Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Për të lexuar vlerat aty ku janë, nuk duhet aftësi, mjafton seriozitet. Haki Halili mbetet themeluesi i parë i ekipit elitë “Minatori”

Nga Pirusti News
3 897 Shikime

-Nga ing. Mark ZEFI-

Për çdonjërin nga ne e shkuara vlen për të vlerësuar të tashmen, njëherësh na ndihmon për të  përvijuar rrugëtimin drejt së ardhmes. Nuk kemi përse e fshehim faktin që kohët e fundit, ekziston tendenca që emrat e baballarëve, gjyshërve a xhaxhallarëve të pasqyrohen në ndonjë libër enkas për ta ose në disa  raste në kapituj të librave me të cilët synohet dokumentimi i  historikut të një  treve a krahine të caktuar, duke mundësuar pasardhësit  të tyre,  që të kërkojnë kreun e vëndit, si piniollë të atyre që qënkan shquar për vlera e  kontribute të veçanta në kohën kur kanë jetuar.
Mirëpo, insistimi ynë për tu ba të veçantë, si vijues të një babaj a gjyshi që realisht  nuk janë shquar për ndonjë të veçantë, më së pakti na bën delirant. Sigurisht dedikimi për individë që kanë qenë model në marrdhëniet e tyre me ambjentin qytetar, e që kanë lënë portretin e tyre në memorjen e brezave për vepra të mira që kanë realizuar në dobi të kumunitetit apo atdheut, pa dyshim është një kontribut mjaft i vlerë, për ti treguar brezave që vijnë, si duhet të bëhen të përmendur e të pa harruar. Por, rendja e disa zotrive që merren me zejen e të shkruarit mbas emrave me të cilët kanë lidhje miqësore ose gjaku, nqse nuk duhet të themi se  shkaktojnë ndonjë dëm, kollaj mund të themi se hargjojnë kohën dhe energjitë e tyre pa efektivitet. 

Erdha deri këtu me këto radhë sa më sipër, enkas për të nxjerrur nga arkivi i të shkuarës së vonë,  emrin e një individi,  jo vetëm model i qytetarit të kulturuar, por edhe që ka dhënë një kontribut të veçantë,  i cili nuk mund të mbetet pa u pasqyruar në historikun e qytetit të Rrëshenit. Çuditërisht, as komisioni i vlersimit të figurave pranë pushtetit vendor, as ata që shpesh herë kanë sjellur potrete personazhesh nga koha e shkuar, nuk janë kujtuar as ta përmendin emrin e këtij burri, kontributi i të cilit  është konkret dhe dimensional. Jam i bindur se dedikimi për një personazh të tillë, moshat e thyera do ti ngazëllej e entusiazmojë, ndërsa të rinjtë, që nuk e kanë njohur, do ti befasojë e inkurajojë. Pikërisht, se jam i bindur që shumica absulute e atyre që mund ta lexojnë këtë shkrim, do jenë plotësisht dakort me ato që do trajtoj në vijim për këtë burr që ka merituar shumë, por është lënë në harresë, emrin e tij po e prezantoj me pyetjen :

– A e dini kush është Haki Halili?

-Ka lindur në Shkodër në një familje shkodrane me 27 prill 1945. I biri i Dyl Sel Halilit, i cili për nevoja pune, kur akoma Hakiu nuk kishte mbushur një vit, u transferua në qytetin e Durrësit, ku do punonte motorist në një anije tregëtare. Në vitin 1953, i gatshëm për të shërbyer ku të kishte nevojë atdheu, u transferua në Mirditë për të vënë në  punë e mirëmbajtur gjeneratorin e parë që prodhonte energji me motor me djegie të brendëshme, për të ndriçuar qytetin e Rrëshenit,  i cili sapo kishte nisur të ndërtohej.

Dyl Sel Halili, kujtohet nga qytetarët mirditorë jo vetëm si specialist i zoti në zanatin e tij, por edhe si burrë i thjeshtë, i dashur, me humor të këndshëm, pjesmarrës në grupin e estradës amatore të qytetit. Nëna e Hakiut, ishte një grua e heshtur, shumë e thjeshtë, e cila punoj gjatë si guzhiniere në spitalin e qytetit, ku disa herë i janë dhënë fletë- nderi me motivacione si punonjëse e dalluar për korektësi e punë cilësore. Nuk është thënë kot, “dardha bie nën dardhë”. Ndaj edhe Hakiu do hidhte shtat e shkollohej në këtë qytet duke pasqyruar vlerat e vyrtytet e prindërve.

Mbaroi gjimnazin “Bardhok Biba” me maturën e parë, njëherësh me bashknxenësit, Marie Biba, Liljana Gjeçi. Pashk Jushi, Gjon Çoku, Gjon Bruçi, Pashk Çupi etj. Per arsye ekonomike nuk vazhdoi  shkollën e lartë, ndaj u punësua mësues në shkollën  fillore Tarazh. Duke qenë një djal me fizik të zhvilluar e me të dhëna futbollistike të mira, u federua me ekipin e futbollit “Minatori”,  në atë kohë në kategorinë e tretë, ku luajti disa vite. Kur u plotësuan nevojat në shkolla me mësues me arsim pedagogjik, largohet nga mësimdhënia dhe punësohet në drejtorinë e librit, por që i përkiste sektorit të arsimit.

Deri në vitin 1975, aktivitetet sportive në Mirditë, përmblidheshin në ekipin e futbollit në kategorinë e tretë, volejbollin e basketbollin për meshkuj, në të njëjtën klasifikë me futbollin. Deri atëherë sportet për femra ishin  jashtë imagjinatës, sa për mungesë fondesh që duheshin, po aq edhe për shkak të emancipimit qytetar, i cili ishte ndën   kërkesat që shtronte koha. Pra përveç vështirësive ekonomike, duheshin thyer edhe tabu, që prindrit mirditorë ti lejonin vajzat e tyre të demostronin spetakle para  qytetarëve në sportin e volejbollit. Pikërisht në vitin e sipërpërmendur, nga sektori i sporteve pranë seksionit të arsimit, u mendua të ngrihej ekipi i volejbollit për femra. Personi i parë që iu kërkua të angazhohej me këtë mision, ishte Haki Halili. Hapi i parë që duhej hedhur, ishte zbulimi dhe grumbullimi i talenteve. Mbas identifikimit të lojtareve të mundëshme, duhej edhe kontakti me prindërit për të marrur dakortësinë që vajzat e tyre të angazhoheshin me skuadrën  e volejbollit.

Në këto rrethana në maj të vitit 1975 u grumbullua ekipi i volejbollit “Minatori” për femra, i përbërë nga Terezina Marku (kapitene), Vitore Gjoni, Çezarina Macaj, Tereze Perkola, Dila Shtjefanaku, Marte Ndoka, Marie Hyseni, Vitore Tusha, Tereze Pertena, Marie Pepa, Age Nikolli, dhe Prena Deda. Per arsye se disa nga vajzat e para do largoheshin për shkak të studimeve në universitet, por edhe se ngritja e nivelit cilësor të lojtareve ishte një proçes i vazhdueshëm, vijuan lojtare të reja si e ndjera Arjana Arapi, Gjyla Perbasha, Majlinda Vladi, Drane Deda, Donika Ndreja, Lena Vokrri, Lula Vladi, Marjana Suli etj.

Askush në qytetin e Rrëshenit, nuk e mendonte se ekipi i volejbollit për femra, në një kohë shumë të shkurtër do mund të debutonte në kategorinë e parë. Hakiu duke mos u përkulur para vështirësive, si financimi jo i mjaftueshëm per trajtim, udhëtime, a mjete sportive  dhe ambjent sportiv komod,  gjithnjë i heshtur, pa bujë e pretendime, por këmbëngulës e i pa lodhur, vazhdonte stervitjen e ekipit, ku përveç se  trajner mësues,  sillej edhe si një prind shumë i kujdesëshëm me secilen prej vajzave. Ndërkohë skuadra fitoj një popullaritet të jashtzakonëshëm. Ditët e diela mezi pritej ora 10 e paradrekes kur do fillonte takimi me skuadrat mike. I gjith qyteti ishte i pranishëm rreth fushës ku do zhvillohej ndeshja, duke ndjekur spetaklin që ekipi i vajzave demostronte për ta.

Brënda 3 vitesh, në saj të punës përgaditore e besimit në vehtevete që kishte ky burr i përkushtuar e fjalë pak, ndodhi mrekullia e shumë pritur.  Në vitin 1978 ekipi i volejbollit për femra, debutoj në kategorinë e parë. Spetaklet që i dhuruan qytetarëve mirditorë sportistet e talentuara si të ndjerat Arjana Arapi e Vera Luca, Lula Vladi, Gjyla Perbasha, Marjana Suli, Drane Deda e në vijim motrat Valbona e Alma Arapi u shëndruan në manifestim publik për qytetin tonë, por edhe Mirditën e bënë më të përmendur nga sa ishte, për peshën që kishte në ekonominë e vëndit nga minerali i bakërit, lënda e drurit dhe shkuara e saj dinjitoze në mbrojtje të identitetit kombëtar, tani edhe për një sport të ri, për më tepër pretendent  për tituj e trofe. Themeluesi dhe ai që i dha fizionominë e parë këtij sporti aq të dashur për publikun, ishte Haki Halili.

Në vitin e mbrapësht 1997 , si çdo fushë tjetër edhe sporti pësoj rënie. Skuadra  e volejbollit për femra zbriti në kategorinë e dytë. Përsëri, u thirr Haki Halili, i cili kishte vite që e kishte dorzuar skuadrën tek trajnerë  të tjerë, ta merrte për ta stërvitur. Vetëm një vit iu desh dhe ekipi u ngjit  përsëri  në kategorinë  e parë, ku vazhdon edhe tani që trajnohet  nga mësuesja ish volejbolliste e aktualisht trajnere e talentuar Lindita Hoxha, gjithnjë rival e pretendent për tituj e trofe. Ndryshe nga shumë personazhe të tjerë që na janë dhënë nga autorë të ndryshëm artikujsh a librash, për  të sjellur në të tashmen  portretin e Haki Halilit, nuk ka aspak nevojë për frymzim apo aftësi për ta ngjyrosur e stolisur që të bëhet i veçantë e i preferueshëm për lexuesin, mjafton kujtesë dhe një vështrim i shkurtër tek arkivi i ekipit të volejbollit.

Aktualisht, ky burr i nderuar, është në moshën 78 vjeçare dhe jeton në qytetin e Durrësit. Mendoj se ndonse vonë, por më mirë se kurr, komisioni i vlersimit të figurave pranë Bashkisë Mirditë, duhet të shohë me përparsi vlersimin e këtij kontribuesi ndër më të veçantët, i cili 50 vjet të jetës së tij i ka kaluar mes mirditorëve, por edhe ka shënuar arritje që besoj sa thamë deri këtu, janë më se të mjaftueshme.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest