Nga Aleksandër NDOJA
Ka qenë mëngjesi i herët i datës 10 mars, kur më vjen një sms në whatsup. Ashtu i përgjumur u rrotullova nga telefoni e teksa me shikim që e redukton një gjëndje e tillë, në “previous” shquaj emrin Martin Dona. Aty për aty thashë të bëj një shaka me të, ti them herët qenke çuar, pasi ditë më parë e kishim lënë të ma kujtonte që të suportoja motrën e tij më të madhe, për përgatitjen e aplikimit online të daljes së saj në pension.
E teksa qartësova shikimin për ti kthyer përgjigje, në atë sms lexova dy fjalë fatale. E pabesueshme madje krejt shok-uese një kalim i tillë në amshim, kur Martin Dona gjatë karrierës së gjatë mbi 30 vjeçare në strukturat drejtuese të policisë së shtetit, edhe pse kishte kaluar nëpër detyra delikate si shef krimesh deri dhe në kohë të trazuara post 1997, në asnjë rast nuk ishte rrezikuar. Po zemra i kishte dhënë goditjen fatale në mesnatën ku ndante data 9 mars me ditën pasuese datë 10, pikërisht në banesën ku jetonte prej vitesh me qera, në Tiranë.
U tha se goditja kishte qenë mjaft e rëndë, aq sa nuk la mundësi për asnjë lloj tentative ndihmuese nga pjestarët e familjes. Gjëma kishte ndodhur tashmë, oficeri i policisë që vitet e fundit punonte në sektorin e anti-krimit ekonomik në Drejtorinë e Përgjithme të Policisë së Shtetit, pas afro 30 vitesh në polici, shumë vite në përleshje drejt përdrejt me krimin, për ironi të fatit, apo se nuk njihte “kompromisin” jetonte në një banesë 1+1 me qera në Tiranë.
Po pse ky portret, dhe si e njoha unë Martin Donën?
Jemi lindur e rritur në një lagje, me rrugë, fusha loje të përbashkëta, ndërsa oborret pothuaj të përbashkëta, në fshatin Kodër Rrëshen. Ndoshta është rast unikal, por prej të paktën 100 vitesh (siç na e kanë lënë me fjalë të parët tanë) me banesa krej afër, në asnjë rast dy familjet tona nuk kanë patur kurrë konflikte apo qefmbetje. Madje edhe pas vitit 1991 kur si të gjithë shqiptarët ndamë kufinjtë e tokave, pas largimit të fermës.
Në fakt Martini është brez tjetër nga unë, dy vite më i vogël. Ishte vëlla binjak me Valentinin, ndërsa si këta, por dhe më i vogli Pajtimi, janë rritur pothuaj jetimë, pasi babai i tyre, i njohur për urtësi Llesh Dona, u largua në moshë të pa përshtatshme, pa i mbushur 60-tat. Martini duket se më ndoqi mua në fazën e shkollimit të mesëm, pasi erdhi në të njëjtën degë ku isha çuar unë dy vite më parë, në Shkollën e Mesme Industriale Rubik, në degën gjeologji miniera, specialiteti “shpim” me sonda për të zbuluar bakrin në thellësitë e nëntokës.
Ishte mjaft e vështire për ne, pra dhe për Martinin të vije në këmbë deri te autobuzi në Rrëshen për të shkuar në shkollë në Rubik, e pasdite po një ritual i tillë, me drejtim kthimin në shtëpi. Martini i përballoi me një urtësi të spikatur katër vite në Rubik, duke e mbyllur maturën me rezultate të larta. Kjo i mundësoi të ndiqte studimet e larta në degën gjeologji – miniera, ndërsa në vitin 1991 diplomohet si inxhinier në këtë sektor.
Rënia e sistemit, diplomat e gjelogji minierave të “pavleshme”. Si Martin Dona u katapultua në policinë e shtetit.
Nuk e di me saktësi nëse ka punuar ndonjë ditë si inxhinier në gjeologji, pasi rrëzimi i sistemit komunist mbylli minierat, e sidomos sektorin e gjeologjisë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe Martin Donën e shikojmë në kurset intensive specializimi në polici. Disa të tjerë kolegë të tij inxhinierë minierash apo gjeologjie, duke mos parë asnjë të ardhme në këtë sektor ku kishin investuar plot 16 vite shkollim solid e të vështirë, zgjodhën sektorë të tjerë si ne SHIK, Bashki e Komuna etj. Martin Dona shumë shpejt bëhet emër i njohur në policinë e shtetit. Këmbëngulja në punë, ndjekja hap pas hapi krimit, por mbi të gjitha mos bërja pakt me kriminelë, e lartësuan si një komisar i suksesshëm.
Puna e tij u bë edhe më evidente pas vititit 1997, kur shteti mori tatëpjetën. Mijëra armë gjëndeshin në duart e popullatës, por me e keqja dhe në duar të keqbërësve. Pas riorgnizimit të komisariatit, para shefit të krimeve ishte një sfidë e madhe. Me ka ndodhur shpesh dhe mua të jem në ndjekje të operacionenev të policisë, në cilësinë e korespondentit të gazetës “Koha Jonë”.
Ishte një periudhë e turbullt kur njerëz pa dinjitet njerëzor organizoheshin në nivel bande dhe me maska e kallashnikove, ndalonin udhëtarë e i grabisnin në rrugë të vështira, si në “Qafë Benë” e “Majë Malthi” etj. Situata ishte tejet problematike pas vitit 1999, kur në këtë rrugë kalonin dhe karvane me shtetas të Kosovës në kthim nga Durrësi, për në Atdhe. Janë me qindra shkrime në arkiva se si policia kriminale e drejtuar nga Martin Dona u bë garanci e fortë në këtë rrugë, duke arrestuar apo dhe asgjesuar banda të tilla.
Më vonë, për vite e rradhë Martin Dona tashmë me emër të mirë dhe karrierë të spikatur e shohim si drejtues të policisë kriminale në Kurbin, Lezhë etj, ndërsa vitet e fundit e deri ditën që i pushoi zemra, ishte i stacionuar si ekspert në sektorin e krimit ekonomik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa siç e theksova më lart, edhe pse me një karrierë të gjatë gati 3 dekada në polici, jetonte me qera në Tiranë me bashkëshorten e djalin e vetëm.
Post-Mortum
Gjin Dona, vëllai më i madh i Martinit është këngëtar i mirënjohur. Ka realizuar shumë videoclipe, por siç duket në një rast është ndikuar pa e dashur kurrë nga “supersticioziteti” teksa vetëm 7 muaj më parë ka realizuar një videoclip ku i këndon prindërve. Por që në atë videoclip ka mbledhur të 11 fëmijët e këtyre prindërve, pra edhe Martinin. Kjo këngë është një vlerë e rrallë pas këtij rasti të rëndë. Aty janë 11 siç i ka lind e rrit Zoti, pra dhe Lleshi e Mrika që janë në amshim.
Le ta ndjekim këngën edhe pse kënga është për dasmë, por këtu merr kuptimin më të vërtetë:

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

