Histori e bukur, me shumë kuptim dhe domethënie, që ia vlen të lexohet.
“Mustafa Kruja, ish-Kryeministër i dikurshëm i vendit tonë, ka qenë shumë mik dhe dashamirës me familjen e Gjomarkajve, pasi në ditë të vështira të jetës së tij, kur kërkohej nga turqit për t’u arrestuar në vitin 1912, ka qenë i strehuar te shtëpia e tyre në Orosh, të Mirditës. Në kohën kur Mustafa Kruja u zgjodh Kryeministër, në vitin 1941, vizitohej shpesh nga Gjon Marka Gjoni, i cili ishte edhe i vetmi që i drejtohej me emrin “Mustaf” dhe jo “Kryeministër”, siç e thërrisnin të gjithë të tjerët.
Një ditë, kishin dalë të dy së bashku dhe, të shoqëruar nga disa zyrtarë të lartë të qeverisë, po shëtisnin në një nga rrugët e kryeqytetit. Në rrugë hasën rastësisht disa mirditas që kishin shkuar aty për punët e tyre. Gjon Marka Gjoni, sapo i pa këta, u ndal menjëherë dhe shkoi drejt tyre duke i takuar dhe biseduar me ta; bisedë që zgjati shumë.
Mustafa Kruja, së bashku me zyrtarët që e shoqëronin, u ndalën ta prisnin dhe, nga pritja pak si e gjatë, njëri nga këta zyrtarë iu drejtua Kryeministrit, duke i thënë:
“Kryeministër, si shumë u vonua ky miku yt?!”
Duke nënkuptuar se, ndodhur nën shoqërinë e tij, nuk kishte kuptim ndalesa me disa persona të parëndësishëm, sipas tij.
“Dëgjo – i tha Mustafa Kruja atij zyrtari që foli – këta mirditasit e vet që ka takuar dhe po bisedon me ta i duhen, siç duhemi unë dhe ti, sepse për mirë e për keq ata ka!”
Zyrtari uli kokën dhe nuk foli, por priti, si gjithë të tjerët, Kapedanin dhe, kur u kthye ai, vazhduan rrugën në heshtje”.
– Lin Kiku

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

