Ishte viti 2003, duhej me s’bën të shkoja në Amerikë sepse im vëlla martohej. Mezi prisja të shkoja t’i takoja vëllezërit dhe imagjinoja sa e gëzuar do isha të isha prezente në dasmën e tij. Por si do shkoja?! Duhej një vizë amerikane. Më mërziste fakti që duhej të shkoja në ambasadë, të provoja ankthin e pritjes dhe në fund të më refuzohej viza. Kisha marrë një refuzim të mëparshëm dhe e urreja atë ndjesi.
Dërgoj aplikimin për vizë, që në atë kohë bëhej me postë, dhe po më vonohej shumë. Pyes dhe më thonë se rregulli ka ndryshuar dhe se duhej të fusja një zarf me pullë brenda zarfit, d.m.th. përgjigje e paguar. … dërgoj kërkesën tjetër me zarf të paguar, por koha nuk mjaftonte. Si përfundim, më vjen data për intervistë pas datës së dasmës.
Aty u mërzita aq shumë sa s’bëhej. Shkoj për ditën e intervistës pa ndonjë gëzim, sepse tashmë dasma ishte bërë pa mua dhe unë, që mbaj mend, qaja nga dëshpërimi që nuk munda. Sa të koklavitur ta bënin jetën këto lloj pengesash… Nejse, futem në ambasadë dhe më japin vizën njëvjeçare për herë të parë.
Im vëlla ishte në muaj mjalti tashmë. I marr në telefon dhe e gëzuar i them se e mora vizën më në fund. Ai më thoshte: “Bëj dasmë prapë për ty unë!” Por unë atë kohë isha shtatzënë me vajzën e dytë, Dean, kështu që më takonte të udhëtoja vet i dytë, me një biletë teke.
Marr vendimin ta lind vajzën në Amerikë, pasi të paktën ajo, ime bijë, nuk do provonte të tilla emocione, aplikime, refuzime e marrje vize. Dhe kështu bëra. Shqiptaro-amerikania lindi në New York, në kryeqytetin e botës.
Historitë me Amerikën i kisha dëgjuar që kur isha e vogël. “Gjyshi jot jeton në New York, Astoria”, më thoshte gjyshja. Ai kishte shkuar atje shumë herët, larguar nga Shqipëria që në 1944. Imagjinata ime si fëmijë ishte e çuditshme për një vend që s’e kisha parë kurrë, por që dëgjoja fjalët: liri, ligje dhe shpresë.
Nga gjyshja tjetër, nëna e babit, kisha dëgjuar se xhaxhai im kishte ikur në Amerikë dhe jetonte në Detroit, larguar nga Shqipëria në vitin 1936 për studime, e që nuk u kthye kurrë pasi rrugët u zunë dhe Shqipëria socialiste, “si fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut”, jetonte e izoluar.
Pikërisht në këtë “fanar” linda e jetoja dhe unë, një vajzë e vogël që sajonte në mendjen e saj imagjinata të ndryshme për Amerikën e largët.
Nejse, kthehem nga Amerika bashkë me vajzën time, tashmë nënshtetase amerikane me një pasaportë blu, ndërsa imja ishte akoma e kuqe. Jo, thoja me vete, kjo është e padrejtë! Pse unë të mbes me të kuqe?!
Vjen koha, pak vite më vonë, për t’u futur përsëri në ambasadë për vizë. Tashmë isha më “serbes”, si i thonë fjalës, se kisha vajtur një herë, por aspak e përgatitur për pyetjen që do më bëhej në sportelin e intervistës.
Pasi përshëndes “mirëmëngjes” djalin që do më intervistonte, pres të më bëheshin pyetjet e radhës. Fillon ai me pyetjet rutinë, kur në një moment, nga fundi, më pyet:
– Cila ishte arsyeja që linde vajzën tënde në Amerikë?
Për momentin shtanga. Në të qindën e sekondës më erdhën shumë përgjigje, por doja diçka që ta bëja të kuptonte se pyetja e atij amerikani, të brezit të dytë ndoshta emigrant, nuk ishte aspak e drejtë dhe as profesionale.
Mblodha veten dhe me qetësi iu përgjigja:
“Pyesni, ju lutem, nënën tuaj përse ju lindi në Amerikë dhe përgjigjja e saj do jetë edhe e imja. Faleminderit.”
E thënë pikërisht kështu. Mendova për një moment edhe refuzimin e vizës, por krenaria ime nuk më lejonte kthim pas.
Çuditërisht, punonjësi i ambasadës u trondit dhe, duke bërë ca lëvizje të vogla si i zënë në faj, më kërkoi pasaportën për vizë. E falënderova dhe dola jashtë, tashmë me një vizë trevjeçare.
Pjesa tjetër është udhëtime… derisa erdhi dita për t’u bërë nënshtetase amerikane, me të gjitha të drejtat e një qytetareje të Amerikës dhe botës.
Refuzimet ndonjëherë të ndihmojnë të ecësh përpara për t’i arritur gjërat që ti vërtet i do shumë.
Asnjë e keqe (në dukje) nuk vjen për keq, përkundrazi…!!!
Shpresa vdes e fundit dhe ne kemi për detyrë vetëm të shpresojmë…!!!
3 Maj 2026
ESTELA RUKA
New York

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

