Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“1975–2025: Plaga që nuk mbyllet – 50 Vite nga Aksidenti Tragjik i Shpalit”

Një gjysmë shekulli nga tragjedia që tronditi Tropojën dhe Shqipërinë

Nga Pirusti News
6 097 Shikime
SHPERNDAJE

Pse po risjell këtë shkrim të 20 viteve më parë, sot në 50 vjetorin e kësaj ngjarje tragjike!

Më 31 gusht 1975, një aksident tragjik rrëmbeu buzëqeshjet e rinisë në kthesat e rrezikshme të Shpalit, duke lënë pas një plagë të hapur për Tropojën dhe gjithë vendin. Një autobus i mbushur me 69 nxënës aksionistë të Shkollës së Mesme Bujqësore të Tropojës dhe mësuesit e tyre humbi kontrollin dhe përfundoi në humnerë. Katër humbje jete u raportuan menjëherë – tre të rinj dhe shoferi Mehmet Cufi– ndërsa mbi 60 të tjerë mbetën të plagosur, disa me pasoja të përjetshme.

E megjithatë, në këtë errësirë të papritur, u ndez një dritë e fortë: solidariteti i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Rrëshenit. Brenda pak minutash nga përhapja e lajmit, qyteti i vogël me rreth 5,000 banorë u mobilizua si një trup i vetëm. Spitali i Rrëshenit u rrethua nga dhjetëra qytetarë që vullnetarisht dolën për të dhënë gjak, duke u rreshtuar në radhë për të shpëtuar jetët e të rinjve tropojanë. Ishte një reagim i menjëhershëm, i thellë, njerëzor – që tejkalonte çdo detyrim formal.

Një nga të mbijetuarat e aksidentit, Zyra Ahmetaj, e plagosur rëndë dhe sot e paralizuar, shprehet me emocione të forta:
“Në dejtë e mia rrjedh gjak Mirditë. Ai qytet më dha jetë për së dyti.”

Dëshmitë e asaj kohe janë të shumta e prekëse. Mësuesi Gjergj Kola rrëfen se kur morën vesh lajmin e tragjedisë, ndodhej në shëtitjen e mbrëmjes me mikun e tij Gjergj Prenga, ushtarak dhe shef i teknikës së Brigadës së Ushtrisë. Pa humbur kohë, ata nxorën një automjet ushtarak dhe u nisën drejt vendit të aksidentit. Ndërkohë, oficeri i lartë Nikoll Beleshi dha urdhër gatishmërie dhe dërgoi dy mjete transporti ushtarake me shoferë të përvojës si Llazar Hila dhe Hil Filipi, që iu bashkuan ambulancave – sado të pakta – për të transportuar të plagosurit.

Numri i viktimave nuk u rrit ndjeshëm pikërisht falë angazhimit të qytetarëve, dhurimit të gjakut dhe ndihmës mjekësore të organizuar me sakrificë. Ky reagim i popullit të Rrëshenit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e banorëve të Tropojës. Mirënjohja ndaj Mirditës është përmendur me nder dhe emocion në çdo përvjetor, edhe sot – 50 vjet më pas.

Një kontribut të jashtëzakonshëm dhanë edhe bluzat e bardha të Rrëshenit, njëri ndër ta, Mark Ndoja i kudondodhur në shumë raste. Ai nuk jeton, por ja si e kujton portretin e Tij, e bija Natasha.

“Ishte fundi i korrikut i vitit 1975. Sapo kisha përfunduar vitin e dytë të shkollës së mesme dhe ndodhesha në shtëpi. Ishte pasdite, dhe babai, si zakonisht, sapo ishte kthyer nga puna në spital.

Papritur vjen dikush nga spitali dhe lajmëron se kishte ndodhur një aksident në Shpal. Babi, me qetësinë dhe përgjegjshmërinë që e karakterizonte gjithmonë, na tregoi edhe neve çfarë kishte ndodhur dhe u nis menjëherë. Si gjithmonë, nuk nguronte të jepte ndihmën e tij mjekësore. Ishte njeri jashtëzakonisht human dhe i papërtuar.

Pak më vonë, vjen në shtëpi vëllai më i vogël, Dhimitraqi, dhe na thotë: “Është bërë nami në Shpal!” U nisëm si familje drejt spitalit. Babi ndërkohë kishte shkuar në vendngjarje për të ndihmuar. Kur mbërritëm, pamë që pothuajse gjithë Rrësheni ishte mbledhur atje për të dhënë ndihmën e vet. Ambulancat dhe makinat e tjera kishin nisur të sillnin të plagosurit.

Isha afër me vëllain tim, Bertin, kur babai zbriti nga ambulanca dhe ndihmoi të plagosurit të futeshin në spital. Na bëri shenjë që të afroheshim për të ndihmuar. Më kujtohet veçanërisht një vajzë e plagosur që kishte ethe – gjetëm një batanije dhe e mbuluam. Skena ishte e rëndë: mjekët dhe infermierët vraponin nga njëri pacient te tjetri. Dëgjoheshin britma, kishte shumë gjak. Berti qëndroi aty dhe ndihmoi sa mundi, unë dola jashtë – nuk po e përballoja dot.

Pas disa orësh mbërriti helikopteri i parë. Pamë babin duke dalë nga ambulanca drejt fushës sportive – mbante në dorë serumin e një të plagosuri derisa u futën në helikopter. Atë pasdite, ai udhëtoi dy herë me avion Rrëshen–Tiranë, duke shoqëruar të plagosurit.

Të nesërmen, trupat e pajetë ishin përgatitur për t’u dërguar në Tropojë. Kur erdhi në shtëpi, babai i tha mamit: “Do të ndërrohem, se do të nisem për në Tropojë.” Mamaja u përgjigj: “Po ti je i lodhur, ke dhënë edhe gjak…” Vetëm atëherë mora vesh se babai, si pjesë e stafit të spitalit, kishte dhuruar gjak për të aksidentuarit.

U bë gati dhe u nis. Atij i ishte besuar shoqërimi i një djali që kishte humbur jetën – në mos gaboj, ishte i vetmi djalë i familjes. Kur u kthye në shtëpi, na tha: “Nuk jam ndjerë kurrë më keq në jetën time. Kur mbërritëm në oborrin e shtëpisë së tij, ndodhi një gjëmë e madhe…”, përfundon Natasha, e bija e mjekut Mark Ndoja.

Megjithëse kanë kaluar pesë dekada, tragjedia e kthesave të Shpalit mbetet një plagë e hapur. Natyrisht edhe sot janë lajmëruar aktivitete në atë vend masakre, në kuadër të 50 vjetorit të kësaj ngjarje dhe mirë bëhet, por ngjarja mbetet e pandryshuar, ndaj dhe ky ripublikim nuk mund të jetë i mangët, pasi nuk ka ndonjë hetim apo të re gjatë këtyrë 20 viteve.   Pikërisht për këtë arsye po e sjell të plotë shkrimin e 20 viteve më parë.

Ja si e kujton laborantja e atyre ditëve të vështira Dila Keli (Toçi)

“Atë ditë kisha qenë turni i parë, por sidomos ne laborantët, në çdo kohë, edhe në kohë pushimi, duhej që mendjen ta mbanim në spital. Kjo sepse çdo rast urgjence, si aksident apo edhe ndërhyrje e thjeshtë, puna e parë është ekzaminimi, dhe në çdo kohë analiza e gjakut është parësore.

U dha alarmi dhe menjëherë u gjenda në spital. Situata ishte e jashtëzakonshme. I gjithë spitali ishte boshatisur nga të sëmurët e zakonshëm. Çdo gjë ishte në funksion të studentëve që prisnim të vinin nga minuta në minutë. Nuk vonuan të vinin… Edhe sot më buçasin në vesh piskamat e të dëmtuarve. Nuk e harroj kurrë si rrëshqita në koridor teksa nxitoja në marrjen e kampioneve, së bashku me koleget e nderuara të asaj kohe: Silva Sinani, Katerina Dedgjonaj, etj.

Pjesë e ekzaminimeve, padyshim, ishin edhe duartët Mark Lugja dhe Mark Ruçi. Janë ata që meritojnë vlerësimin maksimal, sepse të vetëm përballuan të gjithë grafitë e studentëve dhe të atyre që nuk ishin rëndë, por duhej të mbaheshin në observacion të fortë për ndonjë komplikacion të mundshëm.

Korridoret ishin plot gjak nga transportimi i barelave, ndërsa i gjithë personeli vetëm vraponte mes tyre, nën britmat që të thernin në shpirt.

Duhet vlerësim maksimal për kirurgët Agim Qarri e Kim Dërrasa, si dhe pneumologun Kol Doda, që punonin vërtet si heronj. Por asgjë nuk mund të bënin pa sintoninë perfekte të ndihmës-mjekëve, infermierëve, që jo vetëm aftësitë e tyre, por vetë Zoti u jepte forcë në ato momente të vështira.

Ato ishin: Dilore Loci, Marie Lleshi, Prena Brozi, Marie Picaku, Dila Taçi, e të tjera…

Duhet përmendur dhe evidentuar edhe puna e palodhur e shoferëve të spitalit si: Fran Dedgjonaj, Lodovik Nuku, dhe një Fran… (nuk i kujtoj emrin).

Sidoqoftë, gjithmonë jam ndjerë mirë që ne, si staf, arritëm të shpëtonim ato jetë që vërtet ishin në gjendje pa shpresë, ndërsa me keqardhje të thellë kujtoj ata që s’ia dolën.

Ndaj, në këtë përvjetor të 50-të, unë uroj jetë të gjatë të gjithë atyre që i mbijetuan kësaj ngjarjeje, dhe kurrë mos u harrofshin ata që mbetën në lule të rinisë,” përfundon ish-laborantja Dila Keli (Toçi).

(Shënimi im, Aleksandër Ndoja 31 gusht 2025)

…20 vite më parë…

Botuar në “Koha Jonë”, 31 korrik 2005

Shpal – Lot, lule, dhimbje dhe mall për të humburit në tragjedinë e Kthesave të Shpalit

-Aleksandër NDOJA-

Në një prej kthesave më tragjike të historisë së fundit të Shqipërisë, në Shpal, ku 30 vjet më parë ndodhi aksidenti që tronditi gjithë vendin, u mblodhën së fundi të afërmit e tri viktimave, ish-nxënës të shkollës dhe të dhjetëra të gjymtuar, disa prej të cilëve mbetën invalidë të përjetshëm. Në vendin ku më 31 korrik të vitit 1975 autobusi i tejngarkuar me 69 nxënës të Shkollës së Mesme Bujqësore të Tropojës rrëshqiti pranë një shkëmbi dhe ra në një humnerë qindra metra të thellë në Majën e Malthit, u organizua një ceremoni përkujtimore, nën drejtimin e kryetarit të Shoqatës “Pavdeksia” të Tropojës, Halit Katana, dhe përfaqësuesve të tjerë, me vendosjen e një pllake përkujtimore.

Prej 30 vitesh, ajo kthesë harkore pranë krepit të shkëputur të Majës së Malthit në Kthesat e Shpalit mbetet një vend i mbushur me kujtime të hidhura, një dëshmi e një fatkeqësie të madhe. Sa herë që kalon aty, në heshtje dëgjohet pëshpëritja: “Këtu ra autobusi me aksionistët e Tropojës!”. Përkundër rëndësisë dhe tragjedisë, aty nuk ishte ngritur asnjë lapidar siç ndodh zakonisht në vende të ngjashme, edhe pse shumë vende të tjera pranë këtyre kthesave kanë të tillë. Ky shkrep i zi, i ndarë nga mali m’atanë, qëndron si një lapidar natyral në mes të rrugës që shtrihet për Kukës dhe Kosovë, ndër vendet më të rrezikshme në rrjetin rrugor të Shqipërisë.

Më 30 korrik 1975, autobusi me nxënësit aksionistë “u fërkua” me shkrepin në anë të rrugës pranë humnerës dhe më pas ra 200-300 metra më poshtë, duke marrë me vete 69 nxënës dhe mësuesit që ishin brenda. Të mbijetuarit e asaj tragjedie rrëfejnë se në ato çaste, djem e vajza tropojanë, në moshën më të bukur të jetës, ishin duke kënduar dhe kërcyer në autobus, duke ndarë shaka dhe buzëqeshje të pafajshme – deri në momentin kur gjithçka u kthye në tmerr.

“Ktheheshim nga aksioni në Elbasan, për në Tropojë…”

Ish-komandanti i brigadës aksioniste, avokati Gani Dizdari, kujton me dhimbje atë ditë tragjike. “Në atë kohë isha thuajse moshatar me nxënësit në aksion, 3-4 vjet më i madh. Siç ishte tradita, brigada jonë e Shkollës së Mesme Bujqësore të Tropojës, me mbi 60 maturantë dhe tre mësues, kishim qenë në aksionin e rinisë për ndërtimin e linjës hekurudhore brenda Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Pas një muaji pune të lodhshme, prisnim të ktheheshim për në Tropojë,” rrëfen Dizdari.

“Rrugën e parë e bëmë me dy autobusë nga Tropoja, por në kthim erdhëm deri në Tiranë me një autobus të Elbasanit, ku shoferi nuk pranoi të vazhdonte për shkak të ngarkesës prej 70 vetësh. Në Tiranë na dhanë një autobus tjetër, prodhim i uzinës së Shkodrës, që drejtohej nga shoferi 45-vjeçar Mahmut Cufi, një shofer me përvojë, por autobusi dukej i amortizuar dhe jo shumë i përshtatshëm për rrugë malore.”

Gjatë udhëtimit, autobusi dha disa sinjale shqetësuese në sistemin e drejtimit, por nuk u merakosëm shumë. Pak para kthesave të Shpalit, dëgjuam një tronditje të fortë – autobusi kishte devijuar dhe ishte përplasur me shkëmbin e zi pranë rrugës, për t’u rrëzuar më pas në greminë.

“Autobusi u ndal fillimisht në mënyrë të pashpjegueshme pranë bordurës së rrugës, kur disa nxënës nga fundi u ngritën për të dalë jashtë,” kujton Dizdari, “por kjo shkaktoi lëvizje të mëtejshme të autobusit që nisi të rrëshqiste nëpër shkëmbinj. Ishte tmerr! U rrëzova dhe unë, por konstatova se isha pa lëndime serioze. Kur u ngrita, shihja kudo trupat e gjakosur e të plagosur të bashkëmoshatarëve të mi. Një skenë makabre: duar, këmbë e trupa të këputur, të gjakosur dhe të coptuar.”

“Kirurgjia” në mal

Jo pa arsye dëshmitarët e asaj kohe e kujtojnë si mrekulli ardhjen e një kirurgu nga Kukësi, Korab Shehu, i cili, me mjete modeste, të ngjashme me ato të përdorura në luftë për prerjen e këmbëve, shpëtoi shumë jetë njerëzish. Më shumë se 20 viktima mund të kishin qenë numri i vërtetë, nëse nuk do të ishte ndërhyrja e tij.

Pas rrëzimit, një punonjës policie u ul pranë të plagosurve dhe kërkoi ndihmë. Pak më vonë ndaloi një autobus i linjës Kukës, prej të cilit zbriti menjëherë mjeku Korab Shehu. “Jam mjek,” prezantoi veten, duke filluar menjëherë t’u jepte ndihmën e parë të plagosurve. Ai grisni këmisha, përfshirë edhe të vetën, dhe lidhte plagët për të ndaluar rrjedhjen e gjakut. Më pas iu afruan pasagjerë të tjerë për ndihmë.

Nxënësit e plagosur u vendosën përgjatë rrugës, ndërsa gjaku derdhej si një përrua mbi asfalt. Më vonë, me makina të rastit dhe automjete të tjera, u transportuan në Spitalin e Rrëshenit, ku një qytet i tërë – 2-3 mijë njerëz – ishte ngritur në këmbë për t’u ardhur në ndihmë. Dhjetra vetë dhanë gjakun e tyre për të shpëtuar jetën e të rinjve.

Rrëfimi i mjekut Kol Doda

Kol Doda, mjek i njohur i sëmundjeve pulmonare në Mirditë me mbi 47 vite karrierë, ishte edhe ai aty, në spitalin e Rrëshenit, ku u trajtuan të plagosurit. Ai thotë se ajo ditë ishte një provë e madhe për kapacitetin e spitalit tonë të vogël, që për herë të parë trajtoi mbi 60 pacientë me trauma të ndryshme.

“Më kujtohet se ishim në një mbledhje kur na njoftuan për tragjedinë,” tregon Doda. “Shkuam menjëherë në spital me urgjenca, ndërsa rrugët ishin plot makina që transportonin të plagosurit. Organizimi i spitalit ishte i shkëlqyer – pas evakuimit të të sëmurëve vendas, disa dhoma qytetarësh u kthyen në pavione për të trajtuar të plagosurit aksidentit.”

Doda kujton se nga 66 të plagosurit, 11 ishin në gjendje kritike dhe 6 shumë rëndë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente. Falë organizimit dhe solidaritetit të jashtëzakonshëm, shumë jetë u shpëtuan.

Viktimat e aksidentit

  • Drane Prend Pjetërnika (18 vjeç)
  • Hasan Syl Qelia (18 vjeç)
  • Hatixhe Ram Mulgeci (19 vjeç)
  • Shoferi Mehmet Cufi (45 vjeç) nga Tirana
(Invalidët e mbijetuar: Hatime Mërturi, Zyra Ahmetaj, Lume Hoxha, mësuesja Nurie Kolgeci, etj.)

Flet njëri prej të mbijetuarve..

Nuredin Musaj, mjek kirurg stomatolog nga Tropoja dhe sot në Tiranë, ishte nxënës i shkollës mjekësore në Vlorë dhe ndodhej në autobus atë ditë. Ai rrëfen se në kthim nga aksioni në Elbasan, shoferi i Elbasanit refuzoi të vazhdonte për shkak të ngarkesës dhe në Tiranë u ndërrua autobusi.

“Hipëm mbi 70 veta në autobus dhe nisëm udhëtimin drejt Tropojës me një autobus prodhim i Shkodrës, i cili nuk dukej i përshtatshëm për atë rrugë dhe ngarkesë,” thotë ai. “Gjatë rrugës autobusi dha sinjale shqetësuese dhe pak para kthesave të Shpalit humbi drejtimin, goditi shkëmbin dhe ra në greminë.”

Nuredini kujton tmerrin e momentit të rrëzimit, kur nxënësit u ngritën për të dalë nga autobusi dhe pesha e tyre e shtyu mjetin drejt humnerës. Ai vetë humbi ndjenjat dhe u zgjua jashtë autobusit, i plagosur dhe i tronditur.

“Shpatin e malit e kishim mbushur me të plagosur që rënkonin, ndërsa shoferi dhe një nxënëse vdiqën menjëherë,” thotë ai. “Në ato çaste, ardhja e mjekut Korab Shehu nga autobusi i linjës së Kukësit ishte fat. Ai nisi të lidhte plagët dhe shpëtoi dhjetra jetë njerëzish.”

Nuredini kujton emocionet kur kalon sot pranë vendit të aksidentit me fëmijët e tij dhe vëren mungesën e një pllake përkujtimore, që sipas tij duhet të vendoset sa më shpejt për të nderuar kujtimin e viktimave. I thashë se do e vendosim shumë shpejt, ndaj kur u hodh ideja isha dakort për të kontribuar.

Në kujtim të atyre që ikën dhe në nderim të jetëve të shpëtuara, ngjarja e Kthesave të Shpalit mbetet një kujtesë e hidhur dhe një thirrje për kujdes dhe respekt ndaj jetës në rrugët tona malore.

Nje kronike e mëvonë gjatë një kalimi të rastësishëm në ato anë, ku tashmë nuk kalon asnje automjet…

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest