Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Mark Llesh Ndoja, historia e një humanisti që udhëtoi maleve me çantën e shërimit, duke shpëtuar jetë deri në ditën që iku 49 vjeç.

Rrëfimi i bijës së tij Natashës për Mark Ndojën, infermierin e rrallë që i shërbeu popullit në borë, shi dhe tragjedi.

Nga Pirusti News
7 009 Shikime
SHPERNDAJE

-Nga Aleksandër NDOJA-

Ta nisësh një shkrim për dikë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë njerëzore të një treve është përgjegjësi; por ta nisësh atë për një njeri që ka lënë gjurmë edhe në jetën tënde personale, është akoma më e vështirë. Unë, që mbaj emrin Aleksandër pikërisht prej tij, prej Mark Llesh Ndojës që më “pagëzoi” me këtë emër, e gjej veten sot përballë një detyre që është njëkohësisht nder, mall dhe borxh mirënjohjeje. Të shkruash për Mark Ndojën nuk është thjesht të përshkruash jetën e një infermieri të përkushtuar; është të kthehesh pas në një kohë kur fjala “mjek” në Mirditë nënkuptonte sakrificë, rrugë të pafundme, borë deri në brez, e mbi të gjitha zemër të madhe.

Marku dhe brezi i tij, infeksionisti Gjon Dona, kolegu i tij i pandarë Ndrec Molla, Gjergj Bib Lala, Preng Gjini, Gjon Gjet Tarazhi, Pjetër Hila, Ndrek Zefi, Bardhok Bushi, Llesh Gjoni, Fran Dushi dhe shumë të tjerë, ishin pionierët e parë të shërbimit shëndetësor në Mirditë të viteve ’50. Nuk ishte koha e spitaleve të pajisura, e mjeteve moderne apo e specialistëve me tituj. Ishte koha kur çanta e dorës nuk u ndahej kurrë, kur ata udhëtonin fshat më fshat e mal më mal, shpesh natën, shpesh në mot të egër, për t’i dhënë shpresë atij që i kërkonte ndihmë. Shkonin kudo ku i thërriste jeta, lodhnin trupin, por jo ndërgjegjen. Dhe të gjitha këto pa tarifë, pa shpërblime, pa rryshfet, fjalë që në atë kohë nuk ekzistonte në marrëdhënien e mjekut me pacientin. Zgjidhnin të jepnin më shumë se ç’u kërkohej, sepse besonin se jeta e tjetrit vlente më shumë se lodhja e tyre.

Në këtë panteon të heshtur humanizmi, Mark Ndoja zë një vend që nuk ka nevojë për mermer as bronz, sepse e mban historia dhe kujtesa e popullit. Emri i tij, si ai i kolegëve të tij, meriton të gdhendet në lapidarët moralë të Mirditës, aty ku ngrihen figurat që vendosën themelet e shërbimit spitalor institucional të kësaj treve. Janë vlera të pamatshme, themele që s’mund t’i rrëzojë koha, sepse u ngritën me mund, me karakter dhe me një humanizëm që sot duket thuajse i pakapshëm.

Këtë shkrim e ndërtova mbi rrëfimet e së bijës, Natashës, e cila ka bartur me vete kujtime të dhimbshme e të bukura: nga tragjedia e “qenit të Kaçinarit” ku Marku u përball me rrezikun që më pas i mori jetën, te aksidenti i studentëve të Tropojës, ku ai jo vetëm që vrapoi të shpëtonte jetë, por dha edhe gjakun e tij. Janë rrëfime që të marrin frymën, sepse flasin për një njeri që shpresën e të tjerëve e vuri gjithmonë para jetës së vet.

Ky portret i mjekut, infermierit, humanistit dhe njeriut fisnik Mark Llesh Ndoja nuk është thjesht një rikthim në të kaluarën. Është një thirrje që emrat e këtyre pionierëve të shëndetësisë në Mirditë të mos t’i lëmë kurrë në harresë. Sepse koha ecën, por mirënjohja duhet të mbetet.

 Jeta dhe veprimtaria e mjekut Mark Llesh Ndoja

Mark Llesh Ndoja lindi në fshatin Kodër-Rrëshen të rrethit të Mirditës, në një familje fshatare të varfër, ku u rrit jetim nga prindërit që humbën jetën herët dhe me pesë vëllezër. Që në moshë fare të re, jeta e tij u lidh me rrugën e sakrificës dhe shërbimit ndaj të tjerëve.

Nga luftëtari i ri te infermieri ushtarak

Në shkurt të vitit 1944, vetëm 15–16 vjeç, ai iu bashkua Brigadës së 7 Sulmuese si korrier partizan. Në Vishegrad të Jugosllavisë u plagos në krah, ndërsa gishti i madh i njërës këmbë iu dëmtua rëndë nga acari dhe dëbora, duke iu afruar gangrenës.

Gjatë epidemisë së tifos që ra pas çlirimit, edhe vetë u prek rëndë, por arriti ta fitonte betejën me sëmundjen. Për shkak të moshës së re, komandantët vendosën ta mbanin pranë si infermier, ku për vetëm tre muaj kreu praktikën dhe mori Çertifikatën e infermierit.

Pas luftës, u caktua infermier ushtarak në repartin e ndjekjes në Sarandë, në fshatin Sopik. Aty u njoh dhe u martua me Aleksandra Miho Nikollon. Më pas shërbeu me repartin një vit në Kavajë dhe një vit në Tiranë. Nga rrëfimet familjare kujtohet se në banesën e tyre në Tiranë ka ardhur edhe Bardhok Biba, të cilin Marku e prezantoi si “i pari i Mirditës i asaj kohe”.

Në vitin 1951 u transferua me repartin në Leskovik, ku shërbeu për 5 vjet dhe u çertifikua me titullin e lartë të infermierit. Më tej vijuan transferimet e njëpasnjëshme: Pukë (1958), Han i Hotit (1960), Hajmel i Shkodrës (1962) dhe Bregu i Matës në Shënkoll. Kudo ku shkonte, familja e ndiqte pas, duke ndryshuar qindra banesa e vende. Populli i zonave ku punonte e respektonte thellë për karakterin, zemërgjerësinë dhe profesionalizmin.

Kthimi në Shkodër dhe më pas në Mirditë

Në vitin 1963 u lirua nga repartet e ndjekjes për arsye shëndetësore dhe u vendos si kryeinfermier në Spitalin Civil të Shkodrës.

Në vitin 1964, me kërkesë të drejtuesve të lartë të kohës, u thirr të shërbente në rrethin e Mirditës, ku kishte mungesë kuadri mjekësor. Pranoi menjëherë. U emërua infermier në Spitalin e Rrëshenit, ku shërbeu me përkushtim në disa sektorë të shëndetësisë.

Mark Ndoja ishte njeri me zemër të madhe, i palodhur, i përkushtuar dhe i pajisur me një intuitë të jashtëzakonshme profesionale. Shpesh njerëzit e quanin “doktor”, sepse vërtet zotëronte njohuri dhe praktikë që shkonin përtej profesionit të infermierit. Punonte në kushte tejet të vështira, në shi, në dëborë 2 metra, në terrene ku të tjerët nguronin të shkonin. Edhe jashtë orarit të punës vizitonte të sëmurët nëpër shtëpi, duke u bërë injeksione, shpesh pa marrë asgjë në këmbim.

Ngjarjet e rënda ku dha kontribut të jashtëzakonshëm

-Tragjedia e vitit 1975 me të rinjtë e Tropojës

Në aksidentin ku disa të rinj humbën jetën e të tjerë u plagosën rëndë, Mark Ndoja dha gjithçka që kishte. Vetëm me helikopter u nis dy herë drejt Tiranës duke shoqëruar të plagosurit. Punonte pa pushim; nga të afërmit kujtohet vrapimi i tij në fushën e sportit, me serum në dorë, duke i mbajtur të gjallë të plagosurit. Dhuroi edhe gjakun e tij për studentët, siç kishte bërë edhe në shumë raste të tjera të rënda, gjithnjë pa shpërblim.

-Rasti i qenit të tërbuar në Kaçinar (maj 1976)

Në këtë ngjarje, Marku ishte i vetmi që mori përsipër të transportonte me ambulancë drejt Tiranës personat e plagosur nga qeni i tërbuar. Pavarësisht frikës që kishte kapluar zonën, ai u nis i pari për t’u ardhur në ndihmë. Fatkeqësisht, të plagosurit nuk mundën të mbijetonin, por ai kreu detyrën deri në fund.

Pas rreth një muaji, Markut i shfaqen shenjat e para të infektimit ndoshta transmetuar nga paciente të gjallë apo që vdiqën nga kafshimi i qenit. Brenda tre muajsh sëmundja përparoi, dhe ai ndërroi jetë në pavionin e gjakut në Tiranë, në moshën vetëm 49-vjeçare.

Trashëgimia dhe kujtimi i tij

Vdekja e tij ishte goditje e rëndë për bashkëshorten dhe fëmijët, por edhe një humbje e madhe për komunitetin që e deshi dhe e nderoi. Respekti i njerëzve për Mark Ndojën nuk pushoi kurrë: radha e njerëzve që e përcollën nga spitali ushtarak deri në varreza ishte e pandërprerë.

Edhe pse pushteti i kohës nuk u kujtua të nderonte figurën e tij, populli kujtoi gjithmonë njeriun që kishte trokitur në çdo derë me ndihmë, shërbim, humanizëm dhe sakrificë.

Sot e kësaj dite, brezat që e njohën e kujtojnë me mirënjohje të thellë.
Figura e tij mbetet shembull i pastër i mjekut human, profesionistit të përkushtuar dhe njeriut fisnik.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest