Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Belsh dhe Lugo (Itali) firmosin marrëveshje bashkëpunimi kulturor, turistik dhe ekonomik

Dumrea Summer Fest shënon nënshkrimin historik të marrëveshjes Tafani – Zannoni.

Nga Pirusti News
1 138 Shikime
SHPERNDAJE

Aleksandër NDOJA

Një qytet me histori dhe bukuri natyrore

Për të paktën 10 vjet, është folur shumë për Belshin. Një qytezë që ndodhet vetëm 65 km nga Tirana, e arritshme përmes unazës së madhe drejt tunelit të Kërrabës, duke shmangur hyrjen përmes Elbasanit, mbërrin në jo më shumë se 60 minuta.

Edhe pse është shkruar e folur shumë për këtë qytet, Belshin nuk mund ta imagjinosh plotësisht nëse nuk e viziton të paktën një ditë. Ky qytet, pjesë e krahines së njohur të Dumresë, njihej në komunizëm si zonë bujqësore, ku shpesh vendoseshin familjet që regjimi konsideronte të padenja ose kundërshtarë. Në post-komunizëm, kjo zonë vazhdonte të prezantohej si vend me rrugë të baltosura dhe liqene në gjendje kaotike, pa mirëmbajtje.

Sot, kur ngjitesh në Qafën e Gradishtës, ku është ndërtuar kulla panoramike rreth 5 kate për vizitorët, një objekt që shërben si platformë për të parë gjithë zonën e Dumresë dhe liqenet përreth, panorama është mbresëlënëse. Para syve shfaqet liqeni dhe qyteti, aq sa të kujton një ndër 7 mrekullitë e botës, Kopshtet e Varura të Babilonisë. Dielli ndrin mbi banesat e bardha dhe ndërtime të tjera rreth liqenit, ndërsa në liqenin e kaltër lëviz një traget dykatësh që shëtit vizitorët pa pushim. Profesori i njohur i Medvegjës, Rexhep Abazi, me të folurën e tij karakteristike, shprehet se Zoti duket ta ka qëndisur me shumë kujdes këtë vend.

Qyteti i gjallë dhe atmosfera festive

Pas pak minutash, gjendemi në qendër të qytetit, e cila ka marrë pamje festive. Vazot me lule shumëngjyrëshe rrethojnë liqenet dhe hapësirën ku shtrihet qyteti, duke përsosur panoramën vizive. E gjithë hapësira është e shtruar dhe e dekoruar me elemente dekorative të përhershme, ndërsa “çuditërisht”, këtu edhe shatrivanët punojnë pa ndërprerje, si në verë, ashtu edhe në dimër.

Qytetarë të shumtë kanë mbushur ambientet dhe kafet përballë liqenit, ndërsa nxënës të shkollave dhe tregtarë të ndryshëm ofrojnë produkte të zonës, ku kryefjalë janë ballokumet tradicionale të Dumresë.

Në këtë moment, mes njerëzve që shijojnë produktet dhe vallet e grupeve artistike të shkollave, shfaqen kryetari i Bashkisë së Belshit Arif Tafani dhe delegacioni i komunës Lugo afër Ravenas, i kryesuar nga kryetarja Elena Zannoni dhe stafi i saj. Në përbërje të delegacioneve ishte edhe Konfederata e Shoqatave Shqiptare në Itali, përfaqësuese e 14 shoqatave, kryesuar nga Granit Muçaj, si dhe Dritan Ferhati, kryetar i Shoqatës Vatra Shqiptare në Lugo, ndër të cilët spikaste edhe njeriu i artit dhe kulturës, Petrit Aliaj.

Delegacionet u ndalën në çdo stendë dhe tavolinë. Kryetarja Zannoni shfaqej kurioze për shumë detaje të kulinarisë, veshjeve tradicionale dhe përpunimeve të ndryshme, ndërsa vizitorët, fëmijë dhe të rritur, vallëzonin duke i dhënë ambientit një gjallëri të veçantë. Gastronomia mbetet një nga arsyet kryesore që tërheq turistë gjatë gjithë vitit.

Dumrea Summer Fest dhe marrëveshja historike

Pas vizitës në disa ambiente të qytetit, delegacioni i komunës Lugo dhe përfaqësuesit e shoqatave nisen për një drekë miqësore në një resort pranë liqeneve. Liqenet e Belshit, në zemër të Dumresë, konkurrojnë bukurinë e njëri-tjetrit, ndërsa ndërtimi i resorteve turistike po i jep zonës dimensionin modern. Janë 84 liqene karstike të shpërndara mes kodrave, që krijojnë një peizazh të rrallë natyror, duke ndërthurur bukurinë, qetësinë dhe biodiversitetin e zonës, një nga mrekullitë natyrore të Shqipërisë.

Dreka ishte tejet e bollshme dhe e vlerësuar nga miqtë italianë, por edhe atmosfera mikpritëse në Belsh kontribuoi në suksesin e vizitës. Në mbrëmje, nënshkrimi i marrëveshjeve mes dy bashkive dhe shoqatave çoi në një hap të ri në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të rajonit.

Dumrea Eco Park, pranë Liqenit të Marinzës, u zhvillua Dumrea Summer Fest, me muzikë live, aktivitete në natyrë dhe vizitorë të shumtë. Pikërisht gjatë këtij eventi, Arif Tafani dhe Elena Zannoni nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit kulturor, turistik dhe ekonomik midis dy bashkive. Kjo marrëveshje synon të promovojë zonat përkatëse dhe të sjellë mundësi të reja për komunitetet lokale.

Në këtë event, kryetarët gjithashtu mbollën pemën e miqësisë mes dy komunave. Mbrëmja u mbyll në një atmosferë festive dhe mikpritëse, e vlerësuar pa limit nga miqtë italianë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve vendorët firmosën edhe bashkëpunimin mes Federatës së Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) dhe Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në Botë, të përfaqësuar nga Granit Muçaj dhe akademiku Murat Ajvazi.

Vizita në fabrikat lokale dhe liqenet historike

Dita e dytë, më 14 mars, filloi me vizitë në fabrikën moderne të prodhimit të vajit të ullirit “JOLLA – Vaj Ulliri Extra i Virgjër”, ku pronari tregoi se produkti eksporton kryesisht në Itali dhe SHBA, me plane për Zvicrën. Kryetarja Elena Zannoni u njoh me teknologjinë dhe procesin e përpunimit, si dhe cilësinë e lartë të ullinjve të zonës.

Pas fabrikës, delegacioni vizitoi Liqenin e Seferanit, pranë së cilit ndodhet Statuja e Afërditës, dëshmi e kultit të perëndeshës së dashurisë nga periudha ilire dhe helenistike. Arif Tafani shpjegoi rëndësinë historike të liqenit dhe gjetjet arkeologjike, përfshirë terrakota të shekullit III para Krishtit, të cilat ruhen në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Çdo vit, pranë statujës zhvillohen aktivitete kulturore dhe ceremoniale, duke mbledhur vizitorë dhe historianë.

Galeria “Dy Botët”: Art dhe histori në një hapësirë unike

Një vizitë tjetër ishte në zonën e Seferanit, ku ish-depot ushtarake të komunizmit janë transformuar në galerinë arti “Dy Botët”, konceptuar dhe kuruar nga piktori Helidon Haliti. Kjo galeri përmban ekspozitën “Mes Dy Botëve”, me portrete të 63 personaliteteve të artit dhe kulturës, të intervistuar në emisionin televiziv “Mes dy botëve”RTSH-së. Galeria krijon një dialog mes së kaluarës dhe të tashmes, duke lidhur vizitorët me përvojat personale të artistëve.

Një panoramë e Dumresë dhe vizita në Berat

Më pas, grupi vizitoi Beratin, vetëm 50 minuta nga Belshi, duke ofruar një dimension tjetër turistik. Vizita përfshiu kalanë e njohur të qytetit, rrugët dhe kafet, dhe përfundoi me një darkë miqësore në Belsh. Artistë lokalë dhe miqtë italianë, përfshirë Elena Zannoni, u bashkuan në këngë dhe valle, ndërsa këngëtarja e re Ana shkëlqeu si e ftuar speciale në aktivitet, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve me zërin e saj të veçantë.

Belsh 13-14 mars 2026

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest