-Aleksandër NDOJA-
Nëse ke sado pak kurozitet për të hapur faqen online app.gov.al të shfaqen disa opsione për tu njohur mbi situatën e tenderave, për të gjithë Shqipërinë. Në krahun e majtë të faqes që hapet, mund të zgjedhësh disa nënkategori si:
- Procedura të publikuara
- Tendera që u ka kaluar afati
- Procedura të mbylluar etj..
Në fakt, nëse zgjedh opsionin “Tendera që u ka kaluar afati” dhe në dritaren e kërkimit shkruan “Bashkia Mirditë” menjëherë të shfaqet një situatë alarmante. Në krye të listës dështake për komisionin e prokurimit të kësaj bashkie është tenderi prej 86 milionësh për blerje karburanti, tender që është publikuar me datë 13 maj 2024, ndërsa data për mbylljen e këtij tenderi e më tej, për lidhjen e kësaj kontrate me ofertuesin fitues, është data 24 maj 2024, pra 10 ditë më pas.
Edhe pse kanë kaluar 4 muaj që duhej të ishte lidhur kjo kontratë, në faqen përkatëse të tenderave online nuk ka asnjë “shenjë” për mirë, e për pasojë çdo ditë e më tepër situata po bëhet alarmante. Një situatë e tillë aspak normale zakonisht ndodh, kur njësia e prokurimeve zgjedh të vlerësojë si fitues ofertuesin në mënyrë klienteliste, apo me urdhër nga lart, ndonëse proçedurat janë online dhe të aksesueshme nga palë pretendente, të cilët kanë në dorë instrumenta ankimuese në përputhje me të metat dokumentare që konstatojnë tek “fituesit”. Mjafton te check-osh ne atë faqe, për të parë dhe arsyen e bllokimit të këtij tenderi jetik për shërbimet në komunitet.
Nuk është fjala për karburant për mjete transporti të titullarëve, por për shumë automjete të tjera që i shërbejnë komunitetit për rivitalizim rrugësh rurale, punime të ndryshme në komunitet, pastrimin apo më herët spërkatjen me ujë të rrugëve të qyteteve Rrëshen, Rubik e Reps, etj.
Kjo gjëndje tejet kaotike ka krijuar një situatë pasojat e së cilës janë ndjerë shumë nëpër fshatra, pasi shumë prej kryetarëve të tyre më janë shprehur verbalisht se kërkojmë mjetet e bashkisë për punë të ndryshme, madje dhe për disa raste imediate në komunitet, por na thonë se nuk kemi naftë.
Në vijim të ndjekjes se listës së tenderave që ju kaluar afati, shikon edhe dështime të tjera, që kanë jo pak ndikim në ecurinë e punëve.
Ja situata aspak normale me tenderat e bashkisë Mirditë, në zërin “Tendera që u ka kaluar afati”
Situata alarmante…. si dikur në komunizëm, bashkia bën kurbanin e rradhës.
Natyrisht që të ecin punët për mirë, bashkia sidomos në fillim të mandatit për të cilin është votuar, duhet të bëjë reforma në administratë, në ato sektorë ku e shikon më të arsyeshme. Por duke qenë se edhe vetë drejtuesit e kanë konstatuar tashmë se situata është krejt anormale dhe e pa shpresë, kanë vendosur ti dalin para me aq sa munden zhgënimit total që shpërfaqet dukshëm në komunitet. Edhe se po i afrohet gjysmës së mandatit, gjatë gjithë muajt shtator administrata u terrorizua për më shumë se 30 ditë me rradhë, pasi “biroja” e pazarit me burim informal apo formal bashkinë, përsëriste pa pushim se administrata me sot e nesër, do të shkurtohej numerikisht me 80 apo 100 veta. Në fakt “kurbani” i rradhës, pra ata që paskan “sabotuar” reformat dhe punët në bashki, na qënkeshin vetëm katër pastruese, që tashmë janë larguar nga puna.
Të largosh katër pastruese në bllok është çudi e madhe, akt i pa ndodhur në mbi 30 vite në pushtetin vendor në Mirditë. Në jo pak raste kur flitej për lëvizje të thelluara në administratë, pa paragjykuar drejtues të majtë apo të djathtë, thuhej se ky apo ai drejtues ka bërë namin, aq sa veç pastrueset nuk i ka lëvizur. Në fakt ndodhi edhe ajo që kurrë nuk e kemi dëgjuar. Në Bashkinë Mirditë janë larguar katër pastruese, pa folur për situata të rënda sociale që ata kanë pësuar se kush i njeh, e di se si është puna.
Edhe punëtorët e shërbimeve dytësore, në presion të dukshëm në këtë bashki.
Është lehtësisht e provuar se si punonjësit e punëve publike në bashki i lëvizin në mënyrë të pa nevojshme, si të ishin topa llastiku. Tre apo katër prej tyre që janë me banim në Rubik janë urdhëruar prej disa muajsh të vijnë e të punonojnë në Rrëshen, kurse disa prej tyre që banojnë në Rrëshen i çojnë të punojnë në të njëjtën punë, në Rubik. Kjo u kushton jo pak në rrugëtim, aq sa rroga e tyre mjaft e ulët reduktohet në maksimum. Kjo bëhej dhe bëhet me qëllim që ata të heqin dorë vullnetarisht nga puna, për tu zëvendësuar me të tjerë. Madje për tu a bërë sa më të vështirë qëndrimim ata “monitorohen” në mënyrë të paligjshme, si dikur me përgjime nga ish-sigurimi i shtetit, ndërsa nuk ka aspak përkujdesje për sigurinë fizike në punë, çka është reflektuar me aksidente të lehta, por më i rëndi ndodhi në qershorin e kaluar, kur një punonjës nga Rrësheni që çohej në Rubik, u thërrit për ta ngjitur në fasadën e pallatit të kulturës, ndërsa u shëmb sëbashku me shkallët, duke pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë, e pjesë të tjera të trupit.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA


