ndërsa nga Klina për të marrë pjesë në këtë ngjarje kishte ardhur z. Dodë Ndrecaj, një figurë e mirënjohur intelektuale e këtij qyteti, si dhe i angazhuar në mbarëvajtjen e Kishës së Klinës.
Ndërsa vetë ndërtuesi dhe bisnesmeni Nikolli u shpreh se Lteri u ndërtua pikërisht në vendin ku ka qenë shekuj më parë, pasi teksa po punohej u gjet nën tokë një kryq katolik i gdhendur në një gur, kryq që i kishte rezistuar një kohë të gjatë.
Më poshtë një kronikë e shkurtër:
Në fund Akademia e Artit Shkencës dhe Letrave “Mirdita” i akordoi “Diplomë NDERI dhe rregjistrim në “Librin e Nderit” të AASHL “Mirdita” me motivacion “Për kontribut të çmuar e humanist në ngritjen e objektit të kultit, në fshatin e lindjes, Shëngjin, Fanë, Mirditë”.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”