Kryetari Dedaj:
“Si kryetar bashkie, që sot do ngre një grup pune me intelektualë të qytetit, me ata që kanë aftësi për të shkruar, që të përjetësojnë në mënyrë historike dhe artistike si asnjëherë projektin Albania të Padër Franz Vinsauer.”
Njëzet e pesë vite më parë ishte Franz Vinsauer, një frat nga Austria, që fati e solli në Mirditë. Tejskajshmëria problemore në një vend ku komunizmi, një nga më të padëgjuarit në planet, sapo kishte dhënë shpirt, bëri që padër Vinsauer të themelojë “Projekt Albania”, me të cilin do të jepte ndihmesën e tij në Mirditë. Sot, në 25-vjetorin e themelimit të këtij fondacioni, është tepër e vështirë të bësh një bilanc të saktë.
Në një ceremonial të organizuar nga Bashkia Mirditë u renditën shumë fakte që përbëjnë një bilanc pozitiv të ndihmës së pakursyer austriake në Mirditë.
Ceremoniali
Në fillim të ceremonialit, i cili u zhvillua në sallën e koncerteve të Pallatit të Kulturës në Rrëshen, z. Gjergj Marku, i cili moderoi këtë takim, tha se:
“Më duket se Zoti sjell një dorë bujare për ta ndihmuar Mirditën. Kështu që janë miqtë tanë austriakë që vijnë me historinë e tyre bujare, humane, solidare. Pas 100 vitesh erdhën këtu në Mirditë për të filluar një epokë të re solidariteti, ndihme dhe humanizmi të pashoq.”
Ai shtoi se Bashkia Mirditë vazhdon të ketë një inspirim pozitiv ndaj nismave sociale, gjë shumë e rëndësishme edhe në këto kohë. Me ardhjen e miqve austriakë, të cilët vazhdon t’i shoqërojë veneracioni dhe respekti institucional për figurën mitike të Franz Vinsauer, i cili sot është 85 vjeç dhe i pamundur për të ardhur, u theksua se nisma e tij humane vazhdon me të njëjtën forcë.
Fjala e Zef Shtinjës – Drejtor i Caritas “Mirdita”
Zef Shtinja tha se sot festohet 25-vjetori i Projekt Albania / Caritas Mirdita.
Ai nënvizoi:
“Rrugëtimi ynë 25-vjeçar ka qenë i suksesshëm me mbështetjen e donatorëve tanë austriakë dhe bashkëpunimin e mirditorëve.”
Ai falënderoi kryetarët e komunave dhe bashkive ndër vite për përkrahjen e tyre, drejtuesit e arsimit për rolin e pazëvendësueshëm në ndërtimin e shkollave, si edhe përfaqësuesit e shëndetësisë për bashkëpunimin që mundësoi ngritjen e shumë qendrave shëndetësore. Nga zemra falënderoi stafin e Caritas Mirdita për realizimin e suksesshëm të projekteve
Paraqitja e Luçie Shtinjës – Koordinatore e Caritas Mirdita
Luçie Shtinja prezantoi një panoramë të gjerë të aktivitetit të Projekt Albania:
- Ndërtimi i Kishës së Fanit dhe i një furre buke
- Ndërtimi i 15 shkollave në Komunën e Fanit
- Rikonstruksioni i shkollave në Reps, Bardhaj dhe Selitë
- Rikonstruksioni total i shkollës së Ndërfushazit, i shkollës së Bardhajve, konviktit të Rubikut, Shkollës së Mesme në Rubik, si edhe i shkollave në Kurbnesh, Arrëz, Kaçinar, Përlat Epër e Kurbnesh
Gjithashtu, projekti ka përfunduar me sukses pajisjen e shkollave me orendi të brendshme (tavolina, karrige, kompjuterë, dërrasa të zeza etj.).
Prej vitesh mbështetet edhe qendra e fëmijëve me aftësi të ndryshme në Rrëshen, një ndër veprat më mbresëlënëse të këtij projekti.
Në vijim, janë financuar kurse falas për rrobaqepësi, kuzhinë dhe kompjuter, si edhe janë shpërndarë pako ushqimore dhe veshmbathje dy herë në vit për qindra familje në nevojë.
Fjala e Drejtorit të Arsimit, z. Gëzim Kaçorri
– Kaçorri bëri një panoramë të detajuar të mbështetjes së jashtëzakonshme të Projekt Albania në sistemin arsimor. Për këtë arsye, Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, znj. Lindita Nikolla, ka akorduar dy mirënjohje për:
- Franz Vinsauer
- Zef Shtinja
Me motivacionin:
“Për kontribut të rëndësishëm shumëvjeçar në menaxhimin e ndihmave dhe donacioneve të Projekt Albanien në shkolla dhe në institucione të tjera arsimore të Mirditës, duke ndihmuar ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës mësimore.”
Fjala e Kryetarit të Bashkisë, z. Ndrec Dedaj
-Dedaj vlerësoi maksimalisht aktivitetin e Projekt Albania. Ai u drejtua z. Bernhard Köb dhe Manfred Kräuler, duke theksuar se vizita e tij në Austri i kishte bërë të kuptonte përmasat e jashtëzakonshme të punës humanitare të tyre:
“Projekt Albania është themeluar nga një njeri i jashtëzakonshëm, i përmasave të jashtëzakonshme intelektuale dhe humane, siç është Franz Vinsauer.”
Ai përshkroi gjendjen e rëndë të Shqipërisë së viteve ’90 dhe ndihmën jetike që dha Projekti: ushqime, veshmbathje, medikamente, e më vonë investime arsimore, shëndetësore, sociale.
“Projet Albanien i Padër Franz Vinsauer i kalon kufijtë e një shteti e një kombi.”
Në përfundim, ai deklaroi se do të krijojë një grup pune me intelektualë të qytetit për të përjetësuar në mënyrë historike dhe artistike këtë projekt të jashtëzakonshëm.
Fjalët e përfaqësuesve austriakë
Bernhard Köb, Kryetar i Projekt Albanien, përcolli përshëndetjen e padër Vinsauer dhe bëri një përmbledhje të rrugëtimit 25-vjeçar: themelimin e Caritas Mirdita, drejtimin e besuar fillimisht Gjon Marka Gjonit dhe më pas Zef Shtinjës, ndërtimin e shkollave, Kishës në Klos, kujdesin për fëmijët ndryshe dhe projektet për gratë.
Ai falënderoi në mënyrë të veçantë Zef Shtinjën, Lucien dhe Matinë Kaçorrin për shërbimin e tyre shumëvjeçar.
Manfred Kräuler, Nëndrejtor i Caritas Projekt Albanien, përdori metaforën e një mali të lartë, duke e krahasuar me sfidat e para 30 viteve:
“Edhe me Caritas Projekt Albanien shikoj një mal të lartë që simbolizon vështirësitë dhe varfërinë, të cilin duhet ta arrijmë, qoftë edhe me një hap prapa e dy para.”
Ceremonia e Mirënjohjeve
Më pas u kalua në shpërndarjen e çmimeve të nderit nga Bashkia Mirditë. Çmimet u mbajtën nga vajzat balerina të grupit të valleve, ndërsa kryetari i bashkisë i dorëzoi ato ceremonialisht.
- Mirënjohja e parë iu dha Bernhard Köb, Drejtor i Caritas Projekt Albanien, me motivacionin:
“Misionar i shquar austriak, për kontributin e pakursyer në ndihmë të komunitetit mirditor përmes projekteve humanitare dhe zhvillimore të Projekt Albanien, si dhe ruajtjen e zhvillimin e lidhjeve të hershme kulturore, arsimore dhe historike Austri–Mirditë.” - Mirënjohje morën gjithashtu:
Manfred Kräuler, Nëndrejtor i Caritas Projekt Albanien
Zef Shtinja, Drejtor i Caritas “Mirdita”
Luçie Shtinja, Koordinatore e projekteve sociale të Caritas Mirdita
Programi Artistik
Të pranishmit ndoqën një koncert festiv ku ra në sy një orkestrale mjaft cilësore e grupit të burrave, i përbërë nga:
- Mark Gjonaj
- Olti Vata
- Pashk Filopati
- Ndue Përlala
- Beriland Kadeli
Në koncert performuan grupe artistësh të vegjël nga Rrësheni e Rubiku, si edhe këngëtarë profesionistë.
Përgatiti: Aleksandër Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

