Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Fran Skana, mjeshtri duarartë që bëri diferencën në punë dhe në jetë

(Homazh në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, 23 dhjetor 2005 – 23 dhjetor 2025)

Nga Pirusti News
14 769 Shikime
SHPERNDAJE

-Aleksandër NDOJA-

Kanë kaluar njëzet vite nga dita kur u shua jeta e Fran Zef Skanës, por jo drita e veprës së tij. Jo emri. Jo gjurma. Ka njerëz që ikin, dhe ka njerëz që mbeten jo vetëm nëpër pllaka përkujtimore, por në kujtesën e gjallë të punës, në respektin e heshtur të bashkëpunëtorëve, në historitë që përsëriten me admirim sa herë përmendet fjala mjeshtër.

Fran Skana ishte një prej tyre.

Ai nuk ishte thjesht një mekanik i talentuar i një kohe të vështirë industriale. Ai ishte mjeshtër duarartë, njeri zgjidhjesh, mendje e kthjellët dhe dorë e sigurt, autoritet profesional që nuk imponohej me zë, por me rezultat. Në një kohë mungesash, izolimi dhe kufizimesh teknike, Fran Skana arriti të bënte atë që vetëm mjeshtrit e vërtetë dinë: të kthejë pamundësinë në zgjidhje dhe defektin në funksion.

Fran Zef Skana ishte pinjoll i denjë i një dere të njohur të Oroshit të Mirditës Skanajve, një derë me rrënjë të thella historike dhe me një traditë burrërie, pune dhe dinjiteti. Sipas monografisë “Skanajt e Oroshit të Mirditës, një vështrim kundrues” të autorit Ndue Skana, kjo familje fisnike bart mbi vete një histori dy mijëvjeçare lëvizjesh, qëndrese dhe mikpritjeje, që nga Uskana e lashtë në periferi të Dibrës, në Gjakovë e deri në Mashtërkor të Oroshit, ku kullat ndonëse të rrënuara barbarisht në “turravrape” të pa studiuara dhe pronësitë e tyre flasin ende sot për vazhdimësi e karakter. Në këtë trung të fuqishëm, Fran Skana përfaqësonte bashkimin e traditës së hershme me mendimin praktik modern.

Jeta dhe puna e tij u zhvilluan në një periudhë kur iniciativa individuale ishte e kufizuar, por talenti i vërtetë dinte të gjente rrugë. Nga vitet ’70 deri në mesin e viteve ’90, emri i Fran Skanës u bë sinonim i besueshmërisë profesionale në mekanikën e rëndë: nga Kurbneshi në Rubik, nga Miniera e Spaçit në Fabrikën e Bakrit në Reps, e deri në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Mirditës në Rrëshen. Kudo ku puna kërkonte zgjidhje të vështira, përgjegjësi të madhe dhe ndërhyrje të sigurta, aty gjendej Fran Skana.

Titullin “mjeshtër” ai nuk e mbajti si dekoratë formale, por si njohje reale të një aftësie të rrallë, të fituar me vite pune, sakrifice dhe ndershmërie profesionale. Bashkë me kushëririn e tij, Gjergj Kol Skana, formuan një dyshe profesionistësh ku dija, etika dhe korrektësia ishin po aq të rëndësishme sa vetë teknika. Ata përfaqësonin atë brez punëtorësh që flisnin pak dhe punonin shumë, që nuk kërkonin lavdi, por e fitonin respektin pa e kërkuar.

Në planin njerëzor, Fran Skana ishte figurë unifikuese dhe shtyllë familjare. Vëlla i vetëm me gjashtë motra, bashkëshort dhe prind shembullor, ai u nda nga jeta në mënyrë aksidentale më 23 dhjetor 2005, në moshën 61-vjeçare, duke lënë pas pesë fëmijë të arsimuar e të integruar në shoqëri, ndër ta dy djem, Alfredi dhe Eridani, ky i fundit jurist, që sot ka ndërtuar një biznes me emër në Francë, dëshmi kjo se vlerat e trashëguara nga i ati vazhdojnë të jetojnë.

Por kush ishte në të vërtetë Fran Skana në sytë e atyre që punuan me të çdo ditë?

Çfarë e bënte atë të pazëvendësueshëm në ofiçina, fabrika dhe ndërmarrje ku përgjegjësia ishte jetike? Përgjigjet nuk gjenden vetëm në dokumente apo raporte pune, por në kujtimet e bashkëkohësve, në rrëfimet e atyre që e njohën nga afër dhe që sot e kujtojnë me respekt e mall.   Në vijim, flasin njerëzit që e kanë përjetuar Fran Zef Skanën në punë dhe në jetë bashkëpunëtorë, nxënës, miq për të sjellë jo vetëm kujtesën e një mjeshtri, por portretin e një njeriu që la gjurmë të pashlyeshme.

Kur e pyet Fran Gjinin për kolegun e tij Fran Skana, nuk di si të ndalojë së rrëfyeri. Flet plot emocion duke cekur se nuk kishte lidhje gjaku me të, por sa hërë takoheshim edhe pas mbylljes së fabrikës, në festa apo dasma takoheshim me mall e përqafime si të ishin vëllezër a kushërinj të parë.

Si e kujton njohjen me Fran Skanën?.

Në vitin 1972 mbarova polikumin (tashmë Harri Fulc) dhe u emërova mekanik në fabrikën e Bakrit në Reps. Aty gjeta mjeshtrin duarartë Zef Skanën i cili ishte në vitet e fundit për të dalë në pension. Zefi që ishtë babai i Franit më mbajti afër, më ndihmonte me përvojën e tij, por erdhi dita që të dilte në pension dhe kështu ndodhi. Ofiçina u vendos në vështirësi dhe për këtë arsye, megjithëse në pension, drejtoria e ndërmarrjes e merrte në punë me kohë të pjesshme. Kjo situatë vijoi për disa kohë, deri në vitin 1976 kur u përhap fjala se në vend të tij do të vinte një mekanik po aq i zoti i cili punonte në Ndërmarrjen e Ndërtimit dhe kishte rezultate të larta. Unë megjithëse nuk e njihja, u gëzova shumë se mësova se mekaniku i ri, ishte i biri i mësuesit tim Zefit, që quhej Fran Skana. Kjo ishte njohja ime e parë me Franin me të cilët do të punonim sëbashku deri në vitin 1985, pasi unë u transferova në minierën e Spaçit ku punonin kryesisht të burgosurit.

Si e kujtoni Franin gjatë punës së bashku?

Ishte njeri i qetë, gjithnjë i qeshur dhe i gjendshëm në çdo situatë. Fabrika jonë ishte objekt i rëndësisë së veçantë dhe me mjaft peshë në industrinë e bakrit. Ne ishim një brigadë që, në total, së bashku me manovratorë e traktoristë, shkonim në 40 veta. Makineritë ishin kryesisht kineze dhe, pas prishjes me Kinën, u vendosëm përballë shumë vështirësive. Pikërisht këtu del në pah madhështia profesionale e Franit.

Diçka më konkrete?

Po, ja. Tërmeti i fuqishëm i vitit 1979 na dëmtoi rëndë vinçin gjigand që zhvendoste masivet shumëtonëshe të mineralit. Që të çmontohej dhe të dërgohej në ndonjë uzinë kërkonte angazhim të madh dhe shumë ditë mosfunksionimi. Pikërisht me idenë që dha Frani dhe garancinë që ofroi, arritëm të bindnim Këshillin Teknik për të dhënë “OK”.

Janë dashur 56 orë punë intensive që krahu i vinçit të vihej në funksion. E kapëm me kavallota dhe më pas e mbuluam me saldim. Ishte një përgjegjësi e madhe, ndaj me Franin bëmë testimin e parë. Ai vinç qëndroi në punë deri pas viteve ’90, kur u çua për skrap, ndoshta në Mal të Zi.

Rast tjetër ishte problematika me xhuntën që lidhte elektromotorin gjigand 200 kV me pinjon-koronën e mullirit të bluarjes së mineralit. Nga presioni i fortë në thyerjen e gurëve, xhuntës i prisheshin dhëmbëzimet dhe zëvendësimi i tyre u vështirësua pas prishjes me Kinën. Ishte Fran Skana që hodhi idenë që xhunta të ndërtohej me bazë gomine. U bë plani dhe realizimi. Për disa centrime shkuam në uzinën “Dinamo”. Ideja doli me sukses.

Përveç të tjerave, xhunta me bazë gomine kishte një lloj amortizimi që e bënte shumë jetëgjatë. Ky novacion u kopjua nga shumë ndërmarrje të tjera të përafërta në shkallë vendi, madje edhe nga një fabrikë në Rehovë, në Korçë. Kjo metodë u aplikua edhe në fabrikën e re që u ndërtua po në Reps. Fama e tij u përhap gjerësisht, jo vetëm në Mirditë, por edhe jashtë rrethit. Përveç këtyre, Fran Skana ishte i domosdoshëm për procesin, pasi gjithmonë duhej të ishte vigjilent dhe i vëmendshëm në vijimin e punëve.

Mark Dodaj, ndihmës i Franit në repartin mekanik, në Ndërmarrjen e Ndërtimi.:

E kujtoj si sot, thotë Mark Dodaj. Ka qenë data 28 gusht i vitit 1978, kur sapo kisha mbaruar Shkollën e Mesme Industriale “Petro Sota” në Fier dhe, me një autorizim nga Drejtoria e Ndërmarrjes në dorë, u paraqita në ofiçinë te Fran Skana. Ishte takimi im i parë dhe më mbeti në kujtesë për mirëpritjen që më bëri mua, që sapo vija nga bankat e shkollës.

Fran Skana bënte diferencën, përsërit disa herë Marku, i cili rrëfen papushim sapo futet në rrjedhën e kësaj bisede. Bënte diferencën së pari në fizionomi, në pamje kreshnik tipik malësor, me fytyrë të gjerë dhe pamje burrërore. Bënte diferencën në sjellje e komunikim, por mbi të gjitha bënte diferencën në profesion.

“Nuk e di,” shprehet Marku, “ dukej sikur kishte një fuqi të mbinatyrshme si motorist. Na ka ndodhur të merremi me orë të tëra me riparimin e ndonjë mjeti dhe ka ndodhur që nuk ja dilnim për ta ndezur, por çudia ishte se sapo e prekte Frani motorin, defektet dukeshin sikur nuk kishin ndodhur kurrë.”

Puna pranë Franit ishte shkolla e vërtetë për mua. Megjithëse isha i pajisur me kategori të mesme, të punoje me një mjeshtër si ai ishte sikur të mbaroje për inxhinieri. Për shtatë vite që punuam bashkë, ishte kohë e artë për mua, pasi më rastisi të qëndroja në një dhomë me Franin, sepse si ai ashtu edhe unë i kishim familjet larg.

Edhe në dhomë ishte mjaft i rregullt, aq sa edhe aty mësoje prej tij. Kishte një kulturë bazike të trashëguar nga familja. Një rast më ka rastisur të ktheheshim vonë nga një shërbim pune dhe u ndalëm të dy pranë familjes së tij në Mashtërkor. Jam mahnitur nga niveli kulturor dhe emancipimi që prezantohej aty, në atë kullë shekullore, në vite kur situata kudo në Mirditë ishte ndryshe.

Më vjen keq për atë ngjarje aksidentale që i ndodhi njëzet vite më parë, ku humbi jetën në moshën më të mirë, 61-vjeçare, përfundon Marku, i cili duket se përhumbet në brazda kujtimesh.

Rrëfen Bib Loci, mik dhe bashkëpunëtor 15 vite me Fran Skanën.

Kur erdha në vitin 1970 nga Kurbneshi në Rrëshen, u caktova tornitor në ofiçinën e Ndërmarrjes së Ndërtimit. Ndër të parët me të cilët u prezantova aty ishte Fran Skana. Nuk e kuptoj as sot se sa shpejt u krijua miqësia mes nesh, aq sa vetë Frani, si më i vjetër në ndërmarrje, më ofroi mundësinë të sistemohem në dhomën e tij, në hotelin e punëtorëve të Ndërtimit.

Punonim në një ofiçinë: unë tornitor, ai motorist. Përtej punës, dilnim shpesh së bashku në qytet dhe pothuaj çdo ditë na bashkohej edhe Lekë Lleshi, rrobaqepës. Rrinim së bashku dhe kalonim kohë në shoqëri të ngushtë. Frani ishte njeri me shumë humor; lëshonte batuta pa fund, aq sa shpesh shkriheshim së qeshuri.

Megjithatë, ndodhte ndonjëherë që, nga entuziazmi i bisedës apo ndoshta edhe me ndonjë prapavijë të hollë, të lëshonte ndonjë romuz. Të paktën në një rast, kjo situatë gati na kushtoi shtrenjtë, pasi fjala përfundoi në Komitet. Falë Parashqevi Shehut, nënkryetare e Komitetit, gjithçka u mbyll pa pasoja. Ishim shumë të rinj, rreth 25-vjeçarë, ndaj duhej treguar kujdes, sepse e dinim mirë pozicionin tonë. Sidomos Frani kishte problem me biografinë, prandaj çdo rrëshqitje mund të sillte pasoja.

Në punë, Frani ishte tejet i zoti dhe nuk i trembej kurrë punës. Mjaftonte të komunikoje me të dhe zgjidhja vinte patjetër, ndonëse profesionet ishin të ndara, por gjithsesi bashkëpunimi ishte parësor. Frani kombinonte mirë në punë dhe kishte mik të ngushtë edhe Rexhep Sadrinë, nga Tropoja, i cili punonte me ne në ofiçinë si avolzhues elektromotorësh e natyrisht elektricist. Shpesh shkonte me të në Kukës dhe sillte prej andej përvoja të vlefshme nga jeta atje.

Me Franin punuam shumë vite bashkë. Nga Ndërmarrja e Ndërtimit u larguam në të njëjtën kohë: unë në Ndërmarrjen e Grumbullimit, ndërsa ai në fabrikën e Repsit. Edhe pas largimit, ruajtëm gjithmonë komunikimin. E dija se nga Rrësheni e larguan në mënyrë të pakuptimtë, pikërisht në kohën kur kishte kërkuar të bënte pasaportizimin e tij.

Natyrisht, edhe pse ishte mjeshtër në profesion dhe korrekt në sjellje, jo të gjithë e kishin me sy të mirë. Megjithatë, me keqardhje të thellë e them edhe sot se ndarja e vërtetë me Franin ndodhi atë ditë fatale të funddhjetorit, 20 vite më parë…

FUND…..

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest