Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

“23 vite me një fotografi në dorë”: Historia tronditëse e nënës mirditore që pret ende djalin e zhdukur në malet e Greqisë

Dava Prendi, nga Rrësheni, ruan shpresën pas më shumë se dy dekadash një nënë, një fotografi dhe një amanet që s’u shua kurrë

Nga Pirusti News
9 098 Shikime
SHPERNDAJE

-Nga: Aleksandër NDOJA-

Ka afro 23 vite që kjo nënë mban në dorë, kohë pas kohe, një fotografi. Është i vetmi kujtim nga djali i saj i katërt, Ylli Prendi, i cili në një mëngjes të errët të mesnëntorit 2002, pa i treguar askujt, doli nga banesa me drejtim malet e Greqisë, si shumë shqiptarë të tjerë të atyre viteve të pas ’90-ës në kërkim të një jete më të mirë dhe mundësive të reja.

“Kishte mbushur vetëm 17 vjeç,”, mezi e shqipton e përhumbur nga vitet e gjata të mungesës nëna e tij, Dava e Ndue Prendit, e cila prej shumë vitesh jeton në Rrëshen, pas ardhjes nga Sangu i Fanit, po në Mirditë.

E pyetur për kërkimet që familja ka bërë ndër vite, Dava, tashmë me pamje të lodhur nga pritja e gjatë, thotë:

“Kanë qenë të shumta përpjekjet. Tre djemtë e mi më të mëdhenj, por edhe burri sa ishte gjallë, nuk lanë rrugë pa ndjekur, as derë pa trokitur. Donim qoftë edhe një gjurmë, por nuk e gjetëm dot.”

Familja ka kërkuar në Kretë, Kavallë e disa qytete të tjera të Greqisë, ku mendohej se mund të kishte shkuar Ylli, pasi aty kishin të njohur të shumtë.
U nis vetëm, — tregon Dava,  por gjatë udhëtimit për në kufirin e Greqisë ishte bërë bashkë me një djalë tjetër nga Fani i Mirditës. Më pas, rrugët iu ndanë. Ai që i mbijetoi udhës së mundimshme nuk dinte asgjë mbi fatin e Yllit.”

Sot, nëna e emigrantit të pafat, Ylli Prendi, vetëm 17 vjeç, lutet e bën apel:

“Kushdo që mund të ketë qoftë edhe një të dhënë, le ta bëjë të ditur, që të kemi ku t’i ndezim një qiri, apo t’i vendosim një lule. Është amaneti i burrit tim, Ndue Prendi, që iku nga kjo botë me brengën e humbjes së djalit.”

Në kufijtë e dëshpërimit, ajo mban në duar fotografinë e djalit, kujtesën e vetme të një jete të ndërprerë në heshtje.

Kur halli s’vjen kurrë vetëm…

Edhe pse 23 vite mungesë e kanë bërë të kuptojë se askush nuk mund t’ia kthejë djalin, Dava Prendi përballet sot me një tjetër hall: banesën e saj pa dokumente.

Ajo jeton në një pallat 5-katësh, ndërtuar me parafabrikate në fund të viteve ’90, për të cilin ka disa letra privatizimi, por nuk ka mundur të përfundojë procesin ligjor të trashëgimisë.

“Kur kërkova të çel dëshminë e trashëgimisë nga burri, më thanë se duhet deklarata e katër fëmijëve. Po ku ta gjej unë të katërtin, Yllin?”, — thotë ajo me lot në sy.

Prej më shumë se pesë vitesh, Dava thotë se ka trokitur në çdo zyrë, ka paguar tarifa dhe ka kërkuar ndihmë nga çdo institucion, por ende nuk ka çertifikatë pronësie.

“Kam mbetur me disa copa letrash në duar. Banesa është imja, por s’e kam dot me letra si gjithë të tjerët.”

Ajo shpreson se organet kompetente ligjore do të ndërhyjnë për njohjen e faktit tashmë të ndodhur dhe për finalizimin e aktit të trashëgimisë, në mënyrë që të mos mbetet pa strehë e ligjshme, përkundër gjithë tarifave të paguara ndër vite.

Dhimbje që s’harrohen..

Ylli Prendi është vetëm një nga dhjetëra shqiptarët që janë zhdukur pa lënë gjurmë në malet e Greqisë. Vetëm nga Mirdita numërohen mbi 10 raste, mes tyre Sokol Prendi nga Rubiku, Paulin Gjikolaj nga Selita, dhe të tjerë nga Repsi e Rrësheni. Për ta, herë pas here mediat kanë përcjellë raportime, por asnjë shenjë nuk është gjetur, edhe pse kanë kaluar dekada.

Një fotografi, një shpresë dhe një jetë që s’u kthye kurrë…
Historia e Dava Prendit mbetet një kujtesë e gjallë e asaj kohe kur shumë shqiptarë u nisën drejt ëndrrës për një jetë më të mirë dhe disa nuk u kthyen kurrë.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest