Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nga Zadrima për Dioqezën e Sapës – Një libër i ri i studiueses dr. Nusha Zhuba

Një udhëtim nëpër shekuj, nga arkivat e Vatikanit tek kujtesa historike e Zadrimës

Nga Pirusti News
6 123 Shikime
SHPERNDAJE

-Përgatiti: Aleksandër NDOJA-

Pak ditë më parë, në një nga sallat kulturore të Bashkisë Lezhë, u bë prezantimi i botimit me titull “Nga Zadrima për Dioqezën e Sapës” me autore dr. Nusha Zhuba, një studiuese e cila prej vitesh ka bërë “konakun” e saj në arkivat e Propaganda Fide në Vatikan.

Ashtu siç theksoi historiani Mark Palnikaj, Nusha Zhuba, falë vullnetit të fortë dhe sakrificave jo vetëm në aspektin kohë, por edhe financiar, ka arritur të trokasë aty ku nuk është aspak e lehtë të depërtosh.

Në këtë promovim, i moderuar nga Ernest Marku, morën pjesë shumë personalitete të artit, letrave dhe historisë, të cilët u shprehën me vlerësime për punën dhe përkushtimin e autores. Takimin e hapi Kryetari i Lidhjes se Historianëve në Botë, i ardhur enkas nga Zvicra për këtë rast, Akademik Murati Ajvazi i cili foli për punën plot përkushtim të autores si dhe për vlerat e librit. Midis tyre ishin edhe historiani Mark Palnikaj, Tom Gjokhila, Ndrek Nikaj, Pjetër Marku, Frano Kulli, Alfred Haxhari, Brikena Lazri, Dr. Liza Brunga, Dr. Leonora Ndreca, Viktor Gjikolaj të cilët u shprehen pozitivisht mbi vlerat e këtij libri. Natyrisht, mbi këtë promovim është folur mjaft, ndërsa tashmë është koha për t’u ndalur te përmbajtja e librit dhe mesazhet që ai përcjell.

Emisarët e dijes që ndriçuan errësirën osmane

Është fat që Zoti kishte emisarë të tillë – klerikë të shquar që arritën të çanin terrin e pushtuesit shumë shekullor të Perandorisë Osmane, e cila për pesë shekuj pengoi shkollimin shqip, por edhe në gjuhë të tjera. Pa këta emisarë të dijes dhe përkushtimit, sot nuk do të dinim pothuajse asgjë për periudhën mes shekujve XVII–XX.

Këta klerikë, të shkolluar dhe njohës të mirë të realitetit shqiptar të kohës, herë pas here i dërgonin letra informuese Vatikanit. Pikërisht përmbajtja e shumë prej atyre letrave gjendet sot në duart e lexuesit të apasionuar, pasi relacionet kishtare janë burime të rralla dhe me vlerë të jashtëzakonshme. Ato përshkruajnë jetën, problemet dhe sfidat shoqërore e fetare të kohës, që nga shek. XVII deri në fillim të shek. XX.

Këto dokumente dallohen për qartësi, analiza sociale, historike e shpirtërore, si edhe për pasqyrimin e gjendjes së fshatrave, popullsisë, zakoneve dhe të drejtësisë.

Vlerat e librit dhe figurat që sjell në dritë

Në këtë libër gjenden letrat e korrespondencës së 11 figurave të rëndësishme si: Frang Bardhi, Simon Suma, Shtjefën Gaspri, Lazer Vladanji, Pjetër Borzi, Giulio Marsili, Leonardo De Martino, Jake Serreqi, Lazer Mjedja, Gjergj Koleci, të cilët lanë shënime me rëndësi historike e etike. Historiania Zhuba i sjell këto dëshmi në dy gjuhë: italisht dhe shqip.

Një pjesë e madhe e relacioneve ruhen në arkivat e Vatikanit dhe paraqesin vështirësi të mëdha për t’u përkthyer, për shkak të gjuhës italiane të vjetër e të ngarkuar me latinizma.

Relacionet shpesh ngrenë pyetje e dilema historike, si:

  • cilat ishin kufijtë e Zadrimës,
  • kush i dogji qytetet,
  • çfarë ishte konkubinati,
  • si luftohej hakmarrja, etj.

Vlera e tyre qëndron në faktin se japin të dhëna të hollësishme për jetën shoqërore, ekonomike, kulturore e kishtare të popullsisë së zonës, të cilat nuk gjenden në burime të tjera.

Një udhëtim në shekuj

Libri Nga Zadrima për Dioqezën e Sapës është një përmbledhje e këtyre relacioneve, e sjellë për herë të parë në shqip, me synim që të shërbejë si burim për studiuesit dhe lexuesit e interesuar.

Ky botim mbledh dhe përkthen relacione kishtare shekullore për Zadrimën dhe Sapën, duke zbuluar një pasuri të madhe historike, shoqërore e shpirtërore, të pazbuluar më parë në këtë formë.

Një thesar historik i ruajtur në arkiva, që vjen për herë të parë në shqip për të na afruar me rrënjët dhe kujtesën tonë.

Përmbajtja dhe dëshmitë e klerikëve

Më poshtë, libri sjell një përmbledhje të shkurtër mbi letrat e secilit prej klerikëve:

  • Frang Bardhi përshkruan gjendjen e Dioqezës së Sapës në shek. XVII: kufijtë, shkatërrimet osmane, rënien e qytetit të Sardës dhe varfërinë e kishave.
  • Gjergj Koleci jep një tablo mbi Zadrimën pjellore dhe Pukën malore, duke evidentuar ndryshimet shoqërore mes tyre dhe shkatërrimet e luftërave ballkanike.
  • Lazer Mjedja përshkruan Dioqezën me seli në Nënshat, të ardhurat modeste dhe liston famullitë e saj.
  • Jake Serreqi jep gjendjen në fillim të shek. XX, me popullsi të varfër, përmbytje dhe rindërtimin e katedrales pas tërmetit.
  • Leonardo De Martino sjell një letër të gjatë ku rrëfen përpjekjet e tij për ndihma, botimin e librit Harpa e një italo-shqiptari, por edhe zhgënjimin nga Propaganda Fide.
  • Giulio Marsili (1823) përshkruan shtrirjen e Dioqezës, famullitë, pronat dhe vizitën kanonike të vitit 1888.
  • Pjetër Borzi evidenton varfërinë e dioqezës dhe mbylljen e shkollës së lashtë për mungesë ndihmash, duke përshkruar përpjekjet e tij për restaurim.
  • Lazer Vladanji (1750) jep një panoramë të popullsisë, famullive dhe priftërinjve, si dhe varfërinë e dioqezës.
  • Shtjefën Gaspri (1674) përshkruan Dioqezën nën sundimin osman, taksat e rënda dhe vështirësitë e mbijetesës.
  • Simon Suma (1659) sjell një panoramë të varfërisë dhe plaçkitjeve osmane, duke përshkruar famullitë si Troshani, Nënshati, Hajmeli dhe Deja.

Përmbyllje

Nga Zadrima për Dioqezën e Sapës nuk është thjesht një libër historik, por një udhëtim i gjatë nëpër shekuj, ku fjalët e klerikëve të kohës na sjellin para syve jetën, zakonet, sfidat dhe përpjekjet e popullit tonë për të mbijetuar e për të ruajtur besimin dhe identitetin.

Një libër i rrallë, një dëshmi arkivore dhe një thesar për historinë shqiptare.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest