Nga Aleksandër NDOJA, Shëngjin–Velipojë |
Në pikën më të lartë të këtij ballkoni natyror, përgjatë aksit të ri panoramik Shëngjin–Velipojë, u përurua sot shtatorja e Mbretëreshës Teuta, një vepër monumentale që i kushtohet një prej figurave më të njohura të historisë së lashtë ilire.
Vendosja e shtatores në këtë pozicion ka edhe një simbolikë të veçantë: Mbretëresha Teuta qëndron me shpinë nga Roma, me të cilën Mbretëria Ilire pati përplasjen e saj historike, ndërsa përballë saj shtrihet panorama e gjerë e trojeve shqiptare. Një vendosje që e kthen monumentin jo vetëm në një vepër arti, por edhe në një mesazh për historinë, kujtesën dhe identitetin kombëtar.
Ceremoninë e përurimit e hapi historiani Paulin Zefi, i cili përshëndeti kryetarët e bashkive Lezhë dhe Shkodër, Pjerin Ndreu dhe Benet Beci, gjeneralin dhe deputetin e Dardanisë Anton Çuni, gazetarin Marin Mema, skulptorin Julian Muçollari dhe të gjithë pjesëmarrësit e ardhur nga treva të ndryshme shqiptare.
Në fjalën e tij, historiani Zefi solli një panoramë të historisë së Mbretëreshës Teuta, figurës së fuqishme të shekullit III para Krishtit, duke u ndalur te roli i saj në historinë e Mbretërisë Ilire dhe te përplasja me fuqinë romake. Ai komentoi gjithashtu reagimet dhe debatet xheloze të ditëve të fundit në disa portale të huaja, veçanërisht në ato greke e sllave, ndërsa Zefi vijoi duke e cilësuar këtë përurim si një ditë historike për kujtesën shqiptare.
Gazetari dhe dokumentaristi Marin Mema, një prej ideatorëve dhe nxitësve të kësaj vepre, e cilësoi këtë moment si të veçantë, duke theksuar se është hera e parë që në Shqipëri përurohet një shtatore kushtuar një figure ilire të kësaj rëndësie. Ai nënvizoi nevojën që historia shqiptare të përcillet kudo dhe te brezat e rinj.
Mema vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bashkisë Lezhë dhe kryetarit Pjerin Ndreu për realizimin e kësaj nisme, duke theksuar se, ndërsa disa struktura vendore nuk e panë të arsyeshme të angazhoheshin në këtë projekt, Bashkia Lezhë u tregua e gatshme për të mbështetur një vlerë me rëndësi kombëtare.
“Gruaja shqiptare ishte dhe do të jetë mbretëreshë”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë ceremonisë.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e ardhur nga mbarë shqiptaria, duke e cilësuar shtatoren si një vepër të jashtëzakonshme për një grua të jashtëzakonshme.
Edhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, vlerësoi rëndësinë e monumentit, duke u shprehur se duket sikur vetë historia e ka përzgjedhur këtë vend për një mbretëreshë. Ai u ndal edhe te rëndësia e aksit të ri panoramik, i cili, përtej funksionit rrugor, po merr gjithnjë e më shumë dimensionin e një aksi që bashkon historinë, trashëgiminë dhe turizmin bregdetar.
Në ceremoni foli edhe gjeneral-deputeti Anton Çuni, i cili e cilësoi shtatoren e Teutës si një simbol të fuqishëm, që përcjell mesazhe për besimin te Zoti, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.
Fjalën e tij e mori edhe skulptori Julian Muçollari, autori i veprës, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuuan dhe mbështetën realizimin e shtatores.
Ceremonia kulmoi me zbulimin e shtatores së Mbretëreshës Teuta, që u bë nga kryetarët e bashkive Pjerin Ndreu dhe Benet Beci, në shoqërinë e gazetarit Marin Mema dhe autorit të veprës, skulptorit Julian Muçollari.
Një mbretëreshë ilire mbi një nga pikat më panoramike të veriut shqiptar, me sytë nga hapësira shqiptare dhe shpinën nga Roma: një monument që synon ta kthejë historinë në kujtesë të gjallë dhe trashëgiminë në një vlerë për brezat që vijnë.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

