OPINION
Nga Aleksandër NDOJA
Që në krye të herës më duhet të saktësoj se krahina e mirënjohur e Mirditës, për arsye krejt të kuptueshme pasi në histori nuk e ka njohur nënshtrimin, është ndeshur me politika kriminale nga regjime të kaluara, sidomos ai komunist. Për ta nënshtruar apo për ta mbajtur nën kontroll, reforma territoriale si ajo e vitit 1949, por edhe ndërhyrje të mëvonshme, realizuan një krasitje të kufijve të saj, duke i kaluar zona të tëra nën administrimin e rretheve të tjera. Pra, padyshim, fati i Mirditës në këtë aspekt është i njëjtë me fatin e Shqipërisë dhe jo rastësisht.
Është në dukje çudi, por Mirdita është ndoshta e vetmja krahinë në Ballkan e më gjerë që, ngado të dalësh nga kufiri i saj administrativ, do të takosh mirditas që, edhe pse nën administrimin e krahinave fqinje, ruajnë me fanatizëm veshjen, traditën dhe zakonet e Mirditës mëmë. Kjo e bën analogjinë me Shqipërinë edhe më të fortë: ashtu si shqiptarët jashtë kufijve shtetërorë, edhe këta banorë mbeten pjesë e një trungu të vetëm kulturor e shpirtëror.
Pse është e ngjashme me Shqipërinë?
Sepse, siç dihet, me vendimet e marra jashtë vendit në vitin 1913, në Konferencën e Londrës, por edhe me lëshime të mëvonshme të brendshme si rasti i Shën Naumit, kudo që të dalësh nga kufijtë administrativë të Republikës së Shqipërisë përjashto detin, do të takosh shqiptarë po aq të kulluar, të ndarë mizorisht nga trungu amë. Kjo nuk është thjesht një tezë historike, por një realitet i prekshëm në terren.
E ndërsa flasim për padrejtësi të vërtetuara dhe dukshëm të qarta, duhet theksuar se asnjëherë nuk është vonë për korrigjimin e tyre. Jo për t’u kthyer në slogane naive si “Mirdita e Madhe”, siç u artikulua në mënyrë adoleshenteske nga ndonjë media, por thjesht dhe saktë: për një Mirditë natyrale dhe një Shqipëri natyrale.
A ishte në këtë frymë takimi i zhvilluar dy ditë më parë nga Bashkia Mirditë?
Për të dhënë një përgjigje të saktë, duhet bërë një analizë e thjeshtë, por e vëmendshme. Nga ajo që u pa në media, një tryezë e zakonshme, me disa lule dhe shishe uji në qendër një rutinë tipike për aktivitete të tilla. Dhe, për të shmangur çdo insinuatë, më duhet të sqaroj se edhe pse pata një lutje në formë urdhri miqësor nga stafi organizator për të mos refuzuar ftesën, ajo ftesë nuk mbërriti kurrë.
Megjithatë, ajo që do të kisha thënë në atë takim, po e them sot hapur: e vetmja arsye është t’i shërbej korrigjimit të një situate absurde që vazhdon prej gati një shekulli. Së pari, organizimi nga ana e bashkisë rezultoi të ishte vetëm një show i panevojshëm, një kopje e zbehtë dhe deri diku tallëse e një përpjekjeje të vitit 2009, kur në prag zgjedhjesh u mblodhën mijëra firma për këtë çështje, firma që përfunduan në sirtar dhe aty mbetën.
Nëse bashkia do të ishte serioze, duhej të paraqiste një raport të detajuar mundësish, të hartuar nga një grup pune i angazhuar realisht në terren. Duhej të kishte një proces të mirëfilltë konsultimi derë më derë në zonat mirditase që sot administrohen nga njësi të tjera: në Mnellë e Vig, Gjegjan e Fushë-Arrëz, Kaluer e Ungrej, Ulzë e Baz, e më tej. Duhej të ishin marrë mendime nga individë të përgjegjshëm, që nuk mungojnë në këto zona, për të kuptuar realisht gatishmërinë e banorëve për të orientuar jetën e tyre drejt Rrëshenit, duke u shkëputur administrativisht nga Shkodra, Puka, Lezha apo Mati.
Në atë takim, përveç pjesëmarrësve, të gjithë të nderuar dhe të përgjegjshëm në fjalën e tyre duhej të ishin të pranishëm dhe të dëgjoheshin drejtues institucionalë të këtyre zonave jashtë Mirditës administrative, si dhe mendje të ndritura intelektuale. Sepse, në fund të fundit, për ta po flitej. Dhe lind pyetja e natyrshme: si mund të flitet për ta, pa i pasur ata në tryezë?
Ja pra se ku qëndronte detyrimi real i bashkisë. Ky detyrim nuk përmbushet me disa mesazhe në celular dhe një tavolinë të zbukuruar me lule. Referuar të gjitha këtyre detajeve, takimi i 22 prillit në hollin e bashkisë ishte thjesht një aktivitet formal, një përpjekje për të prodhuar imazh mediatik të përkohshëm, i destinuar të harrohet pas disa klikimesh.
Në thelb, ai nuk ishte gjë tjetër veçse një përsëritje e një modeli të dështuar vitin që kaloi: një aktivitet që, përtej dëshirës së mirë të një rrethi të ngushtë organizatorësh, nuk prodhoi asnjë vlerë konkrete, por vetëm disa momente kalimtare ekspozimi në rrjetet sociale, një lloj “sfilate” moderne që shuhet po aq shpejt sa ndizet.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

