Nga Gjovalin LLESHAJ
Inxhinier Pjetër Tarazhi, që sot mbylli sytë për t’u ndarë fizikisht nga jeta, krahas veprimtarisë së tij inxhinierike dhe drejtuese në ekonominë minerale të vendit tonë për dekada me radhë, ka edhe një rastësi të bukur: është personazhi i romanit “Dimri i Madh” i shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, për gjestin e madh atdhetar të kryer në Moskë, në stacionin e trenit, tek ishte atje student, duke shoqëruar me vrap për disa metra në platformën e betonit trenin që përcillte si të padëshiruar delegacionin shqiptar në mbledhjen e 81 partive komuniste.
Në rreshtat në vijim, të cilët i shkëputa nga romani i Kadaresë, të duket se dëgjon dihatjen dhe rrahjet e shpejta të zemrës së studentit tonë të paharruar.
……
“Treni ecte akoma shumë ngadalë dhe studentët, me fytyra pothuajse të ngjitura te xhamat e dritareve të vagonit, e ndiqnin atë me një vrap të lehtë. Sytë e tyre të mëdhenj ishin fare pranë. Ata dukej sikur po pyesnin: ç’po ndodh, pse s’na i thoni edhe neve të gjitha? Treni sa vinte e shtonte shpejtësinë dhe ata, njëri pas tjetrit, u shkëputën nga xhamat, duke mbetur aty-këtu në platformën e gjatë.
Besnikut i kishte mbetur në mendje i fundit prej tyre, një djalë i gjatë që e ndoqi trenin më larg se gjithë të tjerët. Gjunjtë e tij përthyheshin gjatë vrapimit në një mënyrë të veçantë. Pastaj edhe ai kishte mbetur pas. Treni linte pas me shpejtësi rrethinat e Moskës, duke u sulur mes përmes Rusisë.”
Pjesë e shkëputur nga romani “Dimri i Madh” i Ismail Kadaresë

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

