🖋 Anila Prifti.
Nuk është se nuk e dija në çfarë po hyja, por nuk e dija sa gjatë do të më mbante brenda dhe sa thellë do të më fuste. Nuk është një punë për ata që thjesht duan të shkruajnë, as për ata që kërkojnë të vërtetën. E fillon për ideal, e vazhdon për zakon, dhe e përfundon sepse nuk di çfarë tjetër të bësh.
Ditët nuk janë të ndara. Orari nuk ka kuptim. Pushimet janë ndjesi faji. Sa herë përpiqesh të ndalosh, mendja punon; dora kërkon tastierën. Dhe nuk është shefi që të mban zgjuar je vetë. Sepse ndihesh i vonuar edhe kur nuk ka asgjë për të raportuar.
Fillon të jetosh me ndjesinë se nuk ke bërë mjaft. Gjithmonë ka edhe një lajm tjetër, edhe një fjali që mund të ishte shkruar më mirë. Dhe në gjithë këtë, askush nuk të thotë: “Ndal, merr frymë.” Nuk ka fund. Ka vetëm vazhdim.
Energjia shkon për të qëndruar “në lojë”, jo për t’u rritur, jo për të ndërtuar diçka tënden vetëm për të mos u zëvendësuar. Gazetaria nuk të fal rehati, nuk të jep stabilitet. Je po aq i mirë sa lajmi yt i fundit. Dhe as ai nuk të garanton gjë.
Një ditë ndalon dhe e pyet veten: sa nga kjo është gazetari, dhe sa është thjesht reagim? Sa është punë, dhe sa është frikë? Frikë se po humbet vlerë, se po mbetesh jashtë, se nuk je më i dobishëm.
Ky profesion nuk të lejon të ndërtosh një marrëdhënie të shëndetshme me asgjë — as me kohën, as me njerëzit, as me veten. Gjithçka është urgjencë, edhe koha për të menduar.
Dhe e vërteta më e rëndë është se pas disa vitesh, nuk e di më për kë po shkruan. Në fillim mendon se po shkruan për të tjerët, pastaj për pronarin, pastaj për klikimet, e më vonë thjesht për të mos humbur vendin.
Gazetaria nuk është karrierë, nuk është mision — është një mjedis ku mbijetojnë ata që pranojnë të lënë pas gjithçka që nuk është urgjencë. Në radhë të parë, veten.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

