-Aleksandër NDOJA-
Tereze Leka plot 47 vite më parë kishte përfunduar shkollën elektrike në Shkodër. Mësimin në këtë shkollë profesionale e nisi me të përfunduar shkollën 8 – vjeçare, në Fushë-Arrëz. E mbështetur nga familja e saj arsimdashëse, zgjedh një sektor që në të vërtetë nuk ishte i preferuar, aq më shumë për vajzat.
Në vijim të shkollimit në degën elektrike në atë qytet, Terezja orientohet fillimisht si specialiste e bobinave të motorrëve dhe pajisjeve të ndryshme elektrike, por vijimsisht pas specializimit përkatës, bëhet një riparuese ekselente në avolzhimin e elektromotorëve, jo vetëm ata që janë të vegjël dhe mbahen në dorë, por edhe të tjerë gjigandë, që dikur përdoreshin në vepra të mëdha elektroteknike, si në sharrat e Pukës dhe në objekte të tjera.
Pas disa vite pune në Fushë – Arrës, për shkak të ndryshimit të statusit të gjëndjes civile, Tereze Leka vjen në Rrëshen dhe e nis punën në vitin 1980 në SMT (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve), ku spikat për talentin e saj, punën me cilësi dhe novatorizëm në zgjidhjen e shumë problematikave të kohës, deri në fund të vitit 1992, kur kjo ndërmarrje pushon se ekzistuari.
Edhe pse vendi i punës u mbyll dhe suporti shtetëror u zerua, Terezja nuk e braktis profesionin për asnjë moment. Tash ka rreth katër vite që ka dalë në pension, por punën nuk e ka ndërprerë, ose më saktë, puna nuk e ka lejuar atë ta braktisë.
Sot e gjetëm një një ofiçinë të improvizuar prej saj, në ndërtesën e ish-stacionit të trenit në Rrëshen, teksa punonte papushim me porosi që i vijnë nga më të ndryshme, deri edhe matrapikë që çajnë betonët.
Sipas saj, avolzhimi i bobinave kur ato digjen bëhet po aq i garantuar si më parë, dhe me një çmim shumë herë më të lirë nga sa mund të blesh një pajisje të re. Në një bisedë të shkurtër në atë ambient që e ka marrë me qera, Terezja flet dhe bën apel që ky profesion të mos braktiset, pasi gjithnjë do të ketë të ardhme.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

