Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Rrësheni në telajo: Mirdita frymëzon piktorët shqiptarë

Kolonia tre-ditore e artistëve sjell portrete, traditë dhe kolor lokal në zemër të qytetit, si pararendëse e një aktiviteti më të gjerë kulturor

Nga Pirusti News
1 059 Shikime
SHPERNDAJE

Botuar në “Tirana Observer”, 29 maj 2013

Për tre ditë me radhë, qyteti i Rrëshenit  dhe sidomos banorët e tij, kanë qenë në fokusin e penelit të disa prej piktorëve më në zë të vendit tonë. Kjo ngjarje është ndjekur me mjaft kureshtje nga qytetarët, pasi arti dhe kultura, në një kohë kur politika çdo ditë e më shumë bombardon mendjen e publikut, japin një ndikim pozitiv në zbutjen e klimës së rënduar sociale.

Piktorët që këtë herë kanë zgjedhur Mirditën janë Buron Kaceli, Nikolin Ivanaj, Sefedin Stafa, Aleksandër Lleshi dhe Pjetër Marku. Ata përfaqësojnë fusha të ndryshme të artit pamor, por në këtë aktivitet u përqendruan kryesisht te portreti i mirditasve – karakteristikat, psikologjia, tradita dhe koloriti i tyre, si dhe evoluimi i këtyre tipareve nga një dekadë në tjetrën.

Grupi i piktorëve mbërriti në Mirditë si pararendës i një aktiviteti më të gjerë që pritet të organizohet në të ardhmen e afërt, në kuadër të nismave kulturore dhe artistike të shpallura nga Shoqëria Kulturore Artistike “Mirdita”. Për tre ditë me radhë, artistët u vendosën në një nga pikat më dominuese të qytetit, duke punuar në ambiente të hapura dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me publikun.

Fokusi i penelit të tyre përfshiu grupmosha të ndryshme. Fillimisht performoi një e moshuar me veshjen tradicionale tipike mirditase, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve. Po ashtu, pjesë e portreteve u bënë edhe vajza të reja, jo vetëm me kostume tradicionale, por edhe me veshje qytetare, duke ruajtur gjithsesi theksin te tiparet karakteristike dhe lexueshmëria e portretit. Nuk munguan as portretet me karaktere burrërore, që pasqyrojnë veçori të rralla të individit, të cilat hasen më pak në jetën e përditshme.

Megjithëse gjatë gjithë ditës piktorët ishin të rrethuar nga një numër i madh kureshtarësh, ata nuk e ndalën punën e tyre. Sipas piktorit Nikolin Ivanaj, kjo prani nuk përbënte aspak problem; përkundrazi, shpeshherë shndërrohej në burim frymëzimi, sidomos për shkak të sjelljes së qytetarëve, të cilën ai e cilësoi si mjaft korrekte dhe të qytetëruar.

Piktori Buron Kaceli u shpreh se grupi ishte befasuar nga interesimi dhe mikpritja e banorëve të Rrëshenit, si dhe nga durimi i modeleve, të cilët qëndruan për orë të tëra në ambiente të hapura duke pozuar para telajove.

Edhe Sefedin Stafa i konsideroi këto tre ditë pune si mjaft produktive, duke theksuar se kanë mundur të identifikojnë dhe realizojnë portrete me vlera të veçanta, të cilat pritet të prezantohen në ekspozita brenda dhe jashtë vendit.

Ndërsa piktori Pjetër Marku, në rolin e organizatorit dhe mikpritësit, u shpreh se kjo nismë kishte karakter testues për organizimin e një kolonie më të gjerë piktorësh në të ardhmen. Sipas tij, Shoqëria Kulturore Artistike “Mirdita” synon vazhdimisht evidentimin e vlerave të kësaj krahine dhe organizimi i aktiviteteve të tilla shërben pikërisht për këtë qëllim.

Prania e piktorëve u vlerësua edhe nga autoritetet vendore, të cilat vizituan artistët në “studion” e tyre të hapur në natyrë. Nënkryetari i Bashkisë Rrëshen, Bardhkok Pulaj, falënderoi piktorët për praninë e tyre në qytet, duke e cilësuar këtë aktivitet si një promovim të rëndësishëm të vlerave artistike të Mirditës.

Aleksandër NDOJA

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest