Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Shna Ndoi i Kurbneshit, kisha e vogël që çdo 13 qershor ringjall një vend të harruar

Nga rruga Rrëshen–Lurë e asfaltuar deri te oborri i Kishës, ndërhyrjet e Bashkisë Mirditë kanë krijuar kushte më të mira

Nga Pirusti News
1 165 Shikime
SHPERNDAJE

Përgatiti: Aleksandër NDOJA

Në një cep të Selitës, në Mirditë, aty ku dikur gjallonte qyteza e Kurbneshit e sot numëron pak banorë, ndodh një mrekulli e veçantë çdo 13 qershor. Një kishë e vogël, e fshehur mes pishave dhe gjelbërimit, tejmbushet me besimtarë që vijnë nga Mirdita, Lura, Mati, Dibra e më gjerë.

Është një dëshmi se vendet e shenjta nuk maten me madhësinë e tyre, por me historinë, kujtesën dhe besimin që mbajnë brenda. Kisha e Shna Nojt në Kurbnesh, edhe pse përjetoi rrënimin në vitet e vështira të diktaturës, u ringrit sërish dhe sot vazhdon të jetë një pikë bashkimi shpirtëror për mijëra njerëz.

Në vitet e fundit, kjo zonë ka fituar një mundësi tjetër afrimi. Rruga nga Rrësheni drejt Lurës, që kalon edhe pranë kësaj Kishe, është asfaltuar dhe përmirësuar ndjeshëm, duke e bërë më të lehtë ardhjen e besimtarëve dhe vizitorëve. Ndërkohë, Bashkia Mirditë këto ditë ka ndërhyrë për përmirësimin e kushteve të aksesit, duke punuar për sistemimin e rrugës nga asfalti deri në oborrin e Kishës, një hap i rëndësishëm për një vend me histori kaq të rrallë.

Kjo nuk është vetëm një kishë. Është një kujtesë e gjallë e një zone, e njerëzve dhe e një besimi që ka kaluar përmes vështirësive, por nuk është shuar.

Kisha e Shna Nojt në Kurbnesh u rrënua, por sot është sërish në shërbim të besimtarëve

Kisha e Shna Nojt e Kurbneshit ndodhet mes pishave të shumta, disa metra mbi rrugën që të çon drejt Lurës, në të dalë të qytezës së Kurbneshit. Ajo është ndërtuar rreth 200 vite më parë dhe ka një histori të lidhur ngushtë me jetën shpirtërore të banorëve të Selitës.

Ashtu si shumë objekte të tjera të kultit, edhe kjo Kishë u godit nga viti i mbrapshtë 1967. Ajo u rrënua totalisht dhe dera e saj u përdor më pas si derë për dyqanin e bukës së qytetit të Kurbneshit.

Sipas poetit të mirënjohur z. Viktor Gjikolaj, në vitin 1995 u realizua rindërtimi i saj nga themelet. Që prej atij viti, çdo 13 qershor, dita e Shna Ndoit, kjo Kishë pret qindra besimtarë nga Selita, Lura, Burreli dhe zona të tjera të vendit.

11 kuriozitete për Kishën e Shna Nojt në Kurbnesh

  1. Kisha është ndërtuar në një vend “Vakuf”, një vend i konsideruar i shenjtë prej shekujsh.
  2. Kisha e Shna Nojt në Selitë është një vend i njohur besimi, i krahasuar në traditën popullore me vende të tjera të shenjta kushtuar Shna Ndoit.
  3. Ajo ishte kishë vartëse e Kishës së Shënllezhdrit në Qafën e Kishës, Selitë.
  4. Prifti i fundit që shërbeu aty gjatë regjimit komunist ishte Dom Ndoc Ndoja, vëlla nga nëna i “Heroit të Popullit”, Ndoc Mazi, njëri prej pesë heronjve të Vigut.
  5. Në vitin 1977, Dom Ndoc Ndoja u dënua me burg për agjitacion e propagandë.
  6. Në procesin gjyqësor u përmend edhe lidhja e tij familjare me heroin, por kjo nuk ndikoi në fatin e tij.
  7. Dera e Kishës së Shna Nojt u përdor për një periudhë si derë e dyqanit të bukës në Kurbnesh.
  8. Edhe gjatë kohës së komunizmit, besimtarë të shumtë vazhdonin ta vizitonin fshehurazi këtë vend dhe të linin ndihma apo dhurata, pasi konsiderohej vend i shenjtë.
  9. Pishat dhe bredhat rreth Kishës janë ruajtur ndër vite, pasi vendi është konsideruar i veçantë dhe i paprekshëm.
  10. Prej vitit 1991, besimtarë nga Mirdita, Mati e Dibra marrin pjesë në meshën e shenjtë, qëndrojnë për orë të gjata pranë Kishës dhe shumë prej tyre tregojnë për përvoja shpirtërore të veçanta.
  11.  Rreth viteve 2000, edhe pse Dioqeza e Rrëshenit ndërtoi një kishë në qytetin e Kurbneshit, besimtarët kërkuan që Mesha të kremtohej në Kishën e Shna Nojt. “Nëse dëshironi të na kremtoni Meshën, ejani te Kisha e Shna Ndout”, i thanë ipeshkvit Cristoforo Palmeri. Ky qëndrim tregoi lidhjen e veçantë dhe të pandarë të banorëve me këtë vend të shenjtë.

Ajo që bie në sy është rritja e vazhdueshme e numrit të pjesëmarrësve nga viti në vit, falë përkushtimit të drejtuesve shpirtërorë dhe faktit se në këtë datë zhvillohet edhe dita kulturore e Selitës, një zonë ku bashkëjetojnë në harmoni komunitete me besime të ndryshme.

Prania e udhëheqësve shpirtërorë mbetet një vlerë më vete, një lidhje mes njerëzve, kujtesës dhe vendeve që vazhdojnë të jetojnë edhe kur rreth tyre shumëçka ka ndryshuar.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest