-Nga Aleksandër NDOJA-
Fran Tuci për 8 vite me radhë ka drejtuar bashkinë veriore të Fushë-Arrëzit. Emri i tij u bë edhe më i njohur në mbrëmjen e 12 korrikut të vitit 2023, kur media të ndryshme njoftonin se ai u arrestua me urdhër të SPAK-ut, pasi sipas organit të akuzës kishte shpërdoruar detyrën, duke lejuar ndërtimin e një rruge për në fshatin Berishë, nga ndërtimi i së cilës ishte dëmtuar në masiv pyjor. Në fakt askush nuk e mori mundimin, madje as prokurori i çështjes i cili për çudi ishte Ols Dado, për verefikimin e faktit, pasi nuk bëhej fjalë për ndërtim rruge, por për rivitalizim të një rruge ekzistuese që nga viti 1988, ndërsa masivi pyjor i “zhdukur” ekzistonte vetëm në mendjet e manipulatorëve të kësaj situate, pasi në ato shkëmbenj nuk ka patur asnjë shkurre, jo më pyje.
Pak më vonë SPAK njoftoi një tjetër hapje çështje penale, këtë rradhë në ngarkim të “krahut tjetër” ndaj Bardh Spahisë, ish-kryetar i Bashkisë Shkodër. Çështja ndaj tij është po aq banale, teksa një institucion i rëndësisë së veçantë që si tagër ka luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit në nivele të larta, hap çështje penale për një largim të diskutueshëm nga puna të një punonjësi të ujësjellësit Shkodër.
E ndërsa Fran Tuci vijoi të luftonte për të drejtën e tij, GJKKO e dënon fillimisht me 1.5 vite burg, ndërsa lirohet pasi kryen 8.5 muaj izolim. Ajo çfar vihet re qartësisht në bisedë më Franin është se, përveç familjarëve e disa miqve askush nuk i doli në mbrojtje, e kjo ndoshta si një “pakt” moskritikash ndaj SPAK i cili për hir të së vërtetës kishte shënuar suksese me bandat, përmes hapjes së aplikacioneve të ndryshme.
Po në të vërtetë a janë Fran Tuci dhe Bardh Spahia, dy ish drejtues vendor të të njëjtit Qark, viktima të “balancave” të pakuptimta apo me nuanca fluente politike, ndërsa emri i tyre ridoli në skenë pas ngjarjeve të ditëve fundit në Bashkinë Tiranë.
Fran Tuci tashmë është i gatshëm të flasë, jo vetëm për dënimin e padrejtë, por edhe për heshtjen e deritashme ndaj një sjellje tejet të dyshimtë të prokurorit të SPAK-ut.
Z. Fran, prej disa ditësh emri juaj është përmendur si nga kryeministri por edhe nga disa analistë të cilët janë shprehur se, me kësi akuzash mund të dënohen jo vetëm 61 kryetarë aktualë, por edhe në mbi 600 ish-kryetarë. Cili është komenti juaj?
Po, e vërtetë. E kam ndjekur me vemendje situatën e ditëve të fundit, aq më tepër që Ols Dado ka qenë prokurori në akuzën e ngritur ndaj meje.
Si e kujtoni momentin e arrestimit dhe a e prisje atë. Me çfar akuze u njoftove?
Kam qenë me 7 apo 8 shokë në një tavoline në kafe, në pasditen e 12 korrikut 2023. Erdhi një moment që tavolina jonë u rrethua vrullshëm nga një grup policësh. Unë u drejtohem se nuk jemi keqbërës, por njerëz publikë, duke u thënë se jam ish-kryetar bashkie…A për ty kemi ardhur më thanë, dhe direkt më prangosën, për të më çuar përballë prokurorit Ols Dado.
Si u procedua më tej?
Po, Ols Dado më tha se je arrestuar pasi ke dhënë lejë për ndërtimin e një rruge të re, ku janë prerë mijëra m3 drurë etj, duke shpikur një dëm ekonomik në pyje, në masën 234 milionë lekë. U habita, nuk po ju besoja veshëve. Edhe bufi e dinte se në atë rrugë mes krepave nuk kishte as shkurre, jo më lisa. E kundërshtova duke i thënë se, nuk ishte e vërtetë.
Prokurori me ton të ashpër më hakerrehej duke përsëritur me dialekt vetëm një togfjalësh…ke kafshuar py(i)llin, ke kafshuar py(i)llin, ke kafshuar py(i)llin,..Madje si prove paraqitej një video sigurtë, ndoshta e shkëputur nga filmi “Flutura në gabinën time” pasi prej vitesh në ato anë nuk shiheshin më makina të tilla plot me lëndë drusore.
Ne fakt cila ishte e vërteta?
Nuk bëhej për hapje rruge të re, por për pastrim dhe sistemim të një rruge të vjetër prej 1.8 km, ndërtuar që në vitin 1988, nga drejtori i asaj kohe i Ndërmarrjes Gjeologjike z. Tom Deda. Madje për atë rrugë kisha gjetur vendimin e Këshillit Popullor të fshatit Berishë, konfirmuar nga Këshilli Popullor i Rrethit Pukë, ndërsa ishte lehtësisht e vërtetueshme se kjo rrugë ishte në iventarin e rrugëve të Bashkisë Fushë Arrës.
Dhe në vijim….
Një ditë më vijnë në zyrë përfaqësues të mbi 20 familjeve të fshatit Berishë, të cilët më paraqitën situatën e rëndë të rrugës e cila kishte kohë që ishte e pa kalueshme nga mjetet. Në bisedë e sipër u thashë se do e kisha në qendër të vëmendjes dhe me t’u krijuar mundësia do bëhej e pamundura, aq më tepër që kohë më parë disa banorë të këtij fshati që nuk jetonin në Berishë, por kishin varret atje, më kanë lënë disa minuta një arkivol me të ndjerin në sheshin para bashkisë, në shenjë proteste për mos rindërtimin e asaj rruge.
Banorët e Berishës më thanë se donin lejen përkatëse të punimeve dhe ndonjë asistencë teknike nga stafi i bashkisë, pasi ishin vetë në gjëndje ta bënin reabilitimin. Në këto kushte ishte e pamundur ta refuzoje këtë ofertë, ndaj kështu u procedua.
Po çfar ndodhi më pas që mori për keq?
Me tu marrë vesh se po fillonte rindërtimi i rrugës, në zyrë më vjen një përfaqësues i një firme minerare që kishte aktivitetin bri kësaj rruge dhe më kërkon që t’ja jepja atij tenderin për këtë rrugë. Ja bëra të qartë se Bashkia nuk adresonte fonde paguese, por vetëm lejën e punimeve, sepse janë vetë banorët që do ta ndërtojnë. Ai këmbëngulte se nuk kishte nevojë për fonde në moment, ai do ndërtonte rrugën dhe fondet do ti merrte pjesë pjesë. Ja bëra të qartë se as unë e as bashkia nuk kishte acess më shumë se sa për një leje punimesh. Vetë banorët pajtuan një fadromë nga Tropoja dhe rruga mori formën e saj.
Por kur janë gjithë këto fakte, se rruga nuk u hap e re por në gjurmën ekzistuese, nuk u pre asnjë shkurre, a ja bëtë të qartë prokurorit?
Po, disa herë, biles si unë por edhe avokati kërkuan ngritjen e një komisioni me ekspertë të prokurorisë, por prokurori Ols Dado refuzonte kategorikisht, duke përsëritur togfjalëshin e sipërcituar.
Po vetë banorët e Berishës, a reaguan për të nxjerrë të vërtetën?
Po madje shumë. Bënë disa protesta, por askush nuk donte t’ja dinte. Duhesha dënuar me patjetër, që SPAK të linte të kuptonte se po prekte nivele të larta, pra deri në kryetar bashkie. Natyrisht SPAK ka merita dhe e vlerësoj maksimalisht, por duhet kuptuar se në gjithë atë trupë prokurorësh dhe njerëzish të drejtësisë, mund të ketë dhe devijime apo infiltrime. Çdokush mund të gabojë, por pse të mos verefikojë, e të mbetet stoik në versionin e gabuar.
Unë shtroj publikisht pyetjen, si është e mundur që prokrori i çështjes nuk pranoi të bënte ekspertizë se sa pyje janë dëmtuar, por pranoi si provë video të montuara me pamje makina të ngarkura që i përkisnin vitit 1989, dhe nuk mori në konsideratë vendimet e Këshillave Popullor të kohës, pra të vitit 1988 për hapjen e kësaj rruge, në të vërtetë është në inventarin e Bashkisë Fushë Arrës…
Ja një pjesë nga protestat e banorëve për të vërtetën time:
Dhe erdhi dënimi….
Duke mos pranuar anjë lloj verefikimi, u gjet mundësia që të mos më jepej pa fajsia, pra të dënohesh qoftë dhe pak, por që për mua dhe familjen ishte shumë, Pas 8 muaj e gjysëm lashë qelinë.
Duket se e pranuat këtë version?
Jo në asnjë mënyrë. Jam në pritje të gjykimit në shkallën më të lartë, ku kam shpresë se do merret mundimi të verefikohen dokumentat, por nuk do resht deri në fund, ku do marr pafajsinë që më takon.
Dhe një pyetje…si arriti që SPAK të gjente ty, atje mes maleve në Fushë-Arrës?
Ju fola për një firmë mineraresh që kërkoi të bënte tenderin e rrugës. Pasi u pa që ishin vetë banorët e Berishës që ndërtuan rrugën, filloi me pretendime sipas të cilave makinat që i kalonin afër në rindërtimin e rrugës, i kishin dëmtuar rrugën…pa kuptim po hajt. Por një denoncim i tillë u muar në konsideratë në SPAK. Çudi…
z. Fran, ju drejtuat bashkinë e Fushë Arrësit për 8 vite..A e mendonit një “shpërblim” të tillë?
Janë shumë të paktë nga qytetarët e bashkisë ose asnjë prej tyre, që e kanë dashur një shpërblim të tillë. Unë punova me sa munda dhe ja arrita të lë emrin tim dhe të administratës time në shumë pune. Ishtë e pa besueshme që Fushë Arrësit mes malesh kishte vetëm 4 orë ujë të pijshmëm, e në pak kohë ne e kthyem në 24 orë. Mund të flas për unazën e re të qytetit, lidhjet e sheshit qëndror të qytetit me shkallë guri me unazën e emërme, ndërtime shkollash si në Iballë, Fierzë Fushë Arrës. Një punë e mirë me rininë dhe QKF duke organizuar siç dihet festivalin mbarëkombëtarë të fëmijëve, Miss Albanian etj. Gjatë kësaj kohë u ngrit për herë të parë shërbimi zjarrfikësve me një armatë prej 16 specialistësh të mirë trainuar, pajisje me makina pastrami përmes donatorëve dhe shumë arritje të tjera që duan kohë të renditen, por që banorët e Fushë Arrësit i njohin mirë.
Faleminderit.!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

