Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“Misionari i dijes” Preng Pjetër Buraku i Selitës, një jetë në shërbim të arsimimit të brezave

Nga Pirusti News
955 Shikime
SHPERNDAJE

Preng Pjetër Buraku lindi më 6 qershor 1917 në fshatin Zajs, Selitë, Mirditë, dhe vdiq po në këtë fshat më 16 prill të vitit 2011. Ai u rrit jetim sepse babai i tij humbi jetën në emigrim, duke e lënë kështu Prengën jetim vetëm 5 vjeç. Deri në moshën 12-vjeçare, familja nuk e lejuan të shkonte në shkollë për arsye të largësisë së saj.

Në vitin 1929, regjistrohet në shkollën fillore Bozhiq (Bardhaj) dhe e përfundon në vitin 1933. Në përfundim të shkollës, ai u veçua nga nxënësit e tjerë për rezultatet e larta që kishte arritur me punë të palodhshme dhe vullnet të hekurt që në shkollën fillore.

Në vitin 1944 thirret nga drejtoria arsimore Mat dhe emërohet mësues në fshatin Gjoçaj të Selitës. Në këtë fshat ai ushtroi profesionin e tij si mësues për një periudhë trevjeçare. Në vitin 1947 thirret nga drejtoria arsimore Kukës dhe e caktojnë si mësues në fshatin Srriçe të Fanit. Në këtë fshat ai ushtroi profesionin e tij si mësues për katër vite rresht. Qëndrimi i tij në këtë fshat ishte shumë i vështirë për mësuesin e nderuar, pasi kushtet e vështira ekonomike e çuan të banojë në shtëpitë e banorëve vendas, ku veçohet familja Paluca, e cila i hapi dyert këtij mësuesi të nderuar për katër vjet.

 Por, sikur të mos mjaftonte kjo barrë e rëndë për mësuesin, ai përndiqet nga forcat e atëhershme që ishin në mal dhe luftonin kundër regjimit të ri disa herë rresht, por këto tentativa dështuan pasi ai ndryshonte rrugën pothuajse çdo ditë.

Në vitin 1950, me iniciativën e tij të shtyrë nga ndjenja e thellë e atdhetarizmit, hap kurs kundër analfabetizmit për të gjithë ata që dëshironin të mësonin shkrim e lexim. Pjesëmarrja ishte e madhe, veçanërisht moshat e mesme. Për këtë meritë, seksioni i arsimit të Mirditës, e falënderon përzemërsisht dhe e transferon nga Fani në shkollën fillore Zajs.

Ai punon si mësues në këtë fshat nga viti 1950 deri në 1952. Transferohet në fshatin Bardhaj në vitin ‘52 deri në vitin ‘54, ku e caktojnë drejtor shkolle. Nga ky vit transferohet në fshatin Zajs deri në vitin 1960. Në fund të këtij viti shkollor merr lirimin si mësues për shkak të reformave të asaj kohe.

Në shtator të vitit 1960 thirret nga drejtoria e ndërmarrjes së bakrit në Kurbnesh, ku emërohet përgjegjës i repartit të jashtëm në fabrikën e bakrit Kurbnesh. Në këtë detyrë punon deri në 1972, kur del në pension. Përveç këtyre detyrave shtetërore, ai ka punuar dhe në detyra shoqërore. Nga viti 1946 deri në vitin 1950 ishte sekretar i Frontit Demokratik në Zajs. Nga viti 1950 deri në vitin 1960 sekretar i Këshillit Popullor.
Nga viti 1960 deri në 1972 komandant i çetave vullnetare. Ajo që veçohet në jetën e tij është puna si mësues, një prind i dytë, një figurë e nderuar në bajrakun e Selitës dhe i respektuar nga gjithë komuniteti.

-Korespondeti  i Pirusti News-

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest