Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ndue DEDAJ, -A K I L I-

Akili i mitologjisë homerike do t’ia kishte lakmi qendresën morale këtij Akilit tonë…

Nga Pirusti News
574 Shikime

-Nga Ndue DEDAJ-

Akilin, tashmë 72-vjeçar, e takuam në Rrëshen, këtë fund qershori, në promivimin e një libri monografik kushtuar ungjit të tij, akadimist Mark Doçit, diplomuar në Itali, oficer karriere i ushtrisë kombëtare që nga fillimi i viteve ’30 të shekullit të kaluar. Kishte ardhur t’i bashkohej nderimit që po i bëhej njeriut të votrës së tij familjare, pa i shkuar ndërmend se dhe ai vetë është nga ata njerëz të salvuar gjatë diktaturës, që meriton nderim nga bashkëkohësit.

Akili i “Iliadës” ishte heroi ake i Luftës së Trojës, një mit i tokës, i gjithi i mbuluar me lavdi, kurse Akili ynë nuk kishte asgjë prej heroi mitik apo miti heroik, por goditja politike ndaj familjes së tij atdhetare e ktheu dhe atë në një personazh të absurdit.
Mbas mbarimit të teknikumit të minierave, Akili punon si teknik topograf në minierën e vogël të bakrit Kaçinar, ku dhe e kemi njohur aty nga mesi i viteve ’70, një djalosh me humor, që e donin punëtorët. Mirëpo në tetor të vitit 1977, bash kur kishte moshën për t’u bërë dhëndër, Akili u arrestua dhe dënua nga Gjykata e Mirditës, me 7 vjet burg, “për agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe pushtetit popullor”. Në atë kohë qe dënuar politikisht me bujë të madhe dhe inxhinieri i kësaj miniere Devi Radhima nga Vlora. Minierë e vogël, por “gjueti” politike e madhe brenda galerive të saj, pasi qe dënuar dhe minatori Bibë Gera, me vjehrrin në Amerikë.

Sa i përket familjes së mirënjohur Doçi, arrestimi i radhës nuk ishte ndonjë gjë e “re”. Regjimi e kishte projektuar me kohë të gjithën për në burg. Si rrallë në ndonjë familje tjetër shqiptare, do të hynin në burg politik njëri pas tjetrit, katër – nga pesë djemtë e nacionalistit Pjetër Ndue Mardoçi, nga fshati Shebe i Kthellës, vëllezërit: Marku, Gjini, Ndoi dhe Pali (ky i fundit historian i njohur në Tiranë) dhe tre pasardhës të tyre, njëri ndër të cilët Akili. Jashtë burgut kishin mbetur vetëm gratë e familjes, ku më e moshura e “nuseve” të shtëpisë ishte e bija e Kapidanit të Mirditës Gjon Marka Gjoni, që në muajt e fundit të Luftës pati mërguar politikisht në Itali.

Saga politike tronditëse e kësaj familje në zë është ende e pavlerësuar institucionalisht, kjo skicë modeste është veçse një kushtim për Akilin, që rininë ia mori nëntoka dhe të përspektivën burgu. U lirua me 1982, me amnisti dhe dërgohet minator në Kulme – Derven.

Askush nuk më fliste, si të mos më njihnin, si të mos ekzistoja për ta, sa një ditë i them ungjit Mark: bacë, më ka shkue mendja me dalë matanë kufirit, pasi këtu s’kam asnjë shpresë… Ai, pasi më dëgjoi me vëmendje, ashtu i matur siç ishte, më tha: ti e din vetë, por, e para, nuk i asht besa se mund të dalësh gjallë përtej kufirit, mandej familja do të përfundojë dhe ma zi se sot, kështu që hoqa dorë nga arratisja…”

Po nëntokë, kur ishe në turn, në galeri, a të flisnin? – e pyes Akilin.
Të gjithë, pa përjashtim, edhe përgjegjësit, brigadierët, jo vetëm më flisnin, por më qëndronin afër, më ndihmonin, si të mos isha ai atje sipër tokës!…

Lexuesi gjykon vetë dhe nga ky detaj i rrallë, se tjetër ishte regjimi dhe tjetër njeriu, qoftë ai dhe i veshur me pak pushtet. Partia vërtetë kishte sy, por ja që nganjëherë ata nuk e “shihnin” nëntokë atë armikun e mbitokës…

Them se ai Akili i mitologjisë homerike do t’ia kishte lakmi qendresën morale këtij Akilit tonë

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest