Të dashur miq,
Kam nisur një botim për fëmijë me fakte dhe kuriozitete të pabesueshme rreth trupit të njeriut. Më poshtë po ndaj disa prej tyre. Ju ftoj t’ua lexoni fëmijëve tuaj, nipërve apo mbesave, dhe nëse keni mundësi, më thoni: A ju duket ky stil tërheqës për ta? Çdo sugjerim apo mendim nga ana juaj do të më ndihmonte shumë. Faleminderit paraprakisht!
Ethem Ruka
-
Ne jemi qelizat, tullat që ndërtojmë trupin tuaj
E dini që trupi juaj është ndërtuar prej nesh, qelizave që nuk mund t’i shikoni me sy të lirë? Mos u habisni, por numri ynë i kalon kufijtë e imagjinatës suaj: plot 30 trilionë qeliza!
E shkruar me shifra, duket kështu: 30 000 000 000 000. Tani imagjinoni sikur të na vendosni të gjithave në një rresht të vetëm… Do të duhej një gjatësi prej 3 milion kilometrash, aq sa për të rrethuar Tokën më shumë se 75 herë!
-
Sa ujë ka në trupin tënd?
A e dije që më shumë se gjysma e trupit tënd është ujë? Një i rritur ka rreth 42 litra ujë në trup, aq sa një bidon i madh!
Tani imagjino: nëse do të mblidhnim ujin nga 1,190 njerëz, do të mund të mbushnim një pishinë të tërë prej 50,000 litrash! E pabesueshme, apo jo?
-
Hej, unë jam trupi yt dhe kam nevojë për ujë!
Çdo ditë humbas rreth 2.5 litra ujë me urinë, djersë, frymëmarrje dhe jashtëqitje. Por mos u shqetëso, ti më jep rreth 1.4 litra ujë nga pijet që pi, dhe pjesën tjetër, rreth 1.1 litra, e marr nga ushqimet që ha dhe nga uji që unë vetë prodhoj.
Kështu gjithmonë kam ujë të mjaftueshëm për të qëndruar i fortë dhe energjik. Vetëm mos harro të më japësh ujë çdo ditë!
-
A e di se unë, trupi yt, jam i ndërtuar nga shumë përbërës të veçantë?
Kam mjaftueshëm:
- Squfur për të larguar të gjithë morrat e një qeni,
- Karbon sa për të bërë rreth 900 lapsa,
- Hekur sa për të ndërtuar një gozhdë të vogël,
- Yndyrë sa për të prodhuar 7 sapunë,
- Ujë sa për të mbushur një fuçi prej 42 litrash.
E pabesueshme, apo jo? Unë jam më interesant nga sa mendon!
-
Unë jam gjithmonë në ndryshim
Kur linda, isha shumë i vogël, peshoja vetëm rreth 3.5 kilogramë dhe isha rreth gjysmë metri i gjatë. Por mos më shiko tani!
Çdo vit që kalon, unë rritem, forcohem dhe ndryshoj. Kur të bëhem i rritur, mund të arrij:
- Djali: 70–80 kg dhe 1.75 m i gjatë
- Vajza: 65–70 kg dhe 1.62 m i gjatë
-
Gjatë gjithë jetës bëj punë të mahnitshme!
Unë marr frymë mbi 600 milionë herë, ha rreth 50 tonë ushqim dhe pi mbi 30,000 litra ujë.
Zemra ime rreh deri në 3 miliardë herë, dhe ti hedh rreth 300 milionë hapa!
Gjithë këto tregojnë sa i zënë jam unë, punoj pa pushim për ty çdo ditë!
-
E di sa fjalë themi unë dhe ti gjatë një dite?
Ne themi rreth 4,800 fjalë në ditë!
Fjalët që themi shprehin ndjenjat tona, ndajmë mendimet dhe komunikojmë me të tjerët. Çdo “përshëndetje”, çdo fjalë “të dua” apo një e qeshur e vogël, të gjitha janë të rëndësishme!
Prandaj, le t’i përdorim fjalët me dashuri!
-
Çdo hap na bën më të fortë
Deri në moshën 80 vjeç, unë mund të përshkoj rreth 146,000 kilometra, duke hedhur 200–300 milionë hapa.
Kjo është sa të rrethoj Tokën më shumë se tre herë. Jam krijuar për të lëvizur, për të ecur dhe për të eksploruar botën bashkë me ty. Hajde të ecim sa më shumë bashkë!
-
Unë jam stomaku, ndaj dëgjo me kujdes rrëfimin tim!
Gjatë gjithë jetës sate, unë përpunoj mbi 50 ton ushqim, sa pesha e rreth 10 elefantëve të mëdhenj!
Unë punoj çdo ditë, pa u lodhur, që ti të rritesh, të kesh energji dhe të ndihesh mirë. Prandaj, më ndihmo edhe ti me ushqime të shëndetshme që të vazhdoj të jem një fabrikë në shërbimin tënd!
-
Pesë vjet të jetës vetëm duke ngrënë…
Në jetën time të përditshme, ulem tri herë në ditë për të ngrënë.
Nëse bashkojmë të gjitha ato momente, del që kalojmë rreth pesë vite të tëra duke shijuar ushqimin. Nuk janë pak, apo jo? Një pjesë e madhe e jetës sonë kalon në tryezë, ku ushqimi bëhet më shumë se nevojë, bëhet kënaqësi dhe moment i veçantë.
- Gjashtë ton jashtëqitje gjatë gjithë jetës
Gjatë gjithë jetës sime unë mund të prodhojë rreth 6 tonë jashtëqitje, aq sa peshon një elefant afrikan i rritur!
Trupi im dhe juaji punon çdo ditë për të përpunuar ushqimin dhe për të veçuar mbetjet, duke qenë një sistem perfekt i riciklimit.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

