Në 95-vjetorin e lindjes së tij, Nënkolonel Bibë Elezi sjell një rrëfim të sinqertë për jetën, rrugëtimin, familjen dhe shërbimin e tij të gjatë në Forcat e Armatosura.
Një jetë e ndërtuar me punë, besim e përkushtim, shembull frymëzimi për brezat e rinj.
A mund të na flisni për fëmijërinë dhe fillimet e dijes suaj?
Kam lindur më 5 tetor 1930 në Hotnej, zonë e Bushkashit, në rrethin e Mirditës. Fëmijëria ime u rrethua nga dashuria e prindërve dhe e familjes, si djali i parë i tyre. Zoti më dha vullnet e kureshtje për të mësuar shkrim e lexim, dhe kjo dëshirë më lindi qysh në moshën gjashtëvjeçare.
Frymëzimi më erdhi nga një bashkëfshatar 16-vjeçar, që punonte si rrogtar te Princi dhe vinte me leje një herë në muaj. Kur e pashë se ai dinte të shkruante e lexonte, më lindi pyetja:
“Vallë, a mund të mësoj edhe unë si ai?”
Pas një muaji, kur ai u kthye përsëri, shkova tek shtëpia e tij dhe iu luta që të më ndihmonte. Ai pranoi dhe më tha:
“Nëse ke vullnet dhe zbaton porositë që të jap, do të mësosh njësoj si unë.”
Kështu filloi dita e parë e shkollës sime pa shkollë, pa mësues, pa mjete mësimore, në mes të një zone të pyllëzuar me kafshë të egra e gjarpërinj. Nikolli, mësuesi im i parë, më solli një fletë rregjistri dhe një laps. Në krye të fletës shkroi germën “A” dhe më vuri detyrë ta mbushja të gjithë faqen me këtë shkronjë.
Më vonë më mësoi “B”, “Ç” dhe shkronjat e tjera, derisa për 2–3 muaj arrita të njihja të 36 shkronjat e alfabetit shqip. Prindërit, duke parë përparimin tim, më blenë fletore, lapsa e goma. Me përpjekje të jashtëzakonshme dhe me ndihmën e kujtdo që dinte shkrim e këndim, unë arrita që në fund të vitit 1938 t’i shkruaja letër xhaxhait tim, Gjergj Elezit, që ishte në burg.
Që prej asaj kohe, vazhdova të mësoja në mënyrë autodidakte, me vullnet e pasion, deri në moshën 18-vjeçare, kur përfundova me sukses shkollën e mesme.
Si ka kaluar rinia dhe rrugëtimi drejt arritjeve tuaja?
Më vonë kreva Shkollën Ushtarake për oficerë me rezultate të shkëlqyera, si edhe Shkollën e Lartë të Artilerisë. Në moshë më të pjekur, për shkak të detyrës, mbarova edhe shkollën politike 3-vjeçare, duke forcuar formimin tim profesional e ideologjik.
Si djali i parë në familje me gjashtë fëmijë, më duhej të isha gjithmonë i përkushtuar për t’u dalë në ndihmë prindërve në kushtet e vështira të jetës. Puna ime e parë ishte ruajtja e qingjave, ndërsa babai ruante delet. Ishte një punë e bukur, me përgjegjësi e dashuri, që më mësoi përpjekjen dhe durimin
Në vitet 1942–1944 ndihmova me përkushtim Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si korrier, udhërrëfyes dhe shpërndarës partizanësh nëpër baza. Për këtë jam shpallur veteran lufte.
Në vitet 1945–1946 u zgjodha sekretar i rinisë antifashiste-popullore, ndërkohë që punoja për të siguruar jetesën në Laç-Kurbin. Në nëntor 1947, i lodhur dhe me shëndet të dobët, u nisa në këmbë për në Tiranë për të kërkuar punë.
U punësova në ndërtimin e Hidrocentralit Selitë-Dajt, ku, me përpjekje e vullnet, u bëra brigadier. Në fund të vitit 1948, pas prishjes me Jugosllavinë, u dërgova në shkollën për gjeometër në Tiranë, të cilën e mbarova në vitin 1949 me rezultate të shkëlqyera.
Më pas u emërova kryetar zyre rrugësh në Krujë dhe më vonë në Rrëshen, ku fitova përvojë e aftësi drejtuese.
A mund të na tregoni për karrierën tuaj ushtarake dhe jetën familjare?
Në nëntor 1951 u thirra në ushtri dhe më dërguan në Shkollën e Nënoficerëve të Artilerisë në Berat, ku u dallova për rezultate shumë të mira dhe u gradova kapter i parë.
Pas kësaj, vijova studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, ku më 15 nëntor 1954 u gradova nëntoger. Në tetor 1953 u martova, me dëshirën për t’u gjendur pranë prindërve në ato vite të vështira.
Në vitin 1955 shërbeja në Burrel si oficer i ri, i përpiktë e i përkushtuar, dhe për rezultate të larta u gradova toger gjashtë muaj para afatit. Në vitet 1956–1957 mbarova Shkollën e Lartë Ushtarake për Artileri dhe u emërova në repartin e Elbasanit.
Aty u gradova kapiten, mora banesë dhe fillova jetën me familjen. Më 8 mars 1959 lindi vajza e parë, Ollga, gëzimi më i madh i asaj kohe.
Në vitin 1960 u transferova në Tiranë, pranë Komandës së Artilerisë së Ministrisë së Mbrojtjes. Në vitin 1962 u emërova në Korpusin e Burrelit si shef zbulimi i artilerisë, më vonë komisar e komandant grupi artilerie.
Në vitin 1966 mora gradën Major, por po atë vit regjimi hoqi gradat ushtarake dhe shkatërroi rendin e disiplinën në ushtri. Në këtë periudhë më lindi vajza e dytë, më pas e treta, në vitin 1968 u lind djali i parë, dhe në 1971 vajza e pestë.
Familja ime u rrit me dashuri e sakrifica, dhe me ndihmën e Zotit, i rritëm e i shkolluam të gjithë fëmijët me dinjitet.
Në vitet e pjekurisë dhe kontributin në Forcat e Vetëmbrojtjes, çfarë ju ka mbetur në kujtesë?
Në vitin 1969 u kalova në strukturat e Forcave Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore (FVVP), ku punova 17 vjet, në Mat dhe më pas në Lezhë, me funksion të barazvlershëm me komandantin e regjimentit.
Puna ime në këtë periudhë u vlerësua për maturi, përkushtim, drejtësi dhe aftësi organizative. Kam bashkëpunuar ngushtë me organet e pushtetit vendor dhe me strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse në nivel krahinor. Kudo ku kam shërbyer, kam ruajtur respektin dhe besimin e vartësve e të eprorëve, si dhe lidhje të ngrohta njerëzore me komunitetin.
Në vitin 1986 dola në pension, me gradën Nënkolonel, pas një karriere të gjatë e dinjitoze në shërbim të atdheut. Gjatë gjithë këtyre viteve, kam qenë krenar që kam mbajtur uniformën e ushtrisë shqiptare dhe se kam dhënë kontributin tim për mbrojtjen e vendit dhe edukimin e brezave të rinj në frymën e përgjegjësisë e dashurisë ndaj atdheut.
Si e kujtoni rrugëtimin tuaj jetësor sot, në moshën 95-vjeçare?
Kur kthehem pas, e shoh jetën time si një udhëtim të gjatë, plot sfida, sakrifica, por edhe me shumë bekime. Kam kaluar vite të vështira, por gjithmonë me besim në Zot dhe me ndershmëri në çdo hap. Jam mirënjohës për familjen time të madhe, për dashurinë e fëmijëve, nipërve e mbesave që më rrethojnë dhe më japin forcë e gëzim çdo ditë.
Falë Zotit, gëzoj shëndet të mirë dhe një kujtesë të kthjellët, që më lejon të ndaj me të tjerët përvojat e mia. Për mua, jeta është një dhuratë, dhe çdo ditë e re është një bekim.
Çfarë mesazhi do të jepnit për brezat e rinj?
Rinia është pasuria më e madhe e kombit. Uroj që të rinjtë të jenë të përkushtuar ndaj dijes, punës dhe atdheut. Të mos humbin kurrë besimin, sepse suksesi vjen nga përpjekja e ndershme dhe vullneti për të bërë më të mirën.
Të mos harrojnë rrënjët, familjen dhe historinë e këtij vendi, që është shkruar me mund e sakrifica.
Urimi i redaksisë së Pirusti News
Redaksia e Pirusti News i uron Nënkolonel Bibë Elezit 95-vjetorin e lindjes me respekt të thellë dhe mirënjohje për jetën, përkushtimin dhe shembullin e tij të ndritur.
Urojmë shëndet të plotë, vite të lumtura e plot dashuri pranë familjes së madhe që e nderon çdo ditë.
-Intervista është realizuar nga Ded Rramani dhe Mëhill Deda-

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

