Nga Estela Ruka
Emri i një krahine që fillon me përshëndetjen e një dite të mirë. Kjo tregon se ata që e kanë pagëzuar me këtë emër kanë qenë largpamës dhe njerëz që predikonin vetëm mirësi e dritë.
Ndryshimet e Mirditës pas vitit ’44 ishin drastike, jo më pak se në të gjitha zonat e Shqipërisë, por ndoshta pak më shumë dhe më të thella. Mirditorët kanë qenë gjithmonë arsimdashës, çka ka treguar zgjuarsinë natyrore të këtyre njerëzve. Kanë pasur krenari të lindur, çka tregon vetëbesim. Kanë krijuar kostumografi elegante të krahinës, çka tregon shije estetike, dhe kanë besuar fort në Zot, çka tregon besnikëri ndaj Krijuesit.
Pikërisht këto virtyte i trembën fort komunistët pas vitit ’44. Lufta kundër njerëzve të shkolluar në Perëndim, shkatërrimi i bajraqeve dhe i kishave më të vjetra të një kulture të lashtë sa vetë bota, ishin pjellë e regjimit të ri komunist dhe e atyre që iu bindën atij regjimi.
A kishte mirditorë injorantë? Po, sigurisht që kishte një pakicë. “Pyll pa derra nuk ka”. Këta ishin ata që përqafuan më shumë idetë komuniste. Mllefin për njerëzit e shkolluar dhe të arrirë, si edhe vëllavrasjen, e sollën pikërisht këta lloj njerëzish.
Kleri u luftua deri në zhdukje, me masakrimin e shumë klerikëve.
U ndërtua kështu “Njeriu i Ri” (kafshë). U mësua si të spiunonin njëri-tjetrin, si të përçmonin njëri-tjetrin, si të shikonin varfërinë e njëri-tjetrit, kur fshatari prodhonte grurë e ishte i detyruar të hante vetëm bukë misri. Duartrokiteshin burgosjet, dënimet me vdekje dhe burgjet për “agjitacion e propagandë”, në sallat masive të gjyqeve të një çmendurie kolektive të stisur nga vetë komunistët.
Prona private iu konfiskua, pavarësisht mundit dhe djersës së brezave. Mirditorëve, si gjithë shqiptarëve, iu vu nofka “kulak” vetëm pse nuk dorëzuan bagëtinë në kooperativë. Pra, duke dashur të mbronin familjet e tyre, morën damkën “kulak”. Kjo ishte poshtërsia e komunizmit, e cila nuk kishte cak.
Megjithatë, mirditorët nuk reshtën së besuari në Zot. Shprehjet e përditshmërisë ishin:
– “Na ruajt i Madhi Zot.”
dhe:
– “Për i Shejti Shna Ndue.”
Pas viteve ’90 diçka ndryshoi për mirë në Mirditë, por ecet me hapa tepër të ngadaltë. Mosqenia në qendër të vëmendjes e këtyre krahinave tregon se ende ka ngecje në zhvillimin e krahinave si Mirdita.
Zoti i ruajt Mirditën dhe mirditorët. Amen.
Mirdita, Mirdita ime, nga NY, USA, të kujtoj me mall e dashuri.
21 Maj 2026

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

