Kush më mirë se Abat Doçi do t’i jepte përgjigje kësaj enigme?
Këtë e sjell shumë mirë Abat Doçi, në një relacion të tij drejt Romës. Ky dokument, i zbuluar në Arkivat e Vatikanit, ka një vlerë të veçantë historike, pasi mbyll një histori që më parë ishte e mbushur me alternativa dhe hamendësime mbi fatin e kokës së Shën Aleksandrit.
Përmes tij, Abat Doçi sjell me përpikmëri të dhëna mbi Abacinë, Shën Aleksandrin, Abatët, etj., duke qartësuar ngjarjet dhe duke i dhënë dokumentit një peshë besueshmërie që nuk kishte pasur më parë.
Koka e Shën Aleksandrit dhe dilemat historike
Shumë është folur për Shën Aleksandrin e Oroshit dhe për kokën e tij. Në shkrimet e deritanishme thuhej se koka e tij u vodh nga serbët.
Por dokumenti i Abat Doçit, i mbështetur në referenca të sakta arkivore, e qetëson këtë dilemë dhe paraqet një kronikë të saktë historike.
Ja çfarë shkruhet në relacionin e Abat Preng Doçit, dërguar Propaganda Fide në Vatikan:
“Tradita thotë që një zjarr në kohët e kaluara shkatërroi Rezidencën Abaciale me gjithçka kishte brenda.
Shpesh edhe Abacia ka qenë shkatërruar nga turqit, të cilët vodhën deri dhe relikën e Shën Aleksandrit.
Kjo u zëvendësua me Kokën e Shën Benedettit Martir, të dhuruar në 1767 nga Klementi i XIII Abatit Bardhi dhe u vendos në të njëjtën kuti, e cila ishte e vetmja që u rikuperua.
Ka ngelur pastaj Abacia për shumë vjet vazhdimisht bosh, nën kujdesin e Ipeshkvinjve të Lezhës, shumë prej të cilëve donin ta shtypnin (mbyllnin), siç mbyllën tre ose katër të tjera që gjendeshin në atë dioqezë, për të cilat sot mezi iu kujtohet edhe emri.
Sipas Farlatit (volum VII, Venetus 1817), Klementi VIII, që udhëhoqi nga 1592 deri në 1605, dhe sipas një dokumenti të Propogandës (Congregazion 11 Nëntor 1636), Sisto V ndërmjet 1583…
Nuk është ditur kurrë që koka e Shën Aleksandrit u zëvendësua me atë të Shën Benedikt Martir, ndoshta për të mos zhgënjyer popullin, ndoshta nga frika e turqve, por Kasa e shenjtë në Orosh gjithmonë ka mbajtur shenjt brenda, përfundon letra relative drejtuar Vatikanit nga Abat Doçi.
Përgatiti: Dr. Nusha Zhuba
(Marrë nga Propaganda Fide NS, Volume 93, faqe 65)

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

