Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” — 12 vite në shërbim të kulturës kombëtare

Numri i 48-të i revistës “Mirdita” dëshmon konsolidimin e një platforme që bashkon krijues e studiues nga e gjithë hapësira shqiptare dhe më gjerë.

Nga Pirusti News
8 495 Shikime
SHPERNDAJE

Aleksandër NDOJA, K/Redaktor.

Parathënia nr. 48

Dymbëdhjetë vite më parë, në një zyrë modeste në Rrëshen, ku zhvillonim kurse për mësimin e kompjuterit, lindi ideja për një nismë që do të linte gjurmë në jetën kulturore të Mirditës. Aty u thirr mbledhja e parë themeluese e një shoqate kulturore, e cila u pagëzua me emrin Shoqëria Kulturore dhe Artistike “Mirdita”. Me kalimin e kohës, kjo nismë u rrit, fitoi përmasa më të gjera dhe mori emrin e sotëm, Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”, duke u bërë një vatër e gjallë krijimtarie e bashkëpunimi për studiues, shkrimtarë e artistë brenda dhe jashtë vendit.

Qysh në atë mbledhje të parë, ndër vendimet më të rëndësishme ishte edhe botimi i një reviste kulturore periodike, jo një gazete të përditshme, siç ndodh rëndom, por një organ të mirëfilltë kulturor, që do të ruante peshën dhe seriozitetin e vet në kohë. Dhe ja, sot, pas më shumë se një dekade, kemi kënaqësinë t’ju sjellim përpara numrin e 48-të të revistës “Mirdita”, një numër që shënon jo vetëm vazhdimësinë, por edhe konsolidimin e saj si një platformë e denjë për të gjithë ata që kanë diçka për të thënë, për të shkruar dhe për të lënë gjurmë në kulturën shqiptare.

Në këto vite, revista Mirdita ka kaluar përtej kufijve gjeografikë të vendit. Ajo sot udhëton nga Rrësheni e Tirana, në Prishtinë, Tetovë e Ulqin, e deri në Evropë e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kudo ku jeton një shqiptar, kudo ku rreh një zemër që mban gjallë gjuhën, traditën e kulturën tonë, aty ka mbërritur edhe revista jonë. Jo më kot, në faqet e saj janë përfshirë qindra bashkëpunëtorë nga hapësira mbarëkombëtare e madje edhe më gjerë, nga India në Kinë, nga Italia në Shtetet e Bashkuara, duke dëshmuar se arti dhe letërsia nuk njohin kufij.

Çdo numër i Mirdita-s është një pasqyrë e gjallë e krijimtarisë së larmishme shqiptare dhe ndërkombëtare. Në të gjejmë poezi e prozë, tregime e reportazhe, studime shkencore e historike, portrete personalitetesh, shkrime kushtuar artit figurativ, si dhe humorin e hollë poetik që na kujton se arti është edhe gëzim, edhe dritë. Pikërisht kjo larmi e bën revistën tonë një mozaik kulturor që i flet të gjithëve, nga studiuesit më të përkushtuar e deri tek lexuesi i thjeshtë që kërkon të ushqehet me fjalën e bukur.

Në këtë numër të 48-të, lexuesit do të gjejnë një përzgjedhje të pasur e të kujdesshme materialesh:

  • Studime historike dhe shkencore të autorëve si Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, Prof. Dr. Pal Nikolli, Dr. Nikollë Loka, Dr. Nusha Zhuba, Dr. Mark Palnikaj e të tjerë, të cilët sjellin dritë mbi tema të rëndësishme të historisë së Mirditës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
  • Akademik Murat Ajvazi – Zvicër dhe Fatime Pacolli – Kosovë: Kontributi i mësimdhënësve shqiptarë nga Tirana, në zhvillimin e arsimit në Kosovë gjatë viteve 1941–1954
  • Poezi të autorëve shqiptarë dhe të huaj, ku zërat nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, diaspora dhe madje nga India, Vietnami, Azerbajxhani e Kina krijojnë një mozaik unik poetik.
  • Tregime e proza letrare, ku gërshetohen tema të jetës shqiptare me përjetime universale të njeriut kudo në botë.
  • Portrete të personaliteteve të shquara nga arti, shkenca e jeta shoqërore, që na kujtojnë rrënjët dhe figurat frymëzuese të së kaluarës e të tashmes.
  • Si gjithmonë, nuk mungojnë edhe faqet e humorit poetik, që i japin lexuesit frymëmarrje e buzëqeshje.

Ky numër është realizuar falë kontributit të bujarisë së Zef Markut nga Shëngjini (Fan), banues prej vitesh në Connecticut – SHBA. Një shembull i qartë se dashuria për vendlindjen dhe për kulturën kombëtare nuk zbehet kurrë, edhe kur jeton mijëra kilometra larg saj.

Të dashur lexues!

Revista Mirdita është e juaja. Ajo është hapësira ku çdo krijues gjen derën të hapur, ku çdo lexues gjen diçka që lidhet me shpirtin, kujtesën dhe identitetin tonë të përbashkët. Numri 48 është dëshmi e kësaj rruge të nisur 12 vite më parë dhe që vazhdon me të njëjtin pasion e përkushtim.

Në emër të redaksisë, falënderoj të gjithë autorët, bashkëpunëtorët dhe lexuesit tanë të përhershëm e të rinj. Pa ju, kjo revistë nuk do të kishte kuptim.

Le të vazhdojmë së bashku ta mbajmë gjallë fjalën e shkruar, artin dhe kujtesën kulturore të Mirditës dhe mbarë shqiptarisë.

Tetor 2025

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest