Nga Azzano Decimo (IT) Aleksandër NDOJA
Ka ndodhur jo pak që, në llumin mediatik pa asnjë filtër, të lexojmë shprehje denigruese si: “Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut shqetësohen më shumë për gjendjen në Palestinë sesa për situatën në Tetovë, Preshevë e vise të tjera shqiptare, ku po u ndryshohen emrat shqip në rrugë e sheshe për t’i zëvendësuar me emra të ish-Jugosllavisë së dikurshme”.
Krejtësisht i kundërt me këtë ide, madje duke e kundërshtuar kategorikisht atë, është prof. dr. Shefki Selami, pedagog në Universitetin e Tetovës dhe kryetar i Shoqatës për Shkencë dhe Kulturë “Pellazgët” në Tetovë. I ndodhur në Itali për një konferencë kushtuar këtyre çështjeve, ai është i prerë kur i referohet kësaj shprehjeje, e cila vjen nga një pjesë e medias së pakontrolluar dhe portaleve pa filtra.
Profesori thekson se, për të kuptuar më mirë situatën ku ndodhen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe rolin e tyre në mbrojtjen e identitetit kombëtar në trojet e veta, duhet parë më qartë realiteti dhe duhet komunikuar me faktorë intelektualë e jo me një kategori “dallkaukësh” të shpërndarë në trojet shqiptare, të cilët, të ndikuar nga situata të çuditshme që po kalojnë shoqëritë shqiptare vitet e fundit, përhapin perceptime të shtrembëruara.
E të njëjtit mendim është edhe pjesëtarja tjetër e këtij delegacioni, profesoreshë Teuta Llala, ish-drejtuese e Shkollës së Mesme në Tetovë. Një emër i njohur i rezistencës ndaj politikave diskriminuese maqedonase, ajo ka qenë një veprimtare e njohur e të drejtave të njeriut, me aktivitet të shtrirë edhe në SHBA.
Bijë e një dere të fisme të Tetovës, ajo është e vajza e profesor Vait Kamberit, një prej firmëtarëve të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe profesor për shumë vite në këtë universitet, i cili mbetet një diamant i kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ajo bën të ditur se në Tetovë janë paralajmëruar që nga data 26 e në vijim protesta, pasi në sheshin kryesor të qytetit po hiqet emërtimi “Sheshi Iliria” për t’u zëvendësuar me emrin “Marshall Tito”, por dhe dhjetra emërtime tjera.
Po ashtu, studiuesi i mirënjohur i këtyre trevave, prof. dr. Skënder Asani, është një zë i fuqishëm në mbrojtje të historisë dhe të vërtetave të mohuara në Maqedoninë e Veriut. Ai, edhe në këtë konferencë, ishte i fokusuar në autoktoninë e pandërprerë iliro-arbërore-shqiptare, duke trajtuar vazhdimësinë historike dhe identitare të shqiptarëve ndër shekuj përmes argumenteve dhe qasjeve studimore.
Me mjaft vëmendje dhe interes u prit edhe përfaqësuesi i brezit të ri studentor, juristi Mumin Osmani i cili u shfaq mjaft i artikuluar dhe i guximshëm në përcjelljen e kërkesave dhe sfidave të studentëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Nga bisedat paraprake me delegacionin e ardhur nga Maqedonia e Veriut kuptohet se Marrëveshja e Ohrit është cenuar rëndë. Sipas tyre, është urgjente jo vetëm kërkesa për zbatimin e saj, por mbi të gjitha ruajtja e kësaj marrëveshjeje, pasi, sipas tyre, po ndërmerren veprime që synojnë dobësimin e saj.
Ndër shqetësimet e ngritura janë ndryshimi i emërtimeve të rrugëve nga emra shqiptarë në emra të periudhës së Jugosllavisë, si dhe proceset e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në rastet kur ata nuk gjenden përkohësisht në banesat e tyre.
Në këtë realitet ku ndodhen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, kuptohet qartë se, veçanërisht në Tetovë dhe vise të tjera shqiptare, ekziston një përballje mes dy niveleve shoqërore: një shtresë intelektuale e mirëfilltë, por e kufizuar në numër, dhe një shtresë injorance të shumtë që shpesh merr hapësirën publike. Sipas mendimeve të shprehura në këtë takim, kjo situatë favorizon dobësimin e zërave të mirëfilltë intelektualë.
Në biseda të lira u theksua gjithashtu se përballë këtyre sfidave ekziston një përpjekje e vazhdueshme për të ndikuar në narrativat historike dhe identitare, ndërsa në hapësirën shqiptare qarkullojnë edhe debate e shqetësime rreth ideologjive të importuara që bien ndesh me traditën dhe vlerat demokratike shqiptare.
Megjithatë, mbetet një shumicë e heshtur në dukje, por aktive në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve amë.
Jo pa qëllim, Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve Shqiptarë në Botë, me seli në Zvicër, organizoi në Itali konferencën me temë “Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, ku u miratua një rezolutë me një numër të konsiderueshëm firmëtarësh.
Në Azzano Decimo të Italisë, një zë i përbashkët për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
“Zoti e bekoftë idealin e bashkimit kombëtar!” – ishte mesazhi që përshkoi konferencën shkencore të zhvilluar të dielën, më 21 qershor 2026, në Azzano Decimo (Pordenone), Itali, kushtuar historisë, identitetit dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ky aktivitet u organizua nga Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI), në bashkëpunim me Lidhjen e Historianëve Shqiptarë në Botë, me seli në Zvicër, dhe me mbështetjen e shoqatës “Krenaria Shqiptare”.
Që në orët e para të mbërritjes në Itali, atmosfera e këtij takimi mbarti një ndjenjë përgjegjësie kombëtare. Nga Maqedonia e Veriut, kryesisht nga Tetova, kishin udhëtuar përfaqësues të botës akademike dhe shoqërisë civile: prof. dr. Skënder Asani, prof. Teuta Llalla, prof. dr. Shefki Selami dhe studenti Mumin Osmani.
Ndërkohë, nga Prishtina dhe Tirana, përmes një udhëtimi të gjatë me ndalesa në disa qendra të Ballkanit dhe Evropës, drejt Italisë udhëtuam unë autori i këtyre radhëve, Akademik Murat Ajvazi dhe Atlant Picaku. Një natë përpara aktivitetit, të gjithë pjesëmarrësit ishin akomoduar, të gatshëm për konferencën e shumëpritur.
Konferencën e hapi me një përshëndetje dhe mirëseardhje nikoqiri i aktivitetit, Ndriçim Kërçuku, kryetar i shoqatës “Krenaria Shqiptare”. Ndërsa drejtimin e konferencës e mori moderatorja Ninfa Pema, e cila me profesionalizëm prezantoi panelistët dhe përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre.
Në këtë konferencë shkencore referuan figura të njohura të botës akademike dhe veprimtarisë kombëtare:
Prof. dr. Skënder Asani trajtoi temën: “Trevat verilindore shqiptare dhe Shkupi si bosht i vazhdimësisë historike, politike dhe qytetëruese shqiptare”.
Prof. dr. Shefki Selami – Poti, pedagog në Universitetin e Tetovës dhe kryetar i Shoqatës për Shkencë dhe Kulturë “Pellazgët”, referoi mbi temën: “Të drejtat e popullsisë autoktone shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Prof. Teuta Llalla solli një trajtesë mbi: “Përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni nga viti 1944 deri në ditët e sotme – sfidat dhe arritjet në arsim dhe në jetën institucionale”.
Juristi Mumin Osmani u përqendrua në: “Kërkesat dhe sfidat studentore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Nga ana tjetër, Akademik Murat Ajvazi trajtoi marrëdhëniet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me shtetet shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar, ndërsa Dr. Granit Muçaj, president i FNAI-t, referoi mbi rolin e diasporës si urë lidhëse dhe faktor mbështetës për identitetin dhe faktorizimin shqiptar.
Diskutimet e konferencës u përqendruan në çështje historike, identitare, arsimore dhe institucionale, duke sjellë një analizë të sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe të perspektivave të tyre në të ardhmen.
Një moment i veçantë i aktivitetit ishte edhe pjesëmarrja e nxënësve të shkollës shqipe nga Trieste, të cilët sollën recitime nga veprat e autorëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare, duke i dhënë konferencës një dimension kulturor dhe brezash.
Në përfundim të kumtesave shkencore, u lexua dhe u miratua unanimisht Rezoluta për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, e përbërë nga 19 nene. Dokumenti do t’u drejtohet institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, institucioneve të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së, OKB-së, organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, institucioneve akademike dhe shoqërisë civile.
Rezoluta u mbështet me rreth 60 nënshkrime nga organizatorë, panelistë dhe pjesëmarrës të konferencës.
Një përshëndetje e veçantë erdhi edhe nga Alessandro Ciriani, deputet i Parlamentit Evropian, i cili vlerësoi rolin e komunitetit shqiptar në shoqërinë italiane, rëndësinë e integrimit dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Në fund të aktivitetit u ndanë certifikata me titullin “Zëri i Kombit” për referuesit dhe certifikata mirënjohjeje për kontribuesit dhe organizatorët.
Pas përfundimit të punimeve, pjesëmarrësit vijuan me një drekë festive në restorantin “Il Novecento”, ku atmosfera u pasurua nga vallet shqiptare të sjella nga Grupi i Valleve “Arif Musaj” nga Conegliano.
Në këtë aktivitet morën pjesë veprimtarë nga qendra të ndryshme të diasporës shqiptare në Itali, ndër ta nga Trieste, Brescia, Trento dhe Treviso, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar.
Edhe pse pjesëmarrja e bashkatdhetarëve ishte më e ulët nga pritshmëritë, konferenca arriti qëllimin e saj kryesor: krijimin e një dokumenti të përbashkët dhe një zëri institucional për çështjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Frytet e kësaj konference pritet të maten në kohën që vjen, përmes reagimit të institucioneve dhe mbi të gjitha përmes forcimit të bashkëpunimit dhe unifikimit të zërave shqiptarë.
Të gjitha kumtesat shkencore dhe Rezoluta e konferencës do të botohen nga Lidhja e Historianëve Shqiptarë në Botë “Gjurmë Historike”, me seli në Zvicër, në katër gjuhë: shqip, italisht, gjermanisht dhe anglisht, me synim që mesazhi i këtij aktiviteti të arrijë te publiku dhe institucionet ndërkombëtare.
Një konferencë që dëshmoi edhe një herë se kujtesa historike, identiteti dhe të drejtat kombëtare mbeten çështje që kërkojnë zë të bashkuar dhe përgjegjësi të përbashkët.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

