-Nga Aleksandër NDOJA-
Në shumë raste është provuar se poezia është më e ndjerë për shkak të një misioni që ia vendos vetes. Është e provuar kjo me poetët e rilindjes sonë kombëtare, e cila “prodhoi” më të shumtët në numër por edhe më të spikaturit poetë si Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Andon Zako Çajupi, Zef Serembe, Vaso Pasha, Ndre Mjeda, Dora d’Istria (Elena Gjika), Thimi Mitko e shumë të tjerë në nivele të ndryshme.
Po cila ishte situata e shqiptarëve në kohën kur ky uragan mendimi e fjale shpërtheu, duke mbetur në histori si ndër më cilësorët e kombit?
Nga një vëzhgim i thjeshtë vërehet se situata ishte tejet e rëndë. Nuk kishte shtet, gjuha shqipe ishte e ndaluar në shkolla, Porta Osmane nuk pranonte alfabet shqip, fuqitë e mëdha rrezikonin ta ndanin territorin shqiptar, popullsia ishte e varfër dhe e paarsimuar.
Poezia si mission, rasti i Linda Shaqirit
Ja pra që lehtësisht mund të vërtetohet se poezia është edhe mision. Në këtë kontekst, edhe poetja tashmë e mirëformuar Linda Shaqiri nuk vjen thjeshtë si poete, por si një misionare, e cila përmes fjalës amanet “Medvegjë” bashkoi emra të shquar të artit, kulturës, shkencës e politikës nu në zemër të Tiranës, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, një promovim të librit të saj poetik me kryefjalë Medvegjën, ku është lindur, rritur e formuar në rrugën e shkollimit.
Unë si autor i këtyre rradhëve e trajtova “poezinë si mision“, pasi pikërisht këtu, me propozimin e kryetarit të shoqatës “Tirana”, z. Shkëlqim Hajdari, u vendos që 14 shoqata pjesëmarrëse në atë aktivitet t’i drejtoheshin me një deklaratë dy qeverive shqiptare, atë të Shqipërisë dhe të Kosovës, që të jenë më të vëmendshme dhe të nisin notë proteste qeverisë së Serbisë, e cila në mënyrë të kamufluar ushtron genocid historik ndaj shqiptarëve të Luginës, Medvegjë e Bujanoc, në një farë mënyre dhe ndaj Preshevës.
Medvegja dhe Bujanoci, kjo hapësirë autoktone shqiptare është në të njëjtën situatë po aq të rëndë, si në kohën ku ndodheshin shqiptarët e Rilindjes Kombëtare.
Dëshmia e Shkëlqim Hajdarit
Shkëlqim Hajdari tha se kishte pak ditë që kishte ardhur nga ajo zonë dhe kishte parë shpopullim të skajshëm. Po të vijë policia në banesë dhe të mos të gjejë aty, qoftë edhe nëse ke dalë në Kosovë për treg, të fshin nga regjistri pasaportën dhe pronësinë. Kanë bërë masakër në regjistrimin e popullsisë së zonës duke fshirë me qindra e mijëra familje që nuk janë gjendur për pak kohë aty. Madje edhe nëse mban një veturë me targa të Kosovës, çregjistrohesh menjëherë nga statusi i të qënit medvegjas.
Ndaj u shpreh Hajdari, Linda Shaqiri vjen si mision i asaj treve, i Medvegjës e Bujanocit; vargu i saj është i ndikuar nga situata.
Kohë Paralele: Zëri i Deputetit Shuaip Kamberi
Në parantezë, pikërisht kur sot në Tiranë mbahej ky tubim sa letrar aq patriotik, nga mediat u njoftuam se deputeti i asaj zone, Shuaip Kamberi, kishte plasur “bombën” në parlamentin e Serbisë, duke akuzuar qeverinë për pengimin e krijimit të fondit për Zhvillimin e Luginës së Preshevës në vlerë prej 10 milionë eurosh.
-Asnjë përgjigje për Programin e Veçantë për Policinë Multietnike në Luginë dhe në Sanxhak.
-Heshtje edhe për iniciativën për pajisjen e Komunës së Preshevës me tabela të veta.
-Përveç heshtjes, Qeveria po i bllokon edhe ndihmat e dedikuara për Luginën.
Prandaj, njëra prej pyetjeve të mia drejtuar Kryeministrit të Serbisë sot ishte:
“Pse Qeveria e Serbisë po e bllokon Fondin e Republikës së Kosovës të dedikuar shqiptarëve të Luginës?” – ka përfunduar deputeti, i cili shpesh ka tronditur politikën anti-Luginë të Serbisë.
Promovimi i Librit “Zëri im për ty Medvegjë”
Promovimi i librit me titull “Zëri im për ty Medvegjë“, me autore znj. Majlinda Shaqiri, kishte mbledhur një publik të nivelit të lartë të mendimit dhe artit: profesorë, shkrimtarë, poetë, gazetarë dhe shumë të tjerë nga fusha të ndryshme të artit. Në krye të tyre ishte Presidenti i Shqipërisë (2002 – 2007), Gjeneral Alfred Moisiu.
Takimi u moderua nga avokati Idajet Beqiri, ndërsa një fjalë të detajuar mbi përmbajtjen dhe misionin e librit e mbajti poetja dhe shkrimtarja e mirënjohur Natasha Lako. Xhelil Aliu, zëri i njohur i Radio Tiranës për disa dekada, recitoi poezi nga libri, pasuar nga poeti dhe shkrimtari Albet Xholi.
Fjala e Presidentit Alfred Moisiu
Gjeneral Alfred Moisiu, President i Republikës së Shqipërisë 2002–2007, tha se vendosi të merrte pjesë në këtë promovim sapo mësoi se autorja Linda Shaqiri është mbesa e gjeneralit të mirënjohur të lindur në Medvegjë, Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, Veli Dedi. Presidenti Moisiu bëri një ekspoze të detajuar të gjeneralit Veli Dedi, i cili jetoi e punoi në Shqipëri dhe u varros me nderime, nën kujdesin e vetë Moisiut, në shkurt 1995 në Tiranë.
Vlerësime të Tjera
Një paraqitje të librit ka përcjellë edhe Ilir Yzeiri, gazetar dhe moderator emisionesh historike e kulturore. Përshëndetje u drejtuan nga shumë pjesëmarrës të tjerë, mes tyre emra të shquar si Elena Kadare, Xhevahir Spahiu, intelektualë nga Kosova, si dhe përfaqësues të 14 shoqatave pjesëmarrëse dhe mbështetëse të këtij aktiviteti.
Fjalët e Autores Linda Shaqiri
Në fund, autorja Linda Shaqiri, mjaft e emocionuar nga pjesëmarrja e konsiderueshme dhe cilësore, falënderoi Akademinë e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita” si portë e parë bashkëpunimi me Shqipërinë amë, por edhe shoqatat tjera që mbështetën këtë event.
Jo më kot kam thënë dhe do të vazhdoj të them dhe nuk do të rreshi asnjëherë duke thënë ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar, sepse me të vërtetë gjithçka e rrugëtimit tim, i krijmtarisë dhe veprimtarisë atdhetare lidhet me vargun dhe pikërisht Shqipëria, Tirana janë ato që m’i hapën dyert. Vij nga Medvegja ashtu siç e kuptuat dhe edhe pse jetoj ne Kosovë nga viti kur u shpërngula si fëmijë. Ajo ditë ishte po kjo ditë, si sot, me shi, një zbrazëti shumë e madhe që unë largohem nga vendlindja dhe që aty ka filluar rrugëtimi im i zemrës, lufta ime e ndjenja e brendshme patriotike atdhetare dhe lindën edhe vargjet e para.”, vijoi më tej autorja.
Duke prezantuar kopertinën e librit, ajo përcolli një hartë të Medvegjës, ku stampohet një amanet:
Dy fjalë,
Ti lë amanet,
Mos drejto gishtin në horizontin tim,
Mali që heshtë,
Është guximtar
Betejën e fiton me durim!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

