-Nga Aleksandër NDOJA-
Pas viteve 2000, rreth 25 vite më parë, komunikimi online filloi të shfaqej në forma të ndryshme, edhe pse në mënyra të vakta. Fillimisht u shfaqën portalet që punoheshin me një program të quajtur FrontPage, i cili nuk përdoret prej vitesh dhe kërkonte të paktën 17 komanda që informacioni të shfaqej online në të gjithë botën. Natyrisht, këto portale shërbenin si ura komunikimi për mijëra emigrantë jashtë vendit, duke i mbajtur ata të informuar mbi zhvillimet në trevat e tyre dhe duke u mundësuar komunikimin me njëri-tjetrin përmes rubrikës “Libri i miqve”.
Në këtë periudhë, rrjetet sociale të sotme si WhatsApp, Instagram, LinkedIn, Google apo Viber nuk ishin ende as në mendjet e njerëzve. Vetëm në vitin 2004, Mark Zuckerberg krijoi Facebook, ndërsa ishte student në Harvard, duke e filluar atë për të lehtësuar komunikimin mes studentëve brenda auditorëve, pra asokohe rrjeti nuk kishte dalë akoma tej kufirit të qytetit studentor.
Si u ndërtua faqja zyrtare e Bashkisë Rrëshen
Rreth viteve 2005-2007, disa nga bashkitë kryesore në vend që mund të numëroheshin me gishtat e njërës dorë, kishin filluar të shfaqnin aktivitetin e tyre online, përfshirë edhe disa shërbime. Duke qenë “up-to-date” në këtë fushë, falë përvojës disa vjeçare si korespondent i shtypit qendror, unë eksploroja dhe përditësoja me sukses portalet më të hershme si mirdita.net, ndërtuar nga një familjar im, Tonin Ndoja, emigrant në Kanada, dhe mirditaonline.net, ideuar dhe ndërtuar nga një i ri i apasionuar asokohe, sot mjek i mirënjohur, Leon Kaza.
Në këtë kontekst, kur edhe për Bashkinë Rrëshen ishte e domosdoshme krijimi i një faqeje zyrtare, dhe falë vizionit të punëtor dhe pararendës të kryetarit të bashkisë, Gjon Dedaj, u përzgjodha me insistim për të ndërtuar këtë faqe. Sidoqoftë, fillimi nuk ishte i lehtë. Në një administratë që nuk “lëshonte pe” nga tradicionaliteti, nga makinat e shkrimit të kohës ku çdo përpjekje për të nxjerrë një shkresë shkaktonte zhurmë që oshëtinte koridoreve. Në kohë rekord zyrat u plotësuan me kompiuterë dhe printera, ndërsa shumë makina shkrimi u hodhën më vonë për skrap. U desh një punë e madhe për trainimin e administratës, një pjesw jo e vogël e sëcilës askohe e quante besdi, duke e kundërshtuar me forma të ndryshme deri dhe me ironi të nënzëshme.
Megjithatë, me mbështetjen e theksuar të Gjon Dedajt, faqja doli online. Sot, mjafton të shikosh me vëmendje ndonjë foto të mbetur nga ky portal për të kuptuar se sa transparente ishte kjo bashki 18 vjet më parë, sa shërbime merreshin online dhe sa lajme dhe njoftime për zhvillimet, ngjarjet dhe festat publikonim falë bashkëpunimit dhe angazhimit mediatik të gazetarit Gjergj Marku.
Shërbimet e qytetarëve në faqen zyrtare
Referuar kësaj faqes, qytetarët mund të merrnin shumë shërbime. Vertikalisht, ishin të listuara komandat:
- Webi in English – për të huajt
- Këshilli Bashkiak
- Këndi i Emigrantit
- Profili Rrëshen
- Pasaporta Rrëshen
- Plani Urbanistik
- Moti në Rrëshen
Ndërsa me banner të dukshëm vertikalisht në krahun e djathtë, shfaqej “Libri i Artë”, ku ishin listuar të gjithë profilet e qytetarëve të nderit të bashkisë, një ftesë për denoncimin e dhunës në familje, si dhe “Rregullorja e Bashkisë” dhe “Profile i Bashkisë”. Të gjitha këto shërbime ishin të aksesueshme me vetëm një klikim në linkun përkatës.
Vertikalisht, çdo i interesuar mund të njihte administratën sipas sektorëve dhe të merrte informacion mbi shërbimet e ofruara. Fusha e lajmeve ishte e pasur, jo vetëm me informacion mbi punët e bashkisë, por edhe me ngjarje të ndryshme lokale. Çdo ditë publikoheshin lajme ndërsa deri në 18 lajme shfaqeshin sapo hapej faqja, lajmet e reja shfaqeshin me etiketën “New”, dhe sapo vendosej një lajm i ri, ai i fundit transferohej automatikisht në arkiv, i aksesueshëm nga linku “Arkivë”.
Ky ishte një historik i shkurtër i punës së bërë në vitet e para të shfaqjes së uebit në vendin tonë, një avancim i dukshëm për kohën, duke dëshmuar se edhe me mjetet e kufizuara të asaj periudhe mund të krijoheshin platforma funksionale dhe të dobishme për qytetarët.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

