Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Në Kujtesën Time si Mjek për Kolegun e Ndjerë, Kirurgun Agim Qarri

Homazh për dr. Agim Qarri, një jetë të dhënë në shërbim të njeriut

Nga Pirusti News
7 061 Shikime
SHPERNDAJE

Nga dr. Xhovalin Leka

Në kujtesën e Mirditës, ndër emrat që nuk veniten kurrë, qëndron i gdhendur thellë ai i Dr. Agim Qarrit, kirurgut që jetoi dhe punoi me dinjitet, me guxim dhe me një përkushtim të rrallë njerëzor. Ai ishte një mjek, një profesionist i aftë; ishte një shtyllë besimi, një dorë shpëtimi, një zemër e madhe që rrihte për jetën e të tjerëve.

Mirdita, një krahinë e punës së rëndë dhe e sakrificave, një trevë e minierave dhe e aksidenteve të shpeshta, e njohu Dr. Agimin në ditët më të vështira. Në sallën e kirurgjisë së Spitalit të Rrëshenit, ai u bë garancia e fundit mes jetës dhe vdekjes. I vëmendshëm, i qetë, i përkushtuar deri në orët e vona të natës, ai mori përsipër ndërhyrje të rënda, operacione të organeve jetike, çaste ku duhej të ishe më shumë se mjek: duhej të ishe njeri i guximshëm. E pikërisht këtë ishte Dr. Agimi. Një kirurg që nuk e njihte frikën, që nuk tërhiqej para sfidave, që nuk mbyllte derën asnjëherë për asnjë pacient që hynte në pavijonin e kirurgjisë.

Ai “u shkri” me mirditorët, siç thuhet me atë fjalën tonë të bukur që nuk ka përkthim të saktë. U bë i tyri, i familjes së tyre, i ditëve të mira dhe i netëve të trishta. Mirditorët e panë të punonte krah mjekëve të tjerë të spitalit të Rrëshenit, duke u kthyer në shembull profesionalizmi për shumë të rinj që u rritën në atë mjedis pune e sakrifice.

Më vonë, Dr. Agimi u transferua në Tiranë, por Mirdita e mbajti mend gjithmonë. Ai nuk u harrua kurrë, sepse nuk harrohet njeriu që të ka shpëtuar jetën, njeriu që ka ndezur një dritë në çastet ku gjithçka dukej e errët.

Fundviti 1989 i mori vendit një nga mjekët më të mirë. Helikopteri që po transportonte të plagosurit e aksidentit të Himarës e Llogarasë u rrëzua, duke marrë me vete mjekët, personelin ushtarak dhe pilotët. Midis tyre ishte Dr. Agim Qarri, së bashku me kolegen e tij, Zana Floqin. Ishte një humbje e rëndë, jo vetëm për familjet, por për gjithë mjekësinë shqiptare.

Kujtimi i tij lidhet edhe me humbjet e tjera të mjekëve që ranë në krye të detyrës, si rasti i fundit i Dr. Sandër Balojit, bir i Oroshit, që jetën e dha për të shpëtuar një jetë tjetër. Të gjitha këto histori, së bashku, janë fijet e forta të humanizmit shqiptar. Ato na kujtojnë se mjekët tanë, përtej pajisjeve e sallave të thjeshta të atyre viteve, punuan me shpirt të madh, me atë frymë që lidhet me veprën e Nënë Terezës, vlerë e shenjtë ekumenike për botën, por etnike për ne shqiptarët, sepse në zemrën e saj rrihte gjaku ynë.

Në këtë histori nderimi nuk mund të mos përmendet edhe bashkëshortja e Dr. Agimit, Reshela Qarri, mësuese shembullore e Gjimnazit të Rrëshenit. Ajo ishte dritë e qetë në arsim, ndërsa ai ishte dritë e guximshme në mjekësi, një çift që la gjurmë në shumë jetë.

Në këtë rrëfim nderi hyn edhe emri i Aleksandër Balojit, mjek i ndritur i QSUT-së, biri i gazetarit të shquar Prengë Baloj, që po ashtu humbi jetën në krye të detyrës, duke zgjatur dorën e fundit të shpëtimit te një i sëmurë.

Dr. Agim Qarri nuk është vetëm një emër i së kaluarës.
Ai është një kujtim i gjallë për të gjithë ata që e njohën.

Është simbol i një brezi mjekësh që punuan me nder, me dashuri për njerëzit, me përkushtim të pakushtëzuar human. Në Mirditë, në Lezhë, në Tiranë, emri i tij pëshpëritet me respekt: si kirurg i shkëlqyer, si njeri i mirë, si hero i heshtur i një kohe kur jeta duhej shpëtuar me zemër para se me mjete. E tillë është vlera e tij: e ndritshme, e pastër, e pashlyeshme.
I paharruar qoftë kujtimi i Dr. Agim Qarrit!

Me shume rreth kesaj teme ne Pirusti News:

30 vite nga ngjarja e rëndë ku humbën jetën 26 studentë, mjekë e pilotë, ndër ta Agim Qarri, kirurgu që shërbeu në Mirditë

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest