Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Kur pushka e pushtetit vrau mësuesin e Konajve, në vjetin 1946

Më lejoni ta rris këtë djalë. E la Zoti pa babë, e mos të rritet dhe pa nanë.

Nga Pirusti News
11 246 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Aleksandër NDOJA

Një rrëfim i ndjerë nga Ndrec Margjoni i Konajve, që i vranë babën mësues, kur ishte vetëm dy vjeç.

Ka qenë mesi i muajit prill të vitit 1946, kur në fshatin Konaj të Fanit në Mirditë u hap lajmi se njësitë speciale të krijuara nga pushteti që sapo ishte instaluar, së shpejti do ta mësynin këtë fshat.
Natyrisht, mbledhja e armëve është detyrë parësore e çdo pushteti që vjen në qeverisje pas një konflikti të përgjakshëm gjatë kohës, apo dhe pas luftrave çlirimtare. Por është e gjithëpranuar se pushteti komunist i pas viteve ’44 në Shqipëri udhëhoqi ekspedita sadiste e kriminale për mbledhjen e armëve.

Janë të shumta rastet e torturave çnjerëzore, vrasjeve makabre, burgosjeve e internimeve nga një ekspeditë ndëshkuese e kryesuar nga i ashtuquajturi “toger-ziu”, por edhe nga aksione të tjera të respektive të ndjekjes dhe të ndëshkimit që gojët e liga fajësojnë, sidomos për sa i përket sjelljes me Mirditën, njëfarë (S.G.), që më vonë pësoi pirueta të shumta për t’u rishfaqur në zhanre të tjera, sidomos pas rënies së sistemit komunist.

Në këtë kontekst, si shumë të tjerë, edhe Frrok e Preng Margjoni, babë e bir, marrin armët dhe largohen nga fshati për t’u fshehur në mal, derisa ekspedita ndëshkuese të largohej nga fshati i Hebes dhe nga krejt krahina e Fanit. Në fakt, Froku ishte mësues i fshatit, i cili në vitin 1936 kishte mbaruar Normalen e Elbasanit, në një klasë me bashkëvendasin e tij, “mësuesin e popullit” Ndrec Ndue Gjoka.

Ndokush mund të thotë pse duhej të largohej mësuesi i fshatit i cili ishte tejet i domosdoshëm  në ato kohë kur mësuesit kërkoheshin si me qiri, pra mund të kursehej nga kësi lloj ekspeditash. Dihet që këto banda ekzekutuese nuk bënin dallim, aq më tepër që në atë kohë u kishte dalë nami, se nuk kishin kursyer edhe drejtues të pushtetit vendor, si kryetarë fshatrash Dod Preng Nikollin e Rrëshenit edhe Gjon Pjetër Macën e Përlatit. Ndaj kjo duket se ka qenë arsyeja që babë e bir, Preng e Frrok Margjoni, vendosën të merrnin armët për t’u fshehur në malet plot gjelbërim në mesprillin e atij viti të mbrapshtë.

Kush ishte mësuesi Frrok Preng Margjoni i Konajve

Ai ishte lindur në një familje punëtore të fshatit Konaj në Fan, më 10.07.1910. Është për t’u vlerësuar fakti se familja e tij ishte arsimdashëse, përderisa, duke parë inteligjencën e tij, Frrokun e vogël e nisën për ndjekje të arsimit fillestar në Konviktin e Oroshit, këtë vatër të dijes hapur në vitin 1889 nga Abat Prend Doçi në Orosh.

Më vonë Frroku nis shkollimin më solid në Shkollën Normale të Elbasanit, duke u titulluar mësues në vitin 1936, njëkohësisht me emra të shquar të arsimit si Ndrec Ndue Gjoka, Thoma Deljana etj. Siç edhe pritej, miku dhe bashkënxënësi i Normales, tashmë në detyrën e shefit të arsimit në Mirditë, Ndrec Ndue Gjoka, që në vitin 1944 e emëron mësues në fshatin e tij të lindjes, në Hebe. Situata në atë kohë dihej: mungonte çdo gjë, përveç dëshirës për të dhënë mësim dhe për të nxënë. Bashkëkohësit e kujtojnë si njeri që përpiqej me çdo formë të ishte në shërbim të bashkëfshatarëve të etur për mësim dhe këndim.

Por kjo situatë nuk do zgjaste shumë, vetëm dy vjet, sepse në mesin e vitit 1946 një komando gjakatare, në emër të shtetit, i ndërpret jetën në mes mësuesit, në moshën 36-vjeçare, kur kishte vetëm një fëmijë dyvjeçar, por edhe babait të tij.

Vrasja e mësuesit

Ka qenë data 13 ose 14 prill e vitit 1946, kur në Konaj u hap me shpejtësi lajmi se në fshat po vinin forcat e ndjekjes për grumbullimin e armëve. Situata në të vërtetë ishte e frikshme, por shumë prej dëshmitarëve konfirmojnë se lajmi u servir edhe më dramatik.

Në këto kushte edhe Preng Margjoni, së bashku me të birin, mësuesin e fshatit, Frrokun, marrin armët që kishin në banesë për t’u fshehur në mal. Mesi i muajit prill, kur vegjetacioni ishte në kulmin e tij, ishte një mburojë e mirë për të mos u pikasur. Ndoshta në këto kushte sigurie, të lodhur dhe në pritje të gjatë që forcat të largoheshin nga fshati, ulen për të pushuar. Kishin vendosur armët poshtë kokës, dhe në atë gjendje i ka marrë gjumi.

Nuk dihet se si forcat e sigurimit kanë mbirë aty në mal. Rastësia ka bërë që banditët me uniformë të pikasin babë e bir në gjumë. Pa asnjë paralajmërim kanë derdhur breshëri drejt tyre, duke i vrarë në vend. Pasi u kanë marrë dy armët, forcat janë larguar, ndërsa familjarëve dhe fshatit nuk u mbeti tjetër veçse të merrnin trupat pa jetë të mësuesit dhe babait të tij për t’i varrosur. Ndërsa një djalë vetëm dy vjeç, ndodhej në udhëkryq, por në krahët e nënës.

Rrëfen Ndreca, dyvjeçari jetim i atëhershëm, tashmë në moshën 81-vjeçare

“Më lejoni ta rris këtë fëmijë. E la Zoti pa babë, e mos të rritet dhe pa nanë.”

Ndreca, i vetmi pasardhës i mësuesit të Konaj, tashmë 81-vjeçar, vjen shpërngueshëm në një kafe në qendër të qytetit të Laçit, në rrethinat e të cilit jeton prej vitesh. Një burrë i qetë, i urtë, me një të folur plot mirësi, kujdeset që gjatë bisedës të mos lëndojë askënd që mund të ketë pasur përgjegjësi mbi fatin e tij të trishtë, si fëmijë i rritur pa baba në kohë të vështira.

E kur shkon fjala te e ëma, Gjela, edhe pse i ka kaluar të 80-tat, nuk përmbahet dhe ndonjë pikë loti e tradhton.
“Nëna është mbretëreshë për secilin djalë, por për mua është heroinë. Heroinë që sakrifikoi aq shumë për të më rritur dhe edukuar. Por mbi të gjitha, siç më thoshte gjyshja (nëna e saj), bëri atë që unë, që isha pa babë, të mos mbetesha edhe pa nanë.”

Po si mund të ndodhte kjo?

“Pas vrasjes së babës, nëna me mua në krahë shkon te prindërit e saj në Klos, për një festë të 15-a e Shën Mërisë. Në atë festë te dajat e mi kishin ardhur shumë miq, por edhe për të kërkuar nënën time. E dinin se i ishte vrarë burri, e kështu ishte zakoni në ato kohë, me heq një ‘marre’ prej derës. Sa po shtrohet biseda, gjyshi i thotë nënës sime:
‘Oj Gjelë, sot ja jap fjalën dikujt për ty, se kanë ardhur me të kërkuar…’”

“Prandaj, sa herë shkoja te dajat, gjyshja ime (nandaja) më thoshte:
‘Ore djalë, dija për nder Zotit në qiell dhe dajës tënd, Preng Mark Gjeçi, se nanën tande kanë qenë tu e martue…’

— Po si moj nandajë? — i thosha.
— Po ja, sapo dëgjoi nëna jote se do ta martonin, të ka marrë në gjunjë dhe është shkrehur në lot…”

“Në atë moment ka hyrë i vëllai, vëllai i nënës sime, Preng Zef Margjeçi, burrë i rrallë. Kur e ka parë në atë gjendje, e ka pyetur:
‘Çfarë ke moj motër?’
Ajo s’ka mundur të përgjigjet nga vaji, ndërsa nëna e saj u ka treguar. Atëherë daja i është afruar nënës dhe e ka pyetur solemnitet:

‘A mund t’i besosh vetes, oj motër, me e rrit djalin? Se veç Zotit në qiell nuk kam çfarë me i ba, se njeri tjetër ty nuk të marton.
-Më lejoni ta rris këtë djalë. E la Zoti pa babë, e mos të rritet dhe pa nanë,
i është shprehur nana ime, mes lotësh.

“Më ka ndenjur nana pranë, në më të mirat ditë të jetës së saj (moshë e re). Jo se është nana ime, por rrallë femër e bënte atë punë në ato kohë, siç ishin kushtet e atëhershme dhe shpesh pa bukë…”

Po si u rrite, a vazh­dove shkollë?

“Jo… mbarova filloren dhe duhej me ndihmue nanën. Shkoja me bagëti dhe më vonë u futa në punë në Ndërmarrjen Gjeologjike. Në moshën 23 vjeç u martova. Më martuan agjat e mi… Ishim familje e madhe, por në atë kohë hyri kooperativa dhe u ndamë. Unë vijova jetën me nënë dhe me nusen. Kam pesë fëmijë sot, të gjithë të rritur dhe me familjet e veta.”

Pra, me punë ia ktheve borxhin nanës?

“Ma shumë se me respekt, me kurgjë tjetër jo… deri kur mbylli sytë në vitin 1994, në moshën 84 vjeçe.”

Diku përmendët se ju kanë rritë agjat. Si i kujtoni?

“Po, po, agjat më kanë rrit, i kam pas tepër të shkathët e të zotë. Natyrisht shiheshin me një farë hije, se u ishte pushkatuar babai dhe vëllai, baba im. Ndaj ishin shumë të kujdesshëm.

Kujtoj se kur erdhën drejtuesit e lartë në Konaj për të bërë thirrje me hyrë në kooperativë, të gjithë i thërrisnin për të nënshkruar, ndërsa agjës tim, Pjetër Margjonit, nuk ia përmendi askush. Varet si e kanë pas synin, ndoshta me e ba kulak se kishte terren për këtë. Ndaj, në ditën e gjashtë të qëndrimit të tyre shtatëditor aty, ka shkuar vetë agja Pjetër në zyrë dhe u ka thënë:
‘Ma sillni letrën ta firmos’ baba dhe vëllai im janë të pushkatuar. Ata i thanë se nuk ia kishin kërkuar këtë rrëfim.
Ai u përgjigj:
‘Epo, e di se sa të dal jashtë, do ju thonë. Ndaj zgjodha ta them vetë.’”

Po fshati, me çfarë syri ju shikonte?

“Në fakt nuk jemi trajtuar keq. Ne shikonim punën tonë dhe fshati dinte të vërtetën, dinte si u ndodh familja ime në ato situata. Më kanë thirrë në dasma e morte, dhe kjo ishte një vlerësim, pasi izolimi ishte shumë i rëndë…”

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest