Nga NDUE DEDAJ
Doktor Ndue Cara ishte një personazh i “çuditshëm” i kohës së sotme, në rrethin e Pukës, ku shërbeu gjithë jetën e tij 77-vjeçare. Ai qe drejtues në të dy kohët, gjithëherë i njëjti, dje si shef i Shëndetësisë së rrethit, pa qenë anëtarë Partie, në vitin 2000 si kryebashkiak i Pukës për një mandat dhe më pas për dy mandate kryetar i Komunës së Gjegjanit. Ato vite që i mbeti “borgj” komunitetit si mjek, teksa ishte drejtues i pushtetit vendor, ia ktheu duke shkuar mjek në skajin më të largët të rrethit, në Fierzë pas daljes në pension për më shumë se një dhjetëvjeçar.
Të gjithë shkonin drejt Tiranës, kurse doktor Ndue Cara ngjitej në pleqëri maleve, si të ishte djalosh në fillimet e karrierës, atë fillim vitesh ‘70. Mund të jetë i vetmi ish-kryebashkiak në Veri që nuk zuri si të tjerët Tiranën. Në Pukë e veshi për herë të parë bluzën e bardhë dhe po aty e la, kur mbylli sytë, pas një sëmundje të rëndë. Bash për këto veti të karakterit dhe të personalitetit të doktorit, në varrimin e tij në qytetin e Pukës, ku është familja, u dyndën aq shumë pukjanë, mirditorë e jo vetëm, nga Tirana, Shkodra, Lezha etj.
Gjithmonë janë çmuar njerëzit kundër “rrjedhës”, dhe doktori ishte një i tillë. Na ka rastisur të takojmë disa veta që e kanë njohur qysh herët dhe kanë punuar me të në mjekësi, apo në pushtetin vendor, dhe, siç është bërë zakon të thuhet, “fjalët më të mira”, ose, më saktë, nga ato çka thoshin, përvijohej natyra e tij si njeri që nuk bënte kompromis me asgjë që nuk ishte e ndershme. Një rast nga vitet ’80. Në Shkodër bëhej analiza vjetore e Shëndetësisë, me pjesëmarrjen e anëtarit të Byrosë Politike që mbulonte sektorin si anëtar qeverie. Ai e kritikoi shefin e shëndëtësisë së Pukës dhe tha se do të shkarkohej për mosarritje në punën e disa qendrave shëndetësore në zonat e thella, dhe në çast shefi Ndue Cara, mori çantën e me hapa të lehtë doli nga salla e mbushur plot e përplot me personel mjekësor. Mbas mbledhjes, zëvendëskryeministri u kujtua për të dhe vajtën e e thirrën. “Si ike ashtu, nga mbledhja?” “A nuk më shkarkuat, çfarë do të bëja më aty?” ishte përgjigja, çka bëri të vijonte në dëtyrë.
Ai nuk dinte t’i lustronte gjërat, t’i zbuste vështirësitë duke fajësuar të tjerët, duke bërë premtime që nuk mund të mbaheshin. Ai si mjek dhe kuadër drejtues ishte i ndërgjegjshëm për vështirësitë e shumta të një rrethi si Puka, me një terren jashtëzakonisht të thyer dhe të hapur dhe këtë donte që ta dinte mirë dhe udhëheqja e vendit, duke mos kërkuar të pamundurën. Evidencat ishin gjëja e fundit për të, i rëndësishëm ishte shëndeti i njerëzve.
Një ditë vere të vitit 2024 ndaluam në Fierzën e hidrocentralit emblematik, “kështjella” e energjitikës shqiptare për të përshëndetur doktor Ndue Carën, që shërbente atje prej disa vitesh, edhe pse i kishte kaluar të 70-at. Ai bënte zakonin e vjetër të mjekut, hapjen e kartelave për të sëmurët e zonës, mbi 2000 të tilla, ani se jo pak nga kolegët e tij më të rinj nuk harxhonin kohë mbi “letra”.
Mund të tregohen plot episode për Nduen si kuadër dhe mjek, por nuk është vendi për t’u zgjatur. Ama, ishin këto tipare në punën e tij që e bënë të votohej sa herë kandidonte. Urtësia, përkushtimi, fjala me vend dhe ai “rebelizmi” ndaj burokracisë do të shfaqeshin dhe në kohën që ai drejtonte Pukën apo Gjegjanin si kryetar vendor. I respektonte dhe bashkëpunonte me të gjithë ata lart, por paktin e kishte me njerëzit e thjeshtë, deri në frymën e fundit.
Njerëz si doktor Ndue Cara ikin në heshtje, por nuk mbetën në heshtje…

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

