Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Emërimet e paligjshme në Shërbimin Civil dhe pasoja që rëndojnë mbi taksat e qytetarëve – Rasti i Bashkisë Mirditë

Rasti flagrant: dy paga për një vend pune. Pse?

Nga Pirusti News
24 930 Shikime
SHPERNDAJE

Përgatiti Aleksandër NDOJA-

Në muajin prill të këtij viti, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në mbështetje të kompetencave ligjore, ka publikuar raportin e vet prej 28 faqesh, në fokus të të cilit është një panoramë e zgjeruar e situatës së rekrutimit, punësimit civil dhe lëvizjeve paralele; vlerësimit të performancës; përgatitjes së shkëputjeve dhe masave disiplinore.

Në mënyrë disi të pabesueshme, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ndër të parët që ka renditur për shkelje të rënda në emërimet e tyre, ka konstatuar pikërisht ata që duhet të vijonin të mbanin në këmbë shtyllat e ligjit, meritokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të nëpunësve civilë. Pikërisht në këtë raport, i cili përfshin periudhën janar–dhjetor 2024, Komisioneri ka konstatuar dhjetëra procedura të paligjshme, duke kërkuar anulimin e tyre dhe marrjen e masave përkatëse

Shkarko raportin e plotë të Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, duke klikuar tek teksti ne foto.

Rasti konkret i Bashkisë Mirditë

Le të marrim në fokus njërin prej këtyre emërimeve të paligjshme dhe pasojat negative që ka sjellë, përfshirë koston e rëndë financiare që i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë Bashkisë Mirditë.

Bëhet fjalë për një emërim të nivelit A – “Për nivelin e lartë drejtues”, nëpërmjet aktit nr. 15 (288 prot.), datë 22.01.2024, të Kryetarit të Bashkisë, konkretisht për pozicionin “Drejtor”Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, Juridike dhe Marrëdhënieve me Qytetarët.

Sipas raportit të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, ky emërim është në kundërshtim të plotë me ligjin, ndaj Komisioneri kërkon si më poshtë:

Në këtë rast, Kryetari i Bashkisë Mirditë duhet të konstatojë pavlefshmërinë absolute të akteve të emërimit për 9 punonjësit e emëruar në kundërshtim me ligjin, të evidentuar nominalisht në këtë pjesë të raportit dhe të rregullojë pasojat, me qëllim që në momentin e shpalljes së pozicionit të lirë të punës pranë AKPA, për t’u plotësuar nëpërmjet konkurrimit, pozicioni të jetë efektivisht i lirë, për të respektuar në këtë mënyrë parimet e pranimit në shërbimin civil, ndër të cilat parimi i shanseve të barabarta dhe profesionalizmit.”

Çfarë përfshin ky pozicion drejtues?

Së pari, cili është funksioni kryesor i pozicionit “Drejtor” në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, Juridike dhe Marrëdhënieve me Qytetarët? Citojmë:

Burimet njerëzore

“Administron burimet njerëzore: rekrutim, punësim civil dhe lëvizjet paralele; vlerësim performance; përgatitje shkëputjesh dhe masa disiplinore. Siguron etikën, disiplinën dhe informon për mungesa ose mosrespektim të procedurave. Menaxhon regjistrin e punësimit, librezat, pagat, shpërblimet dhe trajnimet; përgatit dhe ndjek programet vjetore financiare për punonjësit.”

Pas kësaj, pyetja që lind është: Si janë menaxhuar proceset që ai vetë duhet të mbikëqyrë ligjërisht, nga një drejtor që vetë Komisioneri e ka shpallur të paligjshëm në atë pozicion pune?

A kanë të drejtë të ankohen punonjësit e prekur?

A kanë të drejtë të gjithë ata që janë prekur padrejtësisht nga kjo drejtori – në lëvizje paralele, në ulje në detyrë apo edhe në largim nga puna – të kërkojnë shpalljen “nul” të këtyre vendimeve, duke nisur nga hyrja në fuqi e aktit nr. 15 (288 prot.), datë 22.01.2024?

Për të qenë sa më të saktë juridikisht, po përcjellim përgjigjen që morëm nga një studio ligjore në Tiranë:

Përgjigja e studios ligjore

Po, një drejtues i emëruar në mënyrë të paligjshme mund të sjellë pasoja juridike për aktet që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit – veçanërisht në çështje që prekin të drejtat e punës, rekrutimet, shkarkimet ose lëvizjet brenda administratës.

Ligji thotë:

– Përgjegjësia ligjore e personit të emëruar në mënyrë të paligjshme

Sipas Ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” dhe vendimeve të Komisionerit për Shërbimin Civil:

“Aktet e nxjerra nga një person që është emëruar në mënyrë të paligjshme në një funksion të shërbimit civil, janë të pavlefshme sipas ligjit dhe mund të anullohen apo kontestohen administrativisht ose gjyqësisht.”

Kjo do të thotë se të gjitha vendimet e marra nga ky drejtues mund:

  • të anullohen me vendim të Komisionerit ose gjykatës administrative;
  • të cilësohen të pavlefshme për nga pasojat juridike;
  • dhe kjo drejtori mund të mbajë përgjegjësi administrative, disiplinore apo penale, nëse provohet se ka vepruar në keqbesim apo me dëm ndaj të prekurve.

Pasojat për punonjësit e prekur

– Shkarkimet apo largimet nga puna

Nëse një punonjës është shkarkuar nga një drejtues jo-ligjor, ai ka të drejtë:

  • të ankimojë te Komisioneri i Shërbimit Civil;
  • të padisë bashkinë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar:
    • rikthimin në vendin e punës;
    • dëmshpërblim financiar për periudhën e largimit.
  1. Emërimet apo promovimet

Emërimet e bëra nga një drejtues i paligjshëm mund të:

  • kontestohen;
  • anulohen, nëse janë në shkelje të rregullave të konkurrimit dhe meritës.
Përgjegjësia e Bashkisë si institucion

Edhe vetë Bashkia mund të jetë bashkëpërgjegjëse, nëse:

  • ka toleruar ose mbështetur emërime të paligjshme;
  • nuk ka marrë masa kur janë denoncuar shkeljet;
  • ka zbatuar reforma pa verifikuar ligjshmërinë e drejtuesve.

Bazë ligjore:

  • Neni 4 dhe 7 i Ligjit 152/2013;
  • Neni 116 i Kushtetutës së Shqipërisë;
  • Kodi i Procedurës Administrative;
  • Vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe Administrative që theksojnë:

“Ligjshmëria e aktit buron nga ligjshmëria e organit që e nxjerr.”

Çfarë mund të bëhet tani?

  1. Ankesë te Komisioneri i Shërbimit Civil.
  2. Padi në Gjykatën Administrative për:
    • rikthim në punë;
    • dëmshpërblim financiar;
    • shfuqizim të vendimeve të paligjshme.
  3. Kallëzim penal në rastet e shpërdorimit të detyrës ose falsifikimit të dokumenteve.
Ku qëndron dëmi shumë milionësh që i është shkaktuar Bashkisë Mirditë – dhe vijon të shkaktohet?

Me shkarkimet e paligjshme, të toleruara ose të inicuara nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Juridike dhe Marrëdhënieve me Qytetarët – një strukturë që duhet të ishte “gardiani” ligjor përballë çdo presioni politik apo dhe të vetë kryetarit. Gjykata Administrative ka marrë dhjetëra vendime në mbrojtje të ligjshmërisë dhe të drejtave të punonjësve, si në rastet e largimeve nga puna, ashtu edhe në ato të uljeve të padrejta në detyrë.

Madje, aktualisht janë edhe disa çështje të tjera në proces gjyqësor, por le të ndalemi te rastet ku vendimet janë ekzekutuar apo janë në proces pagese të detyruar nga Zyrat Përmbarimore.

Janë miliona lekë të konsiderueshme që disa ish-punonjës kanë marrë nga Bashkia Mirditë në zbatim të vendimeve të formës së prerë të gjyqësorit. Së shpejti pritet të kemi edhe një përllogaritje të saktë të dëmit ekonomik, që i është shkaktuar buxhetit të bashkisë për shkak të shkeljeve të ligjit nga individë konkretë në pozita vendimmarrëse.

Rasti flagrant: dy paga për një vend pune

Rasti më flagrant është ai i një pozicioni drejtori brenda Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, i cili prej disa muajsh paguhet çdo muaj në afro 4 milionë lekë. Kjo është konstatuar qartë në listat e publikuara të pagave vetëm disa ditë më parë.

Ky rast nuk është i rastësishëm, por është pasojë drejtpërdrejtë e vendimeve gjyqësore që kanë sanksionuar paligjshmërinë në emërim dhe largim nga detyra.

Siç u citua më lart, me aktin nr. 15 (288 prot.), datë 22.01.2024, është emëruar një drejtor në mënyrë të paligjshme, duke larguar një tjetër drejtor – po ashtu në mënyrë të paligjshme. Si rrjedhojë, Gjykata ka urdhëruar pagesën e plotë të pagës si drejtor për ish-drejtorin, nga dita e largimit deri në moshën e pensionit.

Kjo ka detyruar Bashkinë Mirditë të paguajë dy paga në muaj për të njëjtin vend pune.

Dhe ndërsa drejtori që është larguar ka dalë në pension (sipas burimeve të brendshme), pagesa e plotë do të vijojë derisa të shlyhet plotësisht detyrimi financiar që rezulton nga vendimi gjyqësor.

Miliona që rrjedhin në heshtje dhe mungesë përgjegjësie

Ndërsa miliona lekë vazhdojnë të rrjedhin nga buxheti i bashkisë si pasojë e shkeljeve të ligjit, asnjë analizë institucionale nuk është bërë deri më tani për këtë situatë dramatike, e cila ka:

  • kosto të rëndë financiare;
  • efekt negativ të drejtpërdrejtë mbi investimet publike;
  • dhe ndikim të drejtëpërdrejtë mbi taksat e qytetarëve, që sot financojnë një barrë të paligjshme administrative.

Në përfundim, rasti i Bashkisë Mirditë është një shembull konkret se si një vendim i vetëm i paligjshëm, i marrë në mënyrë të nxituar apo për qëllime jo transparente, mund të kthehet në një dëmtim të madh për interesin publik dhe për financat lokale.

Çështja mbetet e hapur jo vetëm për llogaridhënie, por edhe për hetim të mëtejshëm institucional, administrativ dhe nëse është e nevojshme, edhe penal.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest