Nga viset me liri të munguara, reportazhi vjen nga Dod Luli.
Mbi tre muaj iu desh grupit të punës (Sazan Guri, Lela Qejvani, Dod Luli, Marçel Lacaj dhe Lindita Zefi) të mbartte e të grumbullonte prej miqve e shokëve mbi 4400 tituj librash dhe, më datë 26 të shkurtit 2026, nadja herët – siç thonë shkodranët – u nisën për të bërë të mundur leximin e tyre në katër biblioteka të Luginës së Preshevës (Pazar i Ri, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë).
Ndalesa në Mitrovicë, mikpritje dhe kujtesë
Diku nga dreka mbërritëm në Mitrovicë, që shumica jonë e kishte për herë të parë, ku u pritëm nga profesor Pajazit Hajzeri, anëtar i Akademisë “Rrënjët Tona”, dhe komandanti legjendar Nexhat Dedia, të cilët na u lutën për sofrën e drekëpritjes, por me pak kujdes e shmangëm, pasi nuk mund të shkonte, sepse ata ishin me agjërimin e radhës.
Në fakt, nuk ngopëm barkun, por ngopëm syrin, mendjen, shpirtin, sepse Komandanti na tregoi muzeun e shtëpisë së vet, që përmbante tre muze, njëri më dinjitoz se tjetri.
I pari ishte oda e burrave, e veshur me petka e vegla të etnokulturës iliro-dardane, ku kuvenduam vënçe, si në log burrash. Më pas, komandanti na tregoi dhomëzën-muze të gjeologjisë, me mijëra gurë xhevahiresh nga miniera e Trepçës (Mitrovicë), ku kushdo kupton si ka mundësi që kaq të pasur dhe njëherësh kaq të varfër historikisht shqiptarët, shpesh për faj të të tjerëve, por edhe për faj të vet.
Pasi lamë dhjetëra kuti me libra, aq sa një person i vetëm zor se i ngrinte, u përqafuam me Komandantin dhe zonjën e vet, që na shërbeu si kameramane e regjizore, dhe iu drejtuam kufirit me Sanxhakun ose me Serbinë, por më parë vizituam pjesën serbe të Mitrovicës së Veriut, ku aty pamë forcën vitale të popullit shqiptar.
Dy Mitrovica – dy realitete
Në vitet 1999–2000, lufta rrafshoi gjithçka në Mitrovicë, si qyteti i Essenit të Gjermanisë më 1945, dhe ç’të shikoje sot? Një Mitrovicë moderne, e gjallë, plot shpresë, ndryshe nga pjesa veriore e urës së vdekur, ku mbizotëronte zymtësia.
Dhe për të ngjallur këtë shpresë, autoritetet serbe kishin ngritur statujën 10–12 metra të lartë të car Llazarit, humbësit të madh qysh në minutat e para të Betejës së Kosovës. Por, si për ironi, përballë këtij humbësi të madh rrinin tre gërma të fituesit të artë, si ajo UÇK-së.
Përkarshi lokaleve të zbehta të shtetit fqinj, të vendosura dikur me dhunë, gëlonin me paqe e shndrisnin tashmë njësitë e shërbimit, deri në supermarketet e shqiptarëve të Dardanisë. Hajde vitalitet, hajde.
Kalimi i kufirit – pengesa dhe vendosmëri
Na duhej të kalonim dy herë kufirin me Serbinë, të cilët na lanë një pjesëtar të ekipit, megjithëse zonjë në moshë, pa e futur në Sanxhak, sepse kishte pasaportë shqiptare dhe jo ID, ku ata, për hatër të të thatit (që nuk njihnin Kosovën), digjnin edhe të njomin (shqiptarin e Shqipërisë).
U thamë se po vemi për një kafe dhe ata prisnin që të ktheheshim të gjithë, por misioni për të çuar librat atje duhej të vazhdonte. Kur na pyetën nëse keni gjëra për të deklaruar, iu përgjigjëm njëzëri se s’kemi asgjë dhe, duke na parë persona në moshë, të kollaritur – besoj se kjo do të ishte arsyeja – na lanë t’i drejtoheshim Sanxhakut, Pazarit të Ri.
Tutini, Peshtira dhe rruga drejt Pazarit të Ri
Për 80 km rrugëtim filluam të ndeshnim banesat e para të fshatrave Tutin, Peshtirë, ende sot me shqiptarë të mbetur, shkak që i bën dhe i mban ende të varfër e të prapambetur.
Duke hyrë drejt qendrës së Sanxhakut, dikur Pazar i Ri, plot e përplot me shqiptarë – siç duket në këtë foto, sot Novi Pazar, plot e përplot sërish me shqiptarë, por shumica e tyre baresnin si gjethe peme që nuk e dinin se të kujt peme ishin.
Por një gjë, aman: nëse i pyesje se ku binte hoteli VRMA, ia të qeshnin dhe të ndihmonin; ndërsa kur pyesje dikë jo arbnor, ulte kokën ose thoshte “ne znaem”, ose të shihte vëngër.
Në Zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar
Si përfundim, mbërritëm te Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar, te znj. Amina Nuraj, e cila, pas pritjes e mikpritjes, na dëftoi atë pak ekspozitë, e varfër jo, por as edhe e pasur, për faktin se ngjarjet mbi shqiptarët, pikërisht në Sanxhak, ku brenda tre ditëve janë kaluar në thikë e satër 16,000 shqiptarë për një fakt të vetëm, pse ishin shqiptarë, ose pse flisnin gjuhën e vet – si gjyshi i zonjës Amina, që u thirr në polici i spiunuar, ku iu rrop lëkura dhe më pas iu stampua kripa.
Liruam librat nga kashunët e mbushur, jo pak, por mbi 1200 të tillë, dhe ai sallon-zyrë dukej se nuk kishte të ngopur. Ndaj i premtuam znj. Amina se herë tjetër do të vijmë, jo thjesht me libra, por do të bëjmë çmos të plotësojmë memorien historike të asaj pjese të Kombit shqiptar në Sanxhak, me foto, me postera, me kompjuterë, me pajisje didaktike, për të kujtuar ngjarjet që të mos na përsëriten dhe për të mos i harruar ato, që të kujtojmë rrënjët.
Një premtim për t’u kthyer
Me shpejtësi u kthyem me premtimin ndaj vetes dhe znj. Amina se sërish dhe së shpejti do të kthehemi, duke e mbajtur kokën pas për në Sanxhak dhe shpresën para; dhe, me ndihmën e Zotit, diçka shumë më tepër do të bëjmë ne – dhe jo vetëm.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

